Kulturë

Lista me 269 përfitues nga buxheti i rimëkëmbjes në kulturë reprizon kritikat

Foto: Koha

Ministria e Kulturës të premten ka bërë të ditur 269 përfituesit e mbështetjes financiare për projekte kulturore-artistike për thirrjen publike që ishte hapur fiks para një muaji. Pavarësisht se nuk është bërë e ditur shuma e ndarë dhe nëse është shpërndarë i tërë buxheti prej 461 mijë eurosh në dispozicion për ta mëkëmbur kulturën e goditur nga pandemia, i bie që mesatarisht të jenë rreth 1700 euro për projektet fituese

Ndonëse me një buxhet që as nuk u avitet kërkesave të komunitetit artistik, Ministria e Kulturës ka zgjidhur “qesen” për t’i mbështetur financiarisht projektet kulturore-artistike nga Fondi i rimëkëmbjes ekonomike. Të premten, institucioni më i lartë kulturor në vend ka shpallur listën e përfituesve nga ky fond për fazën e parë.

“MKRS shpall përfituesit nga thirrja publike për ofrimin e mbështetjes financiare për projektet kulturore-artistike për individë nga Fondi i rimëkëmbjes ekonomike (faza e parë). Grupet vlerësuese nëpër komisione janë duke punuar në vlerësimin e aplikimeve të tjera”, thuhet në njoftimin e afishuar në faqen e MKRS-së, të cilit i është bashkëngjitur një listë 9-faqëshe me emrat e përfituesve dhe projekteve përkatëse.

Nga 650 individë sa kishin aplikuar në thirrjen e hapur në nëntor, 269 prej tyre u është dhënë drita e gjelbër e mbështetjes për fazën e parë në dhjetë fusha të ndryshme. Fiks 4.5 milionë euro ka peshuar kërkesa e tyre.

Sipas listës së publikuar, me 60 projekte të pranuara, “shkrimi” rezulton të jetë kategoria me numrin më të madh të përfituesve. “Promovimi” është fusha tjetër me 57 aplikime, e ndjekur nga ajo e “muzikës” me 40 sosh, “sektori i industrisë kreative” me 23, “arti pamor” me 22, “diversiteti dhe dialogu kulturor” me 16, “filmi” dhe teatri me nga 15, “trashëgimia kulturore” me 14, si dhe “diplomacia kulturore” me 7.

Pavarësisht interesimit të KOHËS, në Ministrinë e Kulturës nuk kanë dhënë sqarime se sa është buxheti total, sikundër as për mospublikimin e shumave të akorduara për përfituesit e projekteve e kriteret e vlerësimeve.

Sipas tyre, i gjithë vlerësimi është bërë nga komisionet vlerësuese të emëruara në përputhje me Rregulloren 03/2015 të MKRS-së.

“Kjo është faza e parë e përzgjedhjes së përfituesve, sepse po presim që javën tjetër të kemi edhe buxhet shtesë për të përkrahur projektet e tjera”, ka thënë shkurt Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS.

Ndërkohë që më herët ishte paralajmëruar se pagesat mund të ekzekutohen vetëm deri më 24 dhjetor – që përkon me ditën kur mbyllet viti fiskal – përfaqësues të skenës së pavarur kulturore kanë përsëritur vërejtjet e mëhershme.

Ata kanë fajësuar MKRS-në për mospërgatitje të një programi që do t’i reflektonte nevojat e skenës së pavarur.

Drejtori i fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, ka thënë se vonesa e politikës në përgatitje dhe zbatim të Fondit emergjent është reflektuar në MKRS.

“Në fazën e parë, skena e pavarur është lënë jashtë skemës dhe fokusi ishte tek artistët individualë, duke e kufizuar përkrahjen në ato të subvencioneve në mes të vitit”, ka thënë Shporta për KOHËN.

Me këtë rast ai ka kërkuar nga Ministria që të veprojë shpejt gjatë fazës së dytë, e ta planifikojë programin duke e analizuar mirë gjendjen në terren, e t’i përfillë rekomandimet e dhëna nga skena e pavarur kulturore.

