Kulturë

“Lost for words” e artistit nga Kosova me pyetjet për hapësirë publike në bregdetin belg

Vepra e Selmanit do të jetë pjesë e mozaikut me vepra moderne në peizazhin e bregdetit për ta bërë atë edhe më unik. Vepra e tij pa dyshim se është poetike edhe kësaj here. Të paktën nisur prej titullit “Lost for words”. E porositur posaçërisht për trienalen “Beaufort” që hapet në mars dhe vazhdon deri në nëntor, skulptura që tashmë është duke u punuar është bazuar në veprën me të njëjtin titull të vitit 2021

Reflektimi i Driton Selmanit mbi çështjet që e preokupojnë shoqërinë do të shpaloset edhe në Belgjikë. Skulptura e tij do të zërë vend pranë valëve të bregdetit belg. Aty poetika e tij fuqizohet e mesazhet avancojnë kuptimin. “Lost for words” bëhet edhe metaforë për rivlerësimin e hapësirës publike në trienalen për art bashkëkohor “Beaufort” në qytetin me dalje në Detin e Veriut.

Vepra e Selmanit do të jetë pjesë e mozaikut me vepra moderne në peizazhin e bregdetit për ta bërë atë edhe më unik. Vepra e tij pa dyshim se është poetike edhe kësaj here. Të paktën nisur prej titullit “Lost for words”. E porositur posaçërisht për trienalen që hapet në mars dhe vazhdon deri në nëntor, skulptura që tashmë është duke u punuar është bazuar në veprën me të njëjtin titull të vitit 2021.

Është një prej veprave që e identifikojnë artistin. Në qesen e plastikës me densitet të lartë ka hedhur ngjyrat duke i dhënë formë një qeseje të re me ngjyrë të kuqe.

Artisti nga Kosova që shpesh me art çon rrëfimin për Kosovën në skenën artistike ndërkombëtare, kësaj here do të zbarkojë edhe në atë që konsiderohet si ekspozita më e madhe në qiell të hapur. Vepra e tij do të zërë vend në qytetin bregdetar të Belgjikës, në Blankenberge.

Sipas artisti Selmani, vepra me të cilën prezantohet në trienale “buron nga një përzierje e thellë e instrospeksionit personal dhe aspiratave utopike”. Ai ka thënë se është një ekuilibër delikat ku vepra mishërohet ndërmjet monumentales dhe natyrales.

“Vepra shpalos një introspeksion të thellë dhe aspiratave të pakufishme mes momenteve, duke pyetur se: Çfarë është në mendjen e njerëzve? Cilat legjenda dhe histori mbështjellin vende të veçanta? Dhe kush, nga e kaluara apo e tashmja, qofshin apo jo njerëzit, flora apo fauna, lënë ende gjurmët e tyre të pashlyeshme?”, ka thënë artisti Driton Selmani.

Tashmë veçse është caktuar edhe hapësira se ku do të zërë vend vepra e tij, e cila, po ashtu, është domethënëse. Ai ka thënë se vepra qëndron në një peizazh që ka urgjencë riparimin dhe shpalos shtresat e rrëmujës së sotme.

“Ajo shtrihet ne një hapësirë ku personalja dhe idealja bashkohen, duke lënë mbresa të pashlyeshme si në peizazhin e qytetit, të Blankenberge, duke përdorur fuqinë e erës së detit si fuqi natyrore. Vepra shndërrohet në një metaforë gërshetimi për të rivlerësuar hapësirën tonë publike të menjëhershme, të përbashkët dhe për ta lidhur atë me shumë botë të mundshme, parashikime dhe dëshira...”, ka bërë të ditur autori i veprës nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

“Pëlhura e jetës” është tema e sivjetme e ngjarjes. Artisti Selmani ka thënë se ngjarja është e veçantë për të për nxitjen e tematikës së veprës së tij.

“’Beaufort24’ ka rëndësi të veçantë për mua, sepse po prodhohet një vepër art, e cila në thelb nënvizon se si konteksti lokal dhe reflektimet më të gjera për shoqërinë tonë bashkëkohore mund të bëhen vegla për të prekur delikatesën e vet botës sonë. Vepra ‘Lost For Words’ është një totem për këndvështrime të ndryshme dhe shprehje të njohura në retorikën tonë të përditshme, dhe për të zbërthyer rrjetën e ndërlikuar të marrëdhënieve tona me veten, por edhe me vetë pëlhurat që e rrethojnë jetën tonë”, ka thënë artisti Selmani.

