Kulturë

“Loja e martesës” përballë ikjes nga realiteti dhe mosnjohjes së vetes

Pas 40 vjet martese burri bindet të ndahet nga gruaja me të cilën ka kaluar kaq shumë kohë. Ai del nga lëvozhga e mendimeve të tij dhe bindet se jeta është “diçka”, andaj duhet jetuar. Në premierën e shfaqjes kamertale, nën regji të Shkëlzen Berishës, “Loja e martesës” – që ka hapur sezonin e ri të Teatrit të Qytetit të Gjilanit – zbërthen tema ekzistenciale me tema të shumëfishta, ku njëra prej tyre është njohja e vetvetes

“Gruja jem është e martume, unë jo”, është veç njëra fjali e shkruar në shtatë fletat e ngjitura në mur. Përveçqë ngacmon vëmendjen për kuptimin e saj, sjell vetvetiu edhe një lloj sinjali për shfaqjen, ende pa nisur. Në të tri anët rrethuar me publik, skena e cila është shndërruar në një hapësirë shtëpie tradicionale krijon familjaritet me publikun. Aktorja Mejreme Berisha është aty pa u ngritur perdja. Ndërkaq sapo që dritat bien mbi të, ajo fillon portretizimin e gruas, e cila e gjen veten në skutat poetike me përditshmërinë e saj.

Mirëpo, pikërisht ai që e shkëput nga libri në të cilin ka shkruar për çdo marrëdhënie seksuale që ka pasur gjatë jetës bashkëshortore është burri i saj. Një “mirëdita!” e ftohtë e nis komunikimin e tyre. Si të ishte diçka krejt e rëndomtë dhe normale, burri i saj sapo bën hapin e parë në dhomë ia jep lajmin se do ta braktisë. Skena e njëjtë përsëritet katër herë dhe në secilën prej tyre humori i publikut mbahet lart.

Burri tanimë është përballur me veten. Pas 40 vjet martese bindet se duhet të ndahet nga gruaja me të cilën ka kaluar kaq shumë kohë. Përderisa deri dje mendonte për kuptimin e jetës dhe besonte se “kurrgjë” është një përgjigje, tash mendja i ka ndërruar. Del nga lëvozhga e mendimeve të tij dhe bindet se jeta është “diçka”, andaj duhet jetuar. Si zgjidhje e shpëtim e sheh ndarjen, të cilën e përsërit për dhjetëra herë me radhë. “Bahem i vetëdijshëm që s’kam qenë kurrë i vetëdijshëm”, thotë ai në njërën prej skenave.

Secilën herë përgjigjet që merr janë prej më të ndryshmeve. Gruaja e tij vëzhguese, sa e qetë as e zhurmshme, i sjell nëpër mend gjithë rrugëtimin që kanë bërë bashkë. Në disa momente i përgjërohet mos ta lërë. Në të tjera çaste i thotë se nuk i intereson vendimi i tij. “Ça prite, me thonë mos më le xhevahir a?”, është njëra prej përballjeve.

Mirëpo pjesa kulmore është pikërisht te qasja psikologjike e shfaqjes. S’është veç gjetja e vetes në raste e spektatorëve të martuar. Por kjo ka themel te mosnjohja e vetes që rezulton edhe me mosnjohjen e tjetrit.

Gjatë grindjes kujtojnë javët e para të njohjes. Stacionohen te shtirja e njëri- tjetrit në fillimet e lidhjes. Asnjëri s’është vetja, secili është martuar me versionin që ka dashur ta besojë se tjetri është. Këtu edhe lind kriza e tyre martesore. Ndërkaq në rrafshin e mesazhit të publikut kjo shkon edhe më thellë. Ka të bëjë me maskimin që secili individ e bën në çdo relacion njerëzor dhe shfaqjen origjinale të vetes veç në vetmi të plotë.

Në premierën e shfaqjes kamertale “Loja e martesës”, nën regji të Shkëlzen Berishës, me aktorët Mejreme Berisha e Naser Zymberi, tema është universale. Kjo ka qenë edhe arsyeja e përzgjedhjes për adaptim të veprës me të njëjtën titull të dramaturgut amerikan Edward Albee. Ndryshimet, siç ka thënë regjisori, janë të pakta. Shtrihen veç në kontekstin shqiptar e në ndërrim vendesh. Ndërkaq vëmendjen më të madhe teksti ia mori kur e pa se po trajton një problematikë.

“Kjo është edhe qasja ime ndaj teatrit, nuk kërkoj tekste që na thonë se kështu duhet të jetë, por ato të cilat trajtojnë probleme. Problemi në këtë rast, paradoksi i lidhjeve martesore, është aktual”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, kjo temë e ngacmon imagjinatën e publikut dhe përshtatja e dy aktorëve me rolet e kontekstin kanë qenë përparësi e madhe.

“Harrojmë ndonjëherë se sa e disiplinuar është gjenerata e vjetër”, ka thënë ai për Naser Zymberin e Mejreme Berishën, teksa ka përmendur bashkëpunimin me ta që e ka pasur në kokë tash e tre vjet.

