Shqipëria dorëzoi sot Dosjen e Kandidimit të rajonit të Liqenit të Ohrit si Trashëgimi Natyrore dhe Kulturore në Listën e Trashëgimisë Botërore.
Lajmin për këtë e ka bërë me dije numri një i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi.
Ai ka thënë se pas një pune të gjatë përgatitore, e gjithë dosja voluminoze, me vlerat e pamohueshme natyrore dhe kulturore të liqenit është tashmë në Qendrën e UNESCO-s në Paris, në pritje të miratimit nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.
“Liqeni i Lasgushit, poezive të dashurisë dhe natyrës piktoreske në çdo stinë, me pasuritë e tij natyrore dhe kulturore është tashmë në sprovën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s! Përgatitja e dosjes nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit u realizua nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, ekspertët e fushave respektive, institucioneve lokale dhe pushtetit vendor”, ka thënë Klosi.
“Bashkë me dosjen e nominimit është tashmë dhe suplementi i Planit të Menaxhimit të rajonit të Liqenit të Ohrit, që do të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të zonës, duke siguruar, bashkëpunuar dhe shkëmbyer eksperiencën në kontekst ndërkufitar”, ka shtuar më pas.
Edhe
Liqeni i Ohrit në UNESCO, Shqipëria dorëzon dosjen
Rreth kësaj është deklaruar edhe zëvendësministri Hajrulla Çeku.
“Shqipëria që duam është vend i vlerave të jashtëzakonshme kulturore dhe natyrore. Edhe një nominim për të fuqizuar pozitën konkurruese të shtetit tonë në nivel global”, ka thënë Çeku.