Image
Hapësira ku do të zërë vend vepra e Driton Selmanit

Ngjarja e veçantë artistike që realizohet në qiell të hapur përgjatë bregdetit belg do të zbulojë veprat sivjet, ku prej tyre, ato që janë të krijuara të tilla që t’u “mbijetojnë” kushteve atmosferike dhe jo vetëm, i bashkohen asaj që në trienale e quajnë “Parku i skulpturave”. Sipas praktikës së edicioneve të kaluara veprat ose mbesin në vendet e tyre origjinale, ose u caktohet një hapësirë e re. Aty deri më tani janë 42 vepra arti, sipas të dhënave nga trienalja “Beaufort”.

Në rubrikat e ueb-faqes së ngjarjes, që e prezantojnë secilin artist, për Selmanin shkruhet se “ai e gjen veten të shqyer midis epokave politike që shkëputen nga e kaluara, megjithatë, njëkohësisht lufton për të parashikuar të ardhmen. Ai përpiqet të kanalizojë tensionin e vazhdueshëm të vendit të tij”. Duke e ilustruar praktikën e tij të bazuar në zhvillimet politike e shoqërore, përfshihet edhe prezantim i shkurtër për Kosovën.

Në këtë edicion Driton Selmani do të ekspozojë krahas artistëve botërorë. Pjesëmarrës janë Filip Varvaet, Mawlle Dufour, Jef Meyer, Lucie Lanzini e Marius Ritiu nga Belgjika, artisti flamand nga Parisi Johan Creten, argjentinasi Jorge Macchi, spanjolli Selva Aparicio, gjermanja Alexandra Bircken, Lucy dhe Jorge Orta nga Britania e Madhe, holandezja Femmy Otten, finlandezja Sara Bjarland, Pei-Hsuan Wang nga Tajvani, francezi Romain Weintzem, polakja Monika Sosnowska, britaniku Ivan Morison dhe britaniku Richard Deacon.

Kuratore e sivjetme është belgia Els Wuyts, e cila aktualisht është e angazhuar në Institutin e Lartë të Arteve të Bukura si koordinatore e përgjithshme. Ajo edhe e kishte ftuar artistin nga Kosova për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Trienales.

Në konceptin e saj për ekspozitën e sivjetme, ajo ngre pyetje se çfarë po ndodh me njësitë administrative përreth vijës bregdetare, si dhe për rrëfimet, historitë e legjendat që ngërthejnë ato vende. Cilat lëvizje artistike kanë lulëzuar dhe vazhdojnë të kenë jehonë në sferën e arteve bashkëkohore dhe kush janë faktorët që lënë gjurmë aty.

“Dhe kush, nga e kaluara apo e tashmja, qoftë njerëzit, flora apo fauna, ende lënë gjurmën e tyre të pashlyeshme?”, është një prej pyetjeve të kuratores Wuyts që sivjet synon të gjejë përgjigje nëpër veprat që do të prezantohen në trienalen “Beaufort” që zhvillohet në rajonin bregdetar të Belgjikës, në pjesën veriore të shtetit.

Ajo këtë edicion e përshkruan si ftesë për të eksploruar këndvështrime të ndryshme dhe për të zbërthyer rrjetën e ndërlikuar të marrëdhënieve midis njerëzve.

“Ngjashëm me një monument të madh apo një vepër arti intime, do të hasni më shumë se një histori, me kujtime të larmishme dhe vlera të pazbuluara që dalin në sipërfaqe. Instalimet e reja do të ndikojnë me vetëdije, kuptim dhe përulësi në pikëpamjet ekzistuese dhe në proceset e mendimit, si dhe në imagjinatën e tyre, ato do të jenë të arritshme, të prekshme”, ka shkruar kuratorja Wuyts në tekstin kuratorial për ekspozitën e sivjetme të Trienales.

Sivjet “Beaufort”, e cila e realizon edicionin e tetë prej 27 mars e deri më 3 nëntor, do të prezantojë 18 vepra të reja arti në brigjet e detit belg. Aty shtrihet arti që nga viti 2003, kur u mbajt edicioni i parë. Prej atëherë aty u shfaqën vepra bashkëkohore çdo tre vjet. Ishte themeluar nga Willy Van der Bussche, që atëkohë ishte drejtor i PMMK-së (Museum for Modern Art of the Province West-Flandres) në Ostend të Belgjikës. Ai ishte kurator i dy edicioneve të para të ngjarjes, më 2003 dhe 2006.