“Kjo ka ardhur shkaku i mosangazhimit nganjëherë të gjeneratës së vjetër. E kemi diskutuar idenë që me gjete një tekst që mundemi me i dhënë role pak me më shumë peshë”, ka thënë ai.

Kur pyetet se sa është i kënaqur me lojën e dyshes, ka pranuar se është i befasuar për të mirë. Ka përmendur që as mosha e shtyrë s’ka qenë problematikë për jetësimin në mënyrën më të mirë të roleve.

“Kemi dhunë në familje, mirëpo ndoshta pikëpamjet dhe pjesa e ndërlikuar e problemeve që na sjellin personazhet janë të përafërta me jetën tonë reale dhe mbi këtë ka qenë një lloj trajtimi i autorit ku filozofinë e konkretizon shumë më thjesht”, ka thënë ai për elementet e shfaqjes.

Se kur tematika s’është origjinale për kontekstin vendor, ka thënë se nuk e merr mundin për adaptim teksti. Ndërkaq ka veçuar se hiç pa adaptimin e tij, teksti i Albee do të mund të komunikonte me publikun shqiptar.

“Unë gjithmonë them që martesa është institucion i komplikuar, ajo çfarë teksti mundohet të ngacmojë është se si i shohin burrat qasjet gjinore, problemet, fenomenet dhe se si i shohin gratë”, ka thënë ai, duke nënvizuar se “derisa burrat janë më euforikë e më emocionalë, gratë kanë një përtypje mendimesh, s’i bëjnë gjërat menjëherë”.

Shfaqjen që hapi sezonin e ri të Teatrit të Gjilanit, regjisori Berisha e ka vlerësuar edhe për shkak të filozofisë ekzistencialiste dhe përpjekjes për të gjetur lumturinë në jetë.

“Bindja e tij se kjo jetë është kurrgjë hiç, gjithë do të vdesim dhe ballafaqimi me jetën e vërtetë e bëjnë atë të mendojë se a e ka pasur me vend atë që e ka thënë më parë. Vjen një moment konfrontimi në trurin e tij me atë që ne e shohim në skenë”, ka thënë aktori Naser Zymberi.

Përsëritjet e skenave e bëjnë shfaqjen të ketë edhe elemente të teatrit absurd. E në secilën prej tyre Zymberi thotë se ka tentuar ta jetojë shfaqjen. Për të ka qenë një shfaqje jo e lehtë por, sipas tij, mbetet i rëndësishëm fakti që ka tërhequr paralele me jetën reale.

“Roli është një personazh që bindet në një moment, i ndizet diçka në krye për jetën dhe ai prej atij momenti e mendon jetën ndryshe. Kur ballafaqohet me jetën tjetër që ai s’e sheh më, e ka të vështirë. Brenda tij krijohen dy personalitete, që janë kundër me njëri-tjetrin dhe s’mundet me i shti në një vend”, ka thënë aktori.

Dy aktorët kanë thënë se janë të bindur që çiftet mund të gjejnë diçka nga jeta bashkëshortore personale në këtë shfaqje.

“Gjatë një jete të gjatë bashkëshortore ndodhin edhe mërzitje, momente kur duan të ndahen, mos me qenë bashkë, po prapë i lidh diçka”, ka thënë Mejreme Berisha, duke aluduar edhe tek epilogu i shfaqjes.

Ajo ka thënë se janë munduar në mënyrë të natyrshme ta përçojnë këtë tekst jo të lehtë. E ka cilësuar si shfaqje të paharrueshme. Ka pranuar se nga fillimi deri në fund ky rol i ka falur kënaqësi.

“Në fillim kjo nuk i beson burrit të saj që do me e lanë, duke nisur nga fjala ‘ngre e mos këput’. Edhe pse ky ka dëshirë ta lërë, kjo e ka njëfarë besimi se nuk mundet. Në fund ajo rezulton se prapë s’ndahen”, ka përfunduar ajo.

Ndërkaq aktori Kushtrim Qerimi në cilësinë e spektatorit e ka vlerësuar lojën e aktorëve.

“Mua m’u duk që tanë jetën kanë qenë bashkë, aq lehtë ka ardhur te ne, dhe neve na duket, se është punë goxha e madhe”, ka thënë ai.

Për të shfaqja ka qenë edhe një lloj vjelje zanati nga dy aktorë të vjetër, teksa ka thënë se tërë lojën e ka përjetuar si diçka shumë interesante.

“Kam pasur momente kur jam prekur, sepse drama ishte interesante dhe shumë mirë e sjellë te ne”, ka thënë ai. Ndërkaq kur është pyetur për pjesën më të mirë të shfaqjes, ka pasur një përgjigje: “Kjo ideja të provohet me i ikë realitetit do të jetojë diçka tjetër, konkretisht fundi: ‘Kush jemi ne?’, ‘Kush je ti?”

“Ti ke qenë dikushi, je bërë tjetër kush, edhe unë njëjtë në takimin e parë’ qe pjesa më interesante për mua. Pavarësisht a jemi në çift ose me dikë në shoqëri a për kafe, na bën të mendojmë se a jemi veç në katër mure vetja apo jemi gjithmonë ata që paraqitemi”, ka thënë ai.