Kulturë

“Loja” hap portat e universit të maestro Salihamixhiqit

Emërues i përbashkët i veprave të piktorit Salihamixhiq ishte “Loja”, të cilën e artikuloi mbi gjysmëshekulli. Sipas artistit që konsiderohej i veçantë, bota është lojë qeniesh e gjallesash pa identitet, ose me identitete të fshehura apo të rreme, por edhe shpërthim, revoltë. Ishte loja për të ajo që e mbushte me guxim për t’u shprehur lirshëm. Andaj figurat në pikturat e tij janë në një trup që e kundërshtojnë njëri-tjetrin. Pak a shumë si përmbledhje e një universi ndjenjash që shpërthen brenda ambientit të kornizuar. E tillë vjen ekspozita “Loja”, që rikthen magjinë e krijimtarisë së Nusret Salihamixhiqit (1931-2011)

Loja me ngjyra është e para që bie në sy në pikturat e vendosura në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, “Qafa”. Mënyra se si figurat bashkëjetojnë në pikturë është histori tjetër që del përtej lojës. Ata që e kanë përcjellë punën e Nusret Salihamixhiqit, një ekspozitë që lidh veprat e pasura me kolorit e figuracion nuk është befasi. Për pjesën tjetër që e synon kjo ekspozitë, nxjerr në pah veçantitë e autorit që kush s’i rrinte për krah sa i përket stilit.

Në pikturat e tij të përmbledhura në ekspozitën “Loja”, të hapur të enjten mbrëma në Galerinë e Ministrisë së Kulturës “Qafa”, vërehet se artisti refuzonte ta përsëriste edhe veten. Çdo pikturë nxjerr në pah kreativitetin e tij në raport me momentin krijues. Për më tepër, pikturat e tij dëshmojnë se Salihamixhiqi është prej atyre piktorëve që nuk besonte në rregulla. Ato, Salihamixhiqi që konsiderohej pionier i artit modern në Kosovë, i sfidonte me çdo vijë më shumë në punimet e tij. Në pjesën më të madhe të pikturave është i vendosur viti 1970 – që dëshmon vrullin e krijimtarisë së tij. Sistemimi që u ka bërë piktori Jakup Ferri veprave të Salihamixhiqit krijon një lojë tjetër nga ajo që vetë maestroja e ka vendosur brenda pikturës. Me dedikim, Ferri atë lojë e ka nxjerrë jashtë. Sistemimi i pikturave në mur krijon një dinamizëm të vetë veprave. Në mes të dy pikturave të vendosura afër njëra-tjetrës, Ferri ka vendosur një vepër në mes.

Rreth 50 punime të piktorit të njohur kanë përmbledhur ekspozitën me titull “Loja”, të kuruar nga artisti Ferri, i cili këtë vit e ka përfaqësuar Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie me “Monumentalitetin e përditshmërisë”.

Ekspozita përmbledh punimet e piktorit që nga vitet ‘60 deri në vitet e fundit të jetës së tij, këtu e 12 vjet më parë.

Image
Me dinamizmin e tyre, veprat i hapin shteg publikut për t’i kuptuar në mënyra të ndryshme

Në dialog qeniesh pa identitet

Familja e Salihamixhiqit ka hapur dyert për të kthyer te publiku pas më shumë se një dekade disa nga punimet që e kanë bërë Salihamixhiqin të vlerësohet si gjurmues i kronikave intimiste të ndërdijes dhe të simbolikës. Sipas të birit, Fatos Salihamixhiqi ekspozita është një përzgjedhje e kombinuar që nxjerr në pah krijimit e piktorit me teknika të ndryshme me temper, vaj dhe me tush. Me dinamizmin e tyre, ato i hapin shteg publikut për t’i kuptuar në mënyra të ndryshme.

“Dinamika e organizmit ka qenë falë mundit të Dhurata Ramosajt dhe Jakup Ferrit. Ciklet dominojnë ato të vjetrat dhe piktura që nuk janë parë shumë deri më tash. Secila pikturë ka një ‘lojë brenda’, të cilën secili duhet ta kuptojë në mënyrën e vet. Po besoj që kjo ekspozitë do të jetë interesante, sepse artdashësit do të jenë shumë të lumtur që do të mund t’i shohin për së afërmi pikturat e Nusretit”, ka thënë i biri i piktorit. Në çdo pikturë të vendosur në ekspozitën “Loja” dëshmohet origjinaliteti i Salihamixhiqit, që sipas kritikut tashmë të ndjerë, Mustafa Ferizi, identifikohej si artisti i veçantë që përmbledh një botë të mëvetësishme artistike shprehëse me tematika të larmishme. Për më tepër Ferizi – në tekstin e tij të vjetëve më parë, të rikthyer në posterin e “Lojës” – e vlerësonte si krijues intuitiv e intelektual, i cili nuk identifikohej me asnjë rrymë apo drejtim artistik të caktuar. Brenda pikturave të ekspozuara në Galerinë e Ministrisë së Kulturës “Qafa”, Salihamixhiqi i ka kursyer “figurat” e tij nga vetmia. Duke i shmangur nga qëndrimi i drejtë ato përçojnë zhurmë përmes pozicionit. Pikturimi i tij në to dëshmon se “loja” që e synonte piktori, bëhej duke e vendosur në fokus individin që synon tejkalimin e vetes. Gjashtë punime artistike janë një “ndalesë” për publikun nga loja me ngjyra. Aty del në pah vizatimi i tij që konsiderohej si elementi më i rëndësishëm në krijimin autonom të tij. Përmes figurave të “zhveshura” nga ngjyrat, piktori i ka mbetur besnik stilit të tij: aty figurat janë përherë në ndërveprim. Në punimet e tij, ato s’mund t’i mbijetojnë qetësisë.

