Në homazhet e mbajtura në sallën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të pranishmit kanë vlerësuar kontributin që anëtari korrespodent i këtij institucioni. Luan Mulliqi ka dhënë për artin e kulturën shqiptare. E dy prej veprave të tij në mermer të bardhë ishin veç një copëz e mozaikut krijues të Mulliqit, i cili vdiq të dielën. Familjarë, miq e kolegë të tij janë bashkuar për t’i dhënë lamtumirën një prej skulptorëve më të veçantë shqiptar. Para homazheve, përfaqësuesit institucionalë kanë shprehur vlerësimet e tyre, duke e cilësuar veprimtarinë e Mulliqit si unike
Dy prej skulpturave të ciklit “Hasjania” në sfond i kanë bërë “rojë” arkëmortit të autorit të tyre derisa të pranishmit kanë nderuar jetën dhe veprën e skulptorit Luan Mulliqi. Në homazhet e mbajtura në sallën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të pranishmit kanë vlerësuar kontributin që anëtari korrespodent i këtij institucioni ka dhënë për artin e kulturën shqiptare. E dy prej veprave të tij në mermer të bardhë ishin veç një copëz e mozaikut krijues të Mulliqit, i cili vdiq të dielën. Familjarë, miq e kolegë të tij janë bashkuar për t’i dhënë lamtumirën një prej skulptorëve më të veçantë shqiptarë. Para homazheve, përfaqësuesit institucionalë kanë shprehur vlerësimet e tyre, duke e cilësuar veprimtarinë e Mulliqit si unike.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, në mbledhjen komemorative të së hënës ka thënë se të gjithë e kanë vlerësuar, por mbi të gjitha e ka vlerësuar komuniteti artistik, për punën e bërë, për ekspozitat, për prezantimet në evenimente të ndryshme artistike, në paraqitje individuale ose të përbashkëta në Kosovë dhe jashtë saj.
“Por më duket se një gjë nuk e kemi thënë tamam: se Luan Mulliqi i takon atij numri të vogël krijuesish të Kosovës, të cilët zhvilluan dhe kultivuan kulturën figurative te ne, veçmas në Prishtinë, kulturën e skulpturës dhe të monumentit, të shtatores dhe të përmendores. Kjo kulturë që në krye të herës kërkonte një dalje nga realizmi dhe synonte kërkimin e identitetit, duke kërkuar stil dhe ide të reja, por njëkohësisht duke i dhënë formë meditatives dhe racionales”, ka thënë Kraja. Sipas tij, biografia e Luan Mulliqit është e pasur me pjesëmarrje në një sërë evenimentesh artistike. Ka përmendur se ai ka marrë pjesë në shumë simpoziume të skulpturës dhe koloni artistike me karakter ndërkombëtar. Ka thënë se Mulliqi ishte aktiv në jetën kulturore dhe artistike të Kosovës, qoftë me shkrime për artin dhe trashëgiminë, apo për jetën kulturore në përgjithësi. Ka përmendur se ekspozitat e Mulliqit janë hapur nga Evropa deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ikja në amshim e krijuesit nuk e ndal rrugëtimin e veprës së tij. Ajo vazhdon të bëjë jetën e saj, në rastin e Luan Mulliqit, edhe përmes monumenteve dhe përmendoreve nëpër sheshe dhe parqe, duke sjellë në vëmendje jo vetëm respektin për figurat e ndritura, por edhe respektin për autorin e tyre”, ka thënë Kraja.
Nënkryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka paraqitur disa prej arritjeve më të rëndësishme të Mullliqit bashkë me biografinë e skulptorit. Ajo ka thënë se Kosova ka humbur një pedagog të shumë brezave, intelektual, artist bashkëkohor, krijues e skulptor të madh të artit shqiptar dhe më gjerë. Ka paraqitur një pjesë të biografisë së Mulliqit.
I lindur në Gjakovë më 1953, Mulliqi studimet për skulpturë i përfundoi në atë që ishte Akademi e Arteve Figurative e Universitetit të Prishtinës, tash Fakulteti i Arteve. Më pas, më 1979 do të përfundonte studimet pasuniversitare në Fakultetin e Arteve në Beograd. Shpejt do të dilte në pah me stilin e tij në skulpturë monumentale dhe me skulpturat që përgatiste për ekspozita.
