Duke studiuar gjetjet arkeologjike, studiuesi amerikan Robert J. Madden ka nxjerrë përfundimin se në Amerikë qysh në fund të epokës së akullnajave, njerëzit përdornin objekte të destinuara për të prodhuar rezultate të rastësishme duke u bazuar në lojëra të strukturuara qartë. Zaret nga epoka e akullnajave u paraprijnë ndjeshëm zareve më të hershme nga epoka e bronzit në Botën e Vjetër, të cilat deri më tani konsideroheshin si fillimi i lojërave të fatit dhe probabilitetit
Gjuetarë-mbledhësit zhvilluan lojëra të bazuara në rastësi mijëra vjet përpara qytetërimeve të Botës së Vjetër. Një studim i ri i publikuar në revistën “American Antiquity” sjell një zbulim befasues. Aty shkruhet se zaret më të vjetra të njohura në historinë e njerëzimit vijnë nga Amerika e Veriut dhe janë më shumë se 12 mijë vjet të vjetra. Kështu, ato u paraprijnë ndjeshëm zareve më të hershme nga epoka e bronzit në Botën e Vjetër, të cilat deri më tani konsideroheshin si fillimi i lojërave të fatit dhe probabilitetit.
Studimi është realizuar nga Robert J. Madden nga Universiteti Shtetëror i Colorados, i cili përmes analizës së gjetjeve arkeologjike tregoi se gjuetarë-mbledhësit nga Rrafshinat e Mëdha perëndimore, qysh në fund të epokës së akullnajave, përdornin objekte të destinuara për të prodhuar rezultate të rastësishme bazuar në lojëra të strukturuara qartë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoZaret nga epoka e akullnajave
Shembujt më të vjetër vijnë nga e ashtuquajtura periudhë Folsom (rreth 12.800–12.200 vjet më parë), nga vendndodhje në Wyoming, Colorado dhe New Mexico.
Ndryshe nga zaret e sotme, këto objekte nuk ishin kubike, por dyanëshe. Prodhoheshin nga kockat, të formuara me kujdes në pjesë të vogla, të sheshta ose paksa të rrumbullakosura, zakonisht me formë ovale ose drejtkëndore. Çdo anë dallohej qartë përmes ngjyrës, gdhendjeve ose përpunimit të sipërfaqes, ngjashëm me parimin “kokë a pil” te monedhat.
Gjatë hedhjes, zaret jepnin një nga dy rezultatet e mundshme dhe rezultati i lojës varej nga numri i pjesëve që binin në anën e caktuar. Sipas Maddenit, këto objekte nuk janë produkte të rastësishme të përpunimit të kockave, por mjete të dizajnuara me qëllim për të krijuar rastësi.

Rishqyrtimi i historisë së probabilitetit
Historianët e matematikës kanë besuar prej kohësh se lojërat me zare u shfaqën në shoqëritë komplekse të Botës së Vjetër rreth 5 mijë e 500 vjet më parë dhe përfaqësojnë hapin e parë drejt zhvillimit të teorisë së probabilitetit dhe të statistikës. Megjithatë, ky studim i ri tregon se këto praktika kanë rrënjë shumë më të thella.
Edhe pse Madden thekson se gjuetarë-mbledhësit nuk zhvilluan teori formale të probabilitetit, ata përdornin në mënyrë të vetëdijshme rezultate të rastësishme në situata të përsëritshme të bazuara në rregulla. Në këtë mënyrë, ata zbatonin intuitivisht modele që sot i lidhim me probabilitetin, si për shembull ligji i numrave të mëdhenj.
Lojërat si teknologji shoqërore
Studimi gjithashtu tregon se sa të përhapura dhe jetëgjata ishin lojërat e fatit. Zaret janë gjetur në 57 vende arkeologjike në dymbëdhjetë shtete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kontekste që përfshijnë kultura dhe mënyra të ndryshme jetese: nga periudha paleo-indiane deri në periudhën e vonë parahistorike.
Sipas autorit, kjo jetëgjatësi tregon rëndësinë e tyre të thellë shoqërore. Lojërat krijonin hapësira neutrale me rregulla të qarta, ku njerëzit nga grupe të ndryshme mund të takoheshin pa konflikt. Brenda këtyre kornizave shkëmbeheshin mallra dhe informacione, krijoheshin aleanca dhe menaxhohej pasiguria e jetës së përditshme.
Marrë nga “American Antiquity”. Përktheu: KOHA