Në libra të moçëm kërkonte sekretet. Kur shkruante i zbërthente ato e me letërsi gjeti lirinë, sepse ajo për të “nënkuptonte kërkimin e lirisë në të gjitha format e saj” e çdo libër për të kishte fatin e vet. Bota letrare e akademike humbi Luan Starovën, i vlerësuar zë i veçantë, si romansier, poet e eseist dhe si diplomat
Për të “letërsia mund të nënkuptonte kërkimin e lirisë në të gjitha format e saj”. Në veprat e tij ai e gjeti lirinë, e letërsia e tij u bë e pakufishme. Bota akademike e letrare shqiptare, por jo vetëm, të enjten kanë humbur figurën e shquar Luan Starova. Shkrimtari i njohur vdiq të enjten. Ai ishte 80-vjeçar. Lajmin e kanë dhënë familjarët e tij, përderisa kolegë të tij përfaqësues institucionesh, teksa kanë shprehur ngushëllime, kanë thënë se Starova ishte zë i veçantë si romansier, poet e eseist dhe si diplomat. Në shumë prej veprave të tij, rrëfente historinë e tij familjare, e nëpërmjet saj përthekohej edhe historia e shqiptarëve.
Zë unik
Starova u lind më 14 gusht 1941 në Pogradec të Shqipërisë dhe nga viti 1943 familja e tij u shpërngul në Strugë, Tetovë dhe prej vitit 1945, në Shkup. Pas diplomimit, në vitin 1967 u punësua në Radio Shkupi si gazetar, ndërsa vitin e ardhshëm u bë kryeredaktor i programeve në gjuhën shqipe në Televizionin e Shkupit. Studimet pasuniversitare i kreu në Zagreb, ku mbrojti temën e magjistraturës “Ballkani në prozën e Guillaume Apollinaire”. Ai ishte në Paris për studime të specializuara. Në vitin 1974 u zgjodh asistent në Fakultetin Filologjik në Shkup, në grupin e gjuhës dhe letërsisë frënge. Në vitin 1978 mbrojti disertacionin e doktoratës në Zagreb. Në vitin 1979 u zgjodh nënkryetar i Komisionit Republikan për Marrëdhënie kulturore me jashtë, ishte kryeredaktor i parë i botimit maqedonas të Gazetës së UNESCO-s dhe anëtar i redaksisë së revistës ndërkombëtare “Ballkans – Forum”. Në vitin 1985 u zgjodh ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i RSFJ-së në Tunizi. U emërua ambasador i parë i RSFJ-së në shtetin palestinez. Në vitin 1990 u zgjodh profesor ordinar i letërsisë franceze në Fakultetin Filologjik të Shkupit, dhe më pas shef i Departamentit të Gjuhëve dhe Letërsisë Rumune. Në vitin 1994 emërohet ambasador i parë i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Maqedonisë në Francë, përfaqësuesi i parë i përhershëm në UNESCO dhe ambasador jorezident në Spanjë dhe Portugali. Ai është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë që nga viti 2003.
Starova është autor i mbi 200 njësive bibliografike të punimeve të ndryshme profesionale dhe shkencore brenda dhe jashtë vendit, si dhe autor i përkthimeve të veprave të Jean-Paul Sartre, George Lukacs, Ismail Kadare e të tjerë. Është autor i librit “Idetë letrare franceze të shekullit XX”, si dhe i “Sagës ballkanike”, të përbërë nga 17 romane. Është fitues i çmimeve shtetërore “11 Tetori” dhe “Sht. Kliment Ohridski”, si dhe çmimet “Krste Misirkov” për gazetari, “13 Nëntori” i Qytetit të Shkupit, dy herë iu dha çmimi “Stale Popov” për romanin e vitit, Mirënjohja e Racinit në vitin 2007 për “Kërkimi i një Leibovitz” dhe të tjerë. Që nga viti 2006 qe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. U nderua edhe me titullin më të lartë francez për arritje në art dhe letërsi, “Komandanti i Urdhrit të Artit dhe Letërsisë”.
“Është njëri nga shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në gjuhë të huaja”, shkruhet ndër të tjera në zërin për të në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, më 2018. Aty, akademi Ali Aliu, teksa rendit veprat e tij, shkruan se me shkrime publicistike e eseistike, Luan Starova filloi që nga fillimi i viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar.
vonë, nga fillimi i viteve nëntëdhjetë, Luan Starova po kompleton një sagë romanore të veçantë, fare karakteristike në letërsinë shqipe. Kjo sagë, që për temë kryesore ka fatin e një familjeje shqiptare, përkatësisht familjes së vet, që shpërngulet nga vendlindja, Pogradeci, dhe vendoset në Maqedoni. Harku kohor brenda së cilës zhvillohet kjo sagë(...), zhvillohet në një hapësirë, në fillim ballkanike e më pas përtej kufijve të Ballkanit”, shkruan akademik Aliu.
Me veprat “Koha e dhive” e “Librat e babait” qysh në fillim të viteve ’90, Starova u shqua përtej kufijve shqiptarë.
