“Je e bukur”, “Tuj shëtit”, “Rroka mandolinën”, “Te dugaja e re”, “Nëpër telat e telefonit” e shumë të tjera, janë këngët ikonike që u vulosën me zërin e tij e që bëjnë pjesë në thesarin e muzikës shqipe. Luan Hajra ishte këngëtari unik e njeriu modest. Pasditen e së dielës në Prishtinë iu dha lamtumira e fundit, krejt qetas e pa shumë njerëz, në kontrast me jehonën e këngës së tij e me skenat ku këndonte
Vokali i tij do të bënte që t’i jepeshin epitete të ndryshme, deri tek ai i ikonës së muzikës qytetare e popullore. E sharmi i përcjellë me batuta e bënte koleg e mik të dashur.
Për më shumë se gjysmë shekulli, Luan Hajra iu dha zë teksteve të muzikës shqipe. Ai vdiq dhe u varros të dielën në Prishtinë. Ishte 73 vjeç. Vdekja e Hajrës është përshkruar si një humbje e madhe për muzikën e mirëfilltë shqipe e për artin në përgjithësi. Kolegët e bashkëpunëtorët e kanë portretizuar si njeri shembull që gjithmonë ishte në humor të mirë dhe ndikonte pozitivisht gjatë punës.
Më shumë se gjysmë shekulli karrierë
Pasditen e së dielës, në varrezat e qytetit të Prishtinës ishin mbledhur një numër familjarësh e miqsh të këngëtarit për t’ia dhënë lamtumirën e fundit. Nëpërmjet një ceremonie krejt modeste, të pranishmit kanë varrosur një prej këngëtarëve më të njohur të Kosovës. Aty kanë munguar shumë kolegë të tij dhe nuk ka qenë i pranishëm asnjë përfaqësues i institucioneve shtetërore. Nuk ka ngjarë me ndonjë varrim të personaliteteve, siç ishte Luan Hajra. Me ceremoni fetare e dy-tri tufa lulesh ka përfunduar gjithçka. Hajra nuk është respektuar shumë as nga distanca. Asnjë udhëheqës i institucioneve shtetërore nuk ka publikuar ndonjë telegram ngushëllimi gjatë ditës së diel. Madje as ministri Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ditëve të fundit ka qëndruar në Austri për një vizitë zyrtare.
Por trashëgimia e Hajrës është ajo e një prej njerëzve që bënë jehonë në artin shqiptar në kohën kur nuk kishte shumë këngëtarë e as kushte të volitshme për t’u zhvilluar talentet.
I lindur në Mitrovicë më 31 korrik 1949, Luan Hajra qysh si fëmijë kishte dhënë sinjale se ia thotë këngës. Do t’u bënte përshtypje të afërmeve të tij. Këtë e kishte rrëfyer edhe në emisionin “Pro X” të KTV-së në majin e vitit të kaluar. Në atë që ishte edhe një nga intervistat e fundit televizive, Hajra kishte treguar disa pjesë të biografisë së tij. Talenti i tij do të zbulohej herët për të marrë ftesë nëpër ahengje të ndryshme, përfshirë edhe dasmat. Orkestra “Yjet e zjarrta” qe formacioni i parë ku u rreshtua si këngëtar. Aty autodidakti do të jepte sinjale të forta sa i përket vokalit. E më pas orkestra “Qëndresa”, që udhëhiqej nga kompozitori e dirigjenti Fahri Beqiri, do t’ia hapte dyert edhe më shumë Hajrës. Për shkak të emrit, kjo orkestër nuk shihej me sy të mirë nga pushteti, për pasojë edhe iu ndalua aktiviteti. Por këngëtarit të ri nuk iu ndal rruga. Hajra do të triumfonte në një audicion të Radio Prishtinës së atëhershme. E prej aty do të bëhej një prej zërave më të njohur të muzikës zbavitëse e asaj popullore.
Lista e këngëve të interpretuara prej tij është e gjatë. Midis tyre janë edhe “Je e bukur”, “Tuj shëtit”, “Rroka mandolinën”, “Te dugaja e re”, “Nëpër telat e telefonit” e të tjera. Për këngën “Rroka mandolinën” kishte folur gjatë edhe në emisionin “Pro X”. Për këtë këngë fliste me mburrje dhe modestia i zbehej pak.
Rrëfente se si kënga është kënduar në shqip nëpër ish-Jugosllavi dhe kjo e kishte bërë të ndihej shumë krenar. Bile, edhe nëpër kazerma ushtarake ishte interpretuar kjo këngë.
“’Rroka mandolinën’ është kënduar në tërë Jugosllavinë në shqip dhe kjo ka pasur shumë rëndësi”, kishte thënë ai i ulur në studio me një shall rreth qafës. Me natyrën e njeriut modest, kishte rrëfyer goxha. Modest e këngëtar i zoti, përshkruhet edhe nga kolegët e bashkëpunëtorët.
Vokali unik
Këngëtarja Shpresa Gashi ka kujtuar se për herë të parë në “Akordet e Kosovës” do të prezantohej me Luan Hajrën. Do të këndonin këngën “Vashë përrallore”.

