S’u desh shumë kohë pasi u përfundua që “Love is love is love” të vandalizohej. Të mërkurën pasdite, murali në faqen e murit të Fakultetit Filozofik, u inaugurua pa shenjat e një qasjeje të tillë. I realizuar nga Ermira Murati e njohur me emrin artistik Orange Girl, pak ditë pasi u përfundua në kuadër të “Manifesta 14”, u gjuajt me bojë të zezë. Në inaugurim, është theksuar se pavarësisht vandalizmave apo urrejtjeve dashuria mbetet dashuri.
“Edhe pse pas përfundimit, murali është vandalizuar, duke e dëmtuar me ngjyrë të zezë, prapë se prapë ai akt vandal nuk ka mundur ta zbehë çiltërsinë e dy shpirtrave të bardhë siç është ai i Mustafës dhe Qerkicës. Pra, as vandalizimi e as urrejtja dhe asnjë gjë tjetër në botë nuk mundet t’i zbehë ngjyrat e dashurisë sepse dashuria është dashuri është dashuri është dashuri…”, ka thënë ajo para të pranishmëve të cilët i ka nxitur, që së bashku më të, të brohorasin për disa herë frazën: “Dashuria është dashuri”.
Në një intervistë për KOHËN, Orange Girl ka treguar se si pas dëmtimit të muralit ajo së bashku me përfaqësuesit e “Manifestas 14”, ishin ulur dhe kishin biseduar rreth asaj se çfarë do të bënin tutje me veprën e dëmtuar.
“Fillimisht pas vandalizimit kemi menduar nëse fillimisht duhet t’i publikojmë videot ku njerëzit shihen duke e gjuajtur me ngjyrë, e që pastaj kur të ngjyroset një gjë e tillë të mos përsëritet apo duhet ta lëmë muralin ashtu siç është. Normalisht unë si artiste jam ndjerë shumë keq sepse ky është murali më i madh, që kam bërë dhe mendoja që ato shenja, qoftë të vogla nuk duhej t’i lija që ta prishnin pamjen e muralit”, ka thënë ajo.
Më pas murali u ngjyros edhe një herë duke ia mbuluar shenjat, të cilat kishin mbetur nga gjuajtja me ngjyrë të zezë ndërsa sa i përket videove, siç ka bërë të ditur Orange Girl, janë në dorë të “Manifestas 14” e cila planifikon t’i dërgojë në polici.
“Love is love is love” paraqet një burrë dhe një grua duke u përqafuar. Gruaja është transgjinore e Komunitetit Ashkali, ndërsa burri një shqiptar gej dhe person me aftësi të kufizuara. Të dy këta jetojnë bashkë në një shtëpi diku në periferi të Prishtinës dhe së bashku, shtëpinë e tyre e kanë kthyer në një strehë të sigurt e të dashur për komunitetin LGBTQI+.
Fytyrat dhe trupat e dy protagonistëve janë të pikturuar me ngjyrë të zezë, ndërsa e tërë hapësira anash tyre është e mbuluar me ngjyrë portokalli e cila është edhe karakteristikë e grafiteve të artistes Orange Girl.
Ideja për ta bërë një mural kushtuar këtyre dy personazheve, i kishte ardhur në mendje së pari Dardan Hotit, i cili pastaj e kishte ftuar artisten Orange Girl.
“Unë kam qenë e ftuar nga Dardan Hoti. Pas një bisede ai më ka treguar se i ka këto dy karaktere, që po dëshironte t’i paraqiste në një mural dhe ma ka treguar edhe vendin, ku do të bëhej murali. Më pas kemi shkuar në shtëpinë e Mustafës dhe Qerkicës dhe jemi takuar me të dy dhe ku i kemi bërë disa fotografi prej të cilave edhe është bërë murali”, ka shpjeguar ajo.
Dardan Hoti, njëherësh pjesë e stafit vendor të “Manifestas” ka folur për lindjen e idesë.
“Qerkicën dhe Mustafën i kam njohur vite më parë, teksa isha duke kërkuar për personazhe për një dokumentar mbi jetën LGBT-së në Kosovë. Kur i takova, u habita aq shumë nga ndershmëria, thellësia dhe kompleksiteti i tyre si individë dhe më pas si familje, sa i premtova vetes: ‘Do të bëj diçka më shumë për ta, duhet t’u jap një skenë të tyren’. Dhe unë bëra! Dhe ja ku jemi”, ka thënë ai.
Tutje ai ka kujtuar se Mustafa dhe Qerkica janë pak a shumë paraardhësit e komunitetit të LGBT+ dhe se ata kishin qenë këtu edhe para se të lindnin shumë nga pjesëtarët e sotëm të komunitetit.
“Qerkica dhe Mustafa janë njerëz, që vërtetojnë – me ekzistencën e tyre, me trupin e tyre, me marrëdhënien e tyre, me dashurinë e tyre – se shumë nga paragjykimet e shoqërisë sonë janë të gabuara. Narrativa e parë është se njerëzit LGBT janë të rinj, një ‘modë’ e importuar nga Perëndimi. Mustafa dhe Qerkica kanë qenë queer shumë kohë përpara se të lindnin, ata që tani e riprodhojnë këtë rrëfim. Duke qenë se aktualisht po shohim një rritje të komunitetit LGBT+ në Kosovë, është e rëndësishme t’i kujtojmë dhe t’i festojmë ata, që erdhën para nesh dhe që e mbështetën, mbrojtën dhe e donin komunitetin para se të ishte e mendueshme që ta bënin këtë”, ka thënë Hoti, drejtor ekzekutiv i institutit SEKHMET.
Përveç kësaj, Hoti ka bërë të ditur se murali do të plotësohet edhe më tutje. Në hapësirën e portokalltë të tij, do të vendosën fjali të njerëzve të ndryshëm, të cilët do ta tregojnë se çfarë nënkupton dashuria për ta. Krejt do të ndodhë në fund të “Manifesta 14”.