Që nga viti 1977, qe anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës si dhe anëtar i Shoqatës së Artistëve të Chicagos. Prej vitit 1992, ishte bërë anëtar i “United American Artist” në New York si dhe anëtar i rregullt i “International Sculpture Center” në Washington. Do të merrte vëmendje të madhe me stilin e tij e njëkohësisht, do të gjurmonte në kulturën shqiptare. Pos kësaj, synonte që të ishte në rrjedhat e artit botëror, duke qenë i pranishëm në simpoziume të skulpturës. Sipas biografisë së tij në ASHAK, ai ka përgatitur dhe botuar dy monografi për artin pamor në Kosovë. Ka realizuar disa skulptura monumentale si shtatoret e Ismail Qemalit e Fehmi Aganit në Prishtinë, bustet e Madeleine Albright e Bob Dole po në Prishtinë, atë të Ali Podrimjes në Gjakovë e të Nënë Terezës në Shqipëri. Për shumë vjet punoi ligjërues në Universitetin e Tetovës dhe në Universitetin e Prishtinës. Për afro dhjetë vjet, ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, ndërsa prej vitit 2012, qe pranuar anëtar korrespondent në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Veprat e tij gjenden në disa galeri e muze, ndërsa skulptura “Hyjnesha” është pjesë e koleksionit të përhershëm të Muzeut Kombëtar të Francës. Veprat e tij gjenden gjithashtu te koleksionistë privatë dhe personalitete të njohura, siç janë Papa Gjon Pali II, presidenti Bill Clinton, mbreti Hirohito, mbretëresha Elizabeth II, princesha Diana, sekretarja amerikane, Madeleine Albright, presidenti George W. Bush, Papa Benedikti dhe te disa personalitete të tjera. Kurse sa u përket ekspozitave personale, pos Kosovës e vendeve të rajonit, ai ka ekspozuar edhe në “Renata Gallery”, Chicago, “Artecounter Gallery”, Dallas, “Gallery Art 54”, Neë York, “Coco Gallery”, Vjenë, “Triada Gallery” Timișoara, Rumani. E disa vende të tjera. Më 2015, skulptura e tij “Hyjnesha” do të ekspozohej krahas hyjnive të Ballkanit në Muzeun Arkeologjik Kombëtar në Paris.
Pasi ka paraqitur biografinë e Mulliqit, Shiroka-Pula ka thënë se krijimtaria artistike, përkushtimi dhe angazhimet e suksesshme të profesorit Mulliqi i kanë lënë Kosovës një trashëgimi shumë të vlefshme.
“Ai na la gjithashtu trashëgimi Muzeun e parkut nacional të skulpturës, që është në pronësi të familjes, e që është kopsht i veprave sipas vizionit të krijuesit, një testament prej 180 skulpturash autoktone shqiptare të shkrira në bronz, të dedikuara Kosovës dhe historisë”, ka thënë ajo. Sipas akademikes Shiroka-Pula, me këtë krijimtari Mulliqi prezantoi artin bashkëkohor në kohën moderne, duke lenë gjurmë të forta, dhe kështu gdhendi emrin e tij përjetësisht.
“Ai jo vetëm që ishte profesor, artist dhe krijues i madh, por mbi të gjitha ai Ishte njeri i afërt e komunikues dhe shok i mirë me kolegët në stilin e një maestros. Të qenët intelektual i formatit të veçantë me një energji krijuese, e bën Luan Mulliqin një emër të veçantë e të paharruar të kulturës e artit publik ndër shqiptarët. Zonja dhe zotërinj, kjo trashëgimi e pasur krijuese që akademik Mulliqi i ka lënë kulturës shqiptare në përgjithësi, është një kujtim i përjetshëm dhe ngushëllim i madh për familjen dhe të gjithë neve që sot nderojmë figurën e tij prej intelektuali e krijuesi”, ka thënë Shiroka-Pula.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se Luan Mulliqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike të Kosovës për çka të gjithë t’i jenë përherë mirënjohës. Ka thënë se kontributi i tij si drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, autor i monografive për artin pamor, ligjërues universitar e anëtar i Akademisë do të mbetet i vlerësuar dhe i pazëvendësueshëm në artin e Kosovës dhe frymëzim në vazhdimësi për verzat e artistëve.
“Karriera e bujshme e Luan Mulliqit ngërthen shumë simpoziume të skulpturës me karakter ndërkombëtar, shkrime dhe studime mbi skulpturën, artin pamor dhe zhvillimin kulturor në Kosovë, ekspozita personale e kolektive në shumë vende të botës”, ka thënë ministri Çeku.
Sipas tij, Mulliqi do të vazhdojë të jetojë përmes veprave monumentale që la pas dhe është obligim i secilit që të vazhdojmë të punojmë për të mbrojtur dokumentuar dhe promovuar veprat dhe krijimtarinë e tij.
Të pranishmit në homazhet e mbajtura pak orë para varrimit në Gjakovë, kanë lënë mendimet e tyre edhe në librin e zisë.
“Shumë mend dhe mund është dashur për punët e mëdha që bëri dhe veprën madhështore që na e la ne. Akademik e profesor, intelektual e artist, qytetar e patriot, Luan Mulliqi jeton me ne përmes skulpturave që shënojnë sheshe e rrugë në vendin tonë e në aq shumë vende të tjera anekënd botës”, ka shkruar aty kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Mulliqi pos artit shqiptar, ka pasuruar edhe atë botëror. Nëpërmjet veprave të tij, ka promovuar edhe trashëgiminë kulturore të këtyre anëve. E këtë e ka bërë nëpërmjet shprehjeve moderne në art. Si artist prijës i stileve e koncepteve të reja të skulpturës, atyre bashkëkohore.