“Kjo që të mos vijë deri te shuarja apo dobësimi i pariparueshëm i disa prej akterëve të rëndësishëm të skenës që janë goditur rëndë nga pandemia”, ka vlerësuar Shporta.

E për dramaturgun Jeton Neziraj, i cili udhëheq me qendrën kulturore “Multimedia”, ndihmat e akorduara nga shteti “nuk janë infuzion, por vitra”. Ai e ka quajtur paradoksale që në kohë pandemie krijuesit kanë pasur si kusht që të aplikojnë me projekt.

“Atyre u kërkohet shërbim, sepse ky është koncepti i shtetit për krijuesit. Ata nuk shihen si aset që kanë kontribuar”, ka thënë Neziraj. “Dhe tani kur është nevoja për mbështetje, ai shihet thjesht si hamall që për të përfituar diçka duhet të ofrojë shërbim”.

Udhëheqësi i qendrës “Multimedia” ka kritikuar edhe përfshirjen e disa krijuesve në listën e përfituesve që, sipas tij, marrin paga në institucione të tjera.

“Kjo mendoj se do të duhej të ishte vënë si kriter dhe këta krijues nuk është dashur të lejohen të aplikojnë, sidomos jo në rrethanat e një fondi minimal si ky”, ka shtuar Neziraj.

Ditë më parë, artistë të ndryshëm kanë kërkuar nga MKRS-ja të krijojë një sistem më progresiv, që arti e kultura të ndihmohen.

“Hapi i parë për MKRS-në është ta shpërndajë Fondin emergjent tek artistët e pavarur me 2.5 milionë në fazën e dytë dhe të fillojë reformimin e politikave të kulturës, në mënyrë që ta rimëkëmbë skenën”, kishte thënë artisti Dardan Zhegrova.

Vërejtje të ngjashme kishte dhënë edhe sociologia Blerta Ismaili, e cila kishte thënë se Ministria nuk ka kryer asnjë kërkim në terren për t’i identifikuar nevojat e skenës së pavarur të kulturës.

“Kjo mungesë e të dhënave empirike për sektorin e kulturës ekziston edhe para pandemisë dhe ka pamundësuar vazhdimisht veprimin institucional adekuat karshi kontekstit lokal”, kishte thënë Ismaili, teksa kishte shtuar se Grupi i Punëtorëve të Artit, “PART”, kritikonte kushtëzimin e Ministrisë për përkrahjen financiare me prodhime të reja.

Sipas thirrjes që ka qenë e hapur për dy javë, projektet që mund të përfitojnë nga Fondi i rimëkëmbjes mund të jenë në fushat e artizanaleve, vallëzimit, dizajnit, muzikës, teatrit e arteve tradicionale.

“Individët, në përputhje me këtë ftesë publike, mund të aplikojnë me projektet e tyre për promovimin e kulturës në fushat: kinematografi, teatër, muzikë, arte vizuale, industri kreative, diversitet kulturor, diplomaci kulturore, shkrim”, shkruhet në thirrje. Projektet individuale do të përkrahen deri në 5 mijë euro.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Kulturës vazhdimisht janë kritikuar për qasjen e tyre ndaj komunitetit artistik gjatë pandemisë. Prej 13 marsit, kur zyrtarisht koronavirusi është shfaqur në Kosovë, artistët e pavarur nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti pas telasheve që ua ka shkaktuar pandemia. Jo pak premtime ishin bërë për ta, madje ishin përmendur 5 milionë euro në emër të “Fondit emergjent”, e ishin paralajmëruar edhe grupe punuese në emër të shpërndarjes së tyre, ani pse mjetet nuk ishin askund. Tek në shtator, MKRS-ja mori 2.5 milionë euro nga Programi për rimëkëmbje ekonomike, bazuar në Ligjin për rishikimin e buxhetit, prej të cilave as gjysmë milioni s’u lanë për kulturë. Prej atëherë, MKRS-ja nuk foli më për pako emergjente, ani pse edhe mjeteve të tanishme u referohet në këtë formë. Qysh tash llogarit edhe në 2.5 milionë të tjera në fillim të vitit që vjen, kur do ta hapë thirrjen për organizata kulturore.