ka qenë këngëtar shumë i mirë. Nuk ka pasur këngë që nuk e ka ditur. Ka pasur një zë unik, tepër të veçantë”, ka thënë Gashi të dielën për KOHËN. Ka kujtuar se ajo ishte studente në Zagreb kur e kishte dëgjuar Hajrën duke kënduar në “Akordet e Kosovës”. I kishte bërë shumë përshtypje.
“Aty e pashë që ka një zë shumë melodioz e shumë të bukur. Kishte vokal të pastër dhe një përkushtim të madh ndaj teksteve”, ka thënë Gashi. E ka përshkruar Hajrën si shumë spirituoz dhe njeri me humor të specifikuar.
“Jemi kënaqur në shoqëri me të. Nexhmije Pagarusha e ka pasur shumë të dashur si koleg dhe ka qenë shumë i dashur me ne të dyjave”, ka thënë ajo. Sipas Gashit, Hajra ishte shumë korrekt me të gjithë kolegët. Ka kujtuar edhe disa prej batutave gjatë udhëtimeve me të.
“Ishim në një tavolinë të gjatë njëherë dhe ishte në krye të vendit. Unë i thashë se po e ndiej veten të rrezikuar pasi një luan është karshi meje...”, ka treguar ajo duke u qeshur me batutat e kohës kur merrnin pjesë nëpër organizime kulturore. Sipas saj, me vdekjen e Hajrës është zbehur muzika shqipe.
“Muzika e arti në përgjithësi kanë humbur shumë me vdekjen e tij”, ka thënë Gashi.
Udhëheqësi artistik i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, Ylber Asllanaj, ka thënë se për të Luan Hajra ishte njëri nga vokalet me të cilin identifikohej Radiotelevizioni i Prishtinës e në veçanti programet e muzikës popullore dhe asaj zbavitëse.
“Më vonë kam pasur fatin ta takoj dhe të bashkëpunoj me të në disa momente me ansamblin akademik ‘Ramiz Sadiku’, me orkestrën popullore të RTP-së, si dhe me ‘Koronën’”, ka kujtuar ai. Hajra për herë të fundit kishte kënduar në edicionin festiv të Vitit të Ri në emisionin “Oxygen”, ku Asllanaj është përgjegjës për pjesën artistike.
“Mbetet njëri ndër këngëtarët më të shquar të muzikës popullore në Kosovë dhe çiltërsia dhe zëri i tij do të jenë përgjithmonë në memorien tonë muzikore”, ka thënë Asllanaj. Si bashkëpunëtor e ka përshkruar tejet të zellshëm e gjithmonë të gatshëm për të bërë hapa para.
“Gjithmonë në humor të mirë dhe gjithmonë i papritueshëm”, ka thënë Asllanaj.
Planet e fundit
Si njeri me humor të mirë e njihnin të gjithë. Kohëve të fundit jetonte i vetëm në Prishtinë. Kur i shpaloste kujtimet, shihej që zëri i tij vlerësohej edhe përtej Kosovës e ish-Jugosllavisë.
“Me ftesën e Orkestrës së Radio Beogradit e mora një ftesë që të shkoj ta vizitoj Amerikën. Kam pasur edhe koncert atje dhe kam lënë shumë përshtypje në Detroit. Kanë qenë Ditët e Jugosllavisë”, kishte kujtuar Hajra në “Pro X”. Derisa kishte rrëfyer për karrierën, kishte treguar se në kohën e monizmit në Shkodër publiku e kishte “detyruar” që të kthehej shtatë herë në skenë. Sallës plot i ishin thyer edhe xhamat pasi ata që kishin mbetur jashtë tentonin të hynin brenda.
Hajra gjatë karrierës do të këndonte vetëm këngë zbavitëse romantike. I qëndronte larg politikës. Për këtë kishte arsye të forta.
“Babai im ka qenë i Ballit Kombëtar. Ia kanë pushkatuar babanë dhe vëllanë. Vetë ishte nëpër burgje. Unë u ruaja nga aspekti politik dhe këndoja që thonë akolla ushkuri që të mos hyj në politikë”, do të rrëfente Hajra. Prej marsit të viti 2020 e deri në maj të vitit 2021 i kishte shkruar katër këngë. Ato edhe i kishte incizuar. Me gjithë gjendjen jo të lehtë shëndetësore, ai nuk ndalej asnjëherë.
“Shëndeti nuk më lejon të qëndroj në skenë. Mund të qëndroj 20 minuta e më shumë jo. Megjithatë, kujt i këndoj unë? Rinia është ndërruar dhe a kanë mbetur dashamirët e këngës së vjetër apo jo?”, thoshte ai duke qeshur. Kishte ndërmend që një këngë ta incizonte së bashku me vajzat e tij.
“Ja unë po vdes, për mua s’ka shpresë. Gjithë dashurinë time mos e le në harresë”, këndonte në studio të KTV-së. “Këtë këngë do ta bëj bashkë me vajzat, nipat dhe dhëndurët e mi. Do t’ia lë kujtim prej meje kombit shqiptar”, kishte thënë Luan Hajra. Kombit shqiptar i ka lënë shumë kujtime. E trashëgimia e tij muzikore, kurdo që do të trajtohet muzika profesioniste e këtyre anëve, do të zërë vend goxha lart. Pasi lart vlerësohet edhe vokali i Hajrës, megjithëse nuk kishte ndjekur mësime për muzikë.