“Unë trashëgova librat e babait tim të shkruar në gjuhë të ndryshme. Marcel Proust tha se shkrimtari vdes dy herë, herën e dytë është kur biblioteka e tij zhduket. Doja t’i mbaja gjallë librat e babait tim duke kërkuar mesazhet e tyre. Duke shfletuar librat e babait tim, hasa në faqe individuale të shënuara me hi. Zbulova menjëherë sekretin: një duhanpirës dhe lexues pasionant, babai im në përqendrim të fortë, harroi të tundte hirin në tavëll dhe ai ra në faqet e lexuara. Hiri do të shënojë itinerarin (sinjalistikën) e kërkimit tim për jetën e tij. Njollat e hirit në faqet e hapura të librave të babait të tij dukej se ishin thirrja e tij përtej jetës, për të kërkuar sekretet e ekzistencës së tij, të familjes së tij. Sikur të ishte një mesazh feniks. Jo pa arsye, fillova të kërkoja për sekretet e librave të tij”, do të thoshte Starova në një intervistë, pak muaj më parë.
Për të, tek citonte një proverb latin, “çdo libër ka fatin e vet”.
“Kështu, për shembull, nga librat për dhitë, të gjetur në bibliotekën e babait tim, unë dokumentova romanin ‘Koha e dhive’, i tillë ishte rasti me ‘Rruga e ngjalave’, ‘Çelësi i Ballkanit”, “Dashuria e gjeneralit” dhe kështu me radhë deri në librin e fundit – romanin ‘Gjyshja’”, do të thoshte ai.
Lartësuesi i letrave shqipe
Shkrimtari fisnik, njeriu që e donte letërsinë pa kufij ashtu siç është edhe letërsia e tij, figurë e pakrahasueshme e letrave shqipe, kanë qenë disa prej cilësimeve që i janë bërë Luan Starovës në ditëvdekjen e tij.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë nëpërmjet një telegrami ngushëllimi, ka shkruar se vdekja e Starovës është humbje e madhe tek ka kujtuar që mjeshtëria e tij letrare u shqua edhe në bota frankofone. Aty, ndër të tjera janë shkëputur edhe disa kritika emrash të shquar në Francë.
“Nuk jam njohës i dramës, por lexoj herë pas here disa nga romanet e miqve të mi. Kështu e lexova romanin e Luan Starovës ‘Koha e dhive’. Ajo që më interesoi në këtë roman është dimensioni magjiko-poetik dhe dimensioni simbolik. Unë konstatoj se në këto dy dimensione puna funksionon në mënyrë perfekte. Unë e gjej akoma këtë vepër më të mirën që ekziston dhe që tregon shkatërrimin e universit ideologjik - mizor dhe të egër, por pa e thënë drejtpërdrejt”, do të shkruante kritiku Alain Bosquet në “Magazine littéraire” më 1997.
Jean-Arnault Dérens, në “Le Monde diplomatique” do të shkruante se si ish-ambasador, profesor universitar i letërsisë franceze, “Luan Starova ndonjëherë kritikohet nga disa prej të tijve, shqiptarëve të Maqedonisë, për kundërshtimin e tij ndaj çdo forme nacionalizmi”.
“Ai sapo është zgjedhur në Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve: kjo është hera e parë që një shqiptar i është bashkuar këtij institucioni në një vend ende të shqyer nga nacionalizmi”, do të shkruante Dérens.
Ambasada e Shqipërisë në Shkup ka shkruar se akademiku, shkrimtari, diplomati, filozofi, e njeriu i letrave, Luan Starova, gjithë jetën e tij e vuri me përkushtim në shërbim të popullit të tij dhe vendit ku jetoi.
“Me këtë rast, Ambasada e Republikës se Shqipërisë u shpreh bashkëshortes znj. Gzime, vajzave Blerina, Dita e Jeta, si dhe familjareve e të afërmve, ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe e shpirti i tij u prehtë në paqe”, ka shkruar Ambasada e Shqipërisë.
Akademik Vasil Tole, anëtar i AShSh-së, teksa u ka shprehur ngushëllime familjes, miqve, kolegëve dhe lexuesve të shumtë të veprës së tij, si dhe bashkësisë akademike në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se vepra që la pas, e përkthyer në mbi 15 gjuhë të botës, “është pavdekësia e tij, e cila do ta shënjojë emrin e Luan Starovës te shkrimtarët më të mëdhenj të gjuhës sonë”.
Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit në Tiranë e ka cilësuar Luan Starovën si një nga personalitetet më të larta të kulturës shqiptare.
“Ai ka lënë pas një vepër të pasur, që do të lartësojë gjithnjë historinë tonë letrare”, ka shkruar QKLL-ja.
Edhe figurat politike në Maqedoninë e Veriut kanë thënë se vdekja e Starovës është humbje e madhe për kulturën.
“Ditën e sotme humbëm një person të ngritur e të ndritur të fushës akademike. Humbëm Luan Starovën, i cili u dha shumë gjeneratave brez pas brezi duke mos pushuar as edhe një çast drejt rrugës së dijes dhe arritjeve shkencore dhe letrare”, ka thënë Valmir Aziri, sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Artan Grubi, zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut, ka thënë se mbarë bota akademike dhe letrare humbi pendën krijuese të shkrimtarit dhe akademikut të shquar.
“Nuk harrohet asnjëherë ai që u lë për trashëgimi brezave pas tij fjalën e mençur të shkruar që t’u shërbejë si udhëzim jete”, ka shkruar ai.
Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, ka shkruar se e kobshme është dita kur u dha lajmi për ndarjen nga jeta të profesorit, akademikut dhe shkrimtarit të mirënjohur Luan Starova. “Humbëm një personalitet me vlera të jashtëzakonshme! Vepra e tij do të jetojë gjithmonë me ne!”, ka shkruar ai.
Luan Starova citonte Proustin se shkrimtari vdes dy herë, herën e dytë kur biblioteka e tij zhduket. Vepra e Starovës është e përjetshme.