“Kemi të bëjmë me një kolorist të spikatur, i cili me ngjyrat luan si violinisti me tingujt muzikorë, si poeti me fjalët magjike”, kishte shkruar Mustafa Ferizi në katalogun e ekspozitës në të gjallë të Salihamixhiqit.

Emërues i përbashkët i veprave të piktorit Salihamixhiqi ishte “loja”, të cilën e artikuloi mbi gjysmëshekulli. Sipas artistit që konsiderohej i veçantë, bota është lojë qeniesh e gjallesash pa identitet, ose me identitete të fshehura apo të rreme, por edhe shpërthim, revoltë. Ishte loja për të ajo që e mbushte me guxim për t’u shprehur lirshëm. Andaj figurat në pikturat e tij janë në një trup që e kundërshtojnë njëri-tjetrin. Pak a shumë si përmbledhje e një universi ndjenjash që shpërthen brenda ambientit të kornizuar. Vepra e tij dëshmon që ai vepronte me dinamizëm, por duke mos e humbur elementin estetik që përcillet në vepër. Me artin e tij, ai është vlerësuar edhe përtej kufijve ku ka ekspozuar. Ka ekspozuar në Beograd, Sarajevë, Amsterdam, Zagreb, Dubrovnik e Kajro.

Image
Nusret Salihamixhiqi, nëpërmjet veprave të tij, dëshmonte që ai vepronte me dinamizëm, por duke mos e humbur elementin estetik që përcillet në vepër

Ftesë për hulumtim

Akademik Rexhep Ferri, që e ka përcjellë punën e tij brenda dhe jashtë Kosovës, ekspozitën në Galerinë e Ministrisë “Qafa” e ka konsideruar ” si ekspozitën më të mirë të Salihamixhiqit.

“Para disa vjetësh e kam parë një ekspozitë të tij në Beograd dhe po më duket që kjo është ekspozita më e mirë. Kjo ka dalë ekspozitë e mirë për shkak se janë vepra të familjes dhe ka ditur Nusreti që t’i ndajë ato. Është mirë që ekzistojnë këto dhe është mirë që i është hapur ekspozita”, ka thënë Ferri për KOHËN. Sipas tij, Salihamixhiqi ka qenë prej atyre figurave kyç të arteve pamore prej fillimit të krijimtarisë, për arsye se atëherë kishte dalë një gjeneratë shumë sakrifikuese dhe shumë kërkuese. Salihamixhiqin e ka kujtuar si njeri fjalëpak, por me shumë humor. Sipas tij, ekspozita si “Loja” e kthejnë dritën te personalitetet e rralla që kanë dalë nga gjenerata e parë e piktorëve të artit bashkëkohor.

“Mirë është që gjeneratat e reja kanë mundësi ende ta shohin, gjenerata ime dhe ajo pas meje ka pasur personalitet. Nuk dua të them që brezi i ri nuk ka personalitet, por janë të rralla figurat si Nusreti”, ka shtuar tutje akademik Ferri.

Kur vizitori është gati në dalje të ekspozitës, e cila me 50 punime vjen si ftesë për hulumtim ngjyrash, gati në fund të saj në mes të pikturave të tjera janë dy ku në qendër kanë portretet e nipërve të piktorit. “Luljeta + Lisi” titullohen pikturat në të cilat piktori i ka bërë nipërit e tij pjesë të universit të tij plot ngjyra.

Nusret Salihamixhiqi (1931-2011) shkollën fillore e kreu në vendlindje në Zhabar të Mitrovicës, Shkollën e Mesme të Artit në Pejë, ndërsa studimet në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd, drejtimi i pikturës monumentale në vitin 1959. Një kohë punoi si ilustrator në “Rilindje”, më pas në Gjakovë si mësimdhënës i artit në Shkollë të Mesme, ndërsa më 1970 në Shkollën Normale në Prishtinë. Në vitin 1975 nisi të punojë në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Ishte anëtar i Shoqatës së Artistëve Aplikativë të Kosovës. Punimet e Salihamixhiqit ishin ekspozuar në vitin 2011 në ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Aty ishin ekspozuar 120 veprat e tij më të zgjedhura nga viti 1958 deri më 2011.

“Kjo ekspozitë më ka befasuar shumë. Jam shumë i kënaqur”, kishte thënë Salihamixhiqi mes lotësh e duartrokitjeve në hapje të ekspozitës në vitin 2011. Një numër i madh vizitorësh kanë treguar interesim për veprat e tij edhe një dekadë pas. Ai vdiq në tetor të vitit 2011 në moshën 81-vjeçare.

Dhurata Ramosaj, drejtoreshë e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ka thënë se kjo ekspozitë është e rëndësishme për studentët e rinj që të njoftohen për së afërmi me punën e Salihamixhiqit.

“Ne si institucione kulturore e kemi për obligim t’i gjejmë, t’i hulumtojmë dhe t’i rikthejmë në kujtesë figurat si profesori Salihamixhiqi”, ka thënë Ramosaj për KOHËN.

Nusret Salihamixhiqi ishte fitues i disa çmimeve publike dhe profesionale dhe i mirënjohjeve të ndryshme: çmimi i fondit “Mosha Pijade” (1967), i Sallonit IV Pranveror të Kosovës (1977), i Bienales II të Vizatimit në Prishtinë etj. Ekspozita “Loja” do të qëndrojë e hapur deri më 26 korrik në Galerinë e Ministrisë së Kulturës “Qafa”.