Prishtinë, 27 prill – Respektimi i të drejtave të autorit ende mbetet sfidë për institucionet e vendit sa u përket zbatimit të ligjit dhe marrjes së masave kundër shkeljeve. Sfida më e madhe në këtë mes është zbatimi i të drejtave të autorit në fushën digjitale. Por zyrtarët institucionalë kanë thënë se s’mund t’i dalin vetë në krye kësaj beteje. Kanë kërkuar që ata të cilët konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat autoriale, t’u drejtohen gjykatave.
Kosova ka Ligj për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta qysh më 2007. Më 2011 ligji u ndryshua, e dy vjet më vonë iu shtuan aktet nënligjore, përderisa u plotësua edhe në fund të vitit 2016, kur ndër të tjera u harmonizua sipas standardeve evropiane. Në qershor të vitit 2010 u hap Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në MKRS, e në fillim të 2013-s Qeveria themeloi Task-Forcën kundër falsifikimit dhe piraterisë në fushën e së drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta.
Por pavarësisht këtyre, për një periudhë rreth pesëvjeçare, nuk janë as dhjetë raste kur krijues a autorë kanë iniciuar padi për shkeljet që u janë bërë.
Megjithatë, për sivjet, institucionet e vendit kanë pasur një shembull konkret për ta përmendur si arritje: marrëveshjen midis Shoqatës së Autorëve, Prodhuesve dhe Interpretëve të Kosovës – APIK dhe mediave. Pas pesë vjetësh negociata, më 14 mars të këtij viti, u arrit marrëveshja sipas së cilës radiot e televizionet do të paguajnë për emetimin e muzikës. Katër kanalet e Radiotelevizionit të Kosovës paguajnë shumën vjetore prej 30 mijë eurosh tarifë të përgjithshme për të pasur të drejtë të shfrytëzojnë muzikën për transmetim në televizionet me frekuencë kombëtare, nga 6.000 euro në vit tarifë. Si arritje tjetër është përmendur lufta e vazhdueshme kundër piraterisë. Vitin e kaluar janë sekuestruar rreth 1 mijë e 600 materiale, e për disa raste janë shqiptuar edhe gjoba.
Të enjten, kur edhe është shënuar Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale, në konferencën “Të drejtat pronësore intelektuale” organizuar nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Tregtisë dhe Industrisë, është debatuar për arritjet dhe sfidat në këtë drejtim. Motoja e sivjetme e kësaj konference ka qenë “Forca e ndryshimit: Gratë në Inovacion dhe Krijimtari”, por në konferencë pos fjalëve ku gratë janë konsideruar si “kreative dhe inovative” e të rëndësishme për shoqërinë, s’ka pasur ndonjë trajtesë tjetër (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
-
Lufta kundër piraterisë mbetet sfidë për institucionet
-
Muzika në radio e televizione me tarifë deri në 4.5 për qind të të hyrave
-
Fundi i muzikës pa para, Shoqata lansohet si fillim i një epoke të re
- Kontrasti që po e shtyn gazetarinë drejt një krize të dyfishtë
-
Kosova ende larg mbrojtjes së të drejtave të autorit