Kulturë

Linda Rukaj e Arben Bajraktaraj kthejnë kohën në “Etno Fest”

Shtatë ditë të gushtit janë ndarë për festivalin e arteve dhe kulturës tradicionale “Etno Fest”. Që prej datës 13 të këtij muaji, në fshatin Kukaj, ka filluar shpalosja e programit të sivjetmë të festivalit. E mbrëmë atje ishte një performancë e veçantë nga Linda Rukaj e Arben Bajraktaraj

Fshati Kukaj, që shtrihet midis Prishtinës e Gjilanit, edhe sivjet, për të 13-n vit, është nikoqir i festivalit të arteve dhe kulturës tradicionale “EtnoFest”. Si në secilin edicion tjetër, edhe ky i fundit vjen me një temë të caktuar, e cila kësaj here është “Liria”. Me një numër të madh aktivitetesh dhe një hapësirë ku vihen në pah thesaret e trashëgimisë kulturore shqiptare, për 7 ditë radhazi do të zbërthehet kjo temë. Ekspozita të krijuesve të ndryshëm, skulptura, shfaqje teatrale, koncerte muzikore dhe mbrëmja zbavitëse vijnë si pjesë e programit të larmishëm të edicionit të 13-të të ‘Etno Festit”.

Të hënën të pranishmit ishin përballë një performance të veçantë. Arben Bajraktaraj dhe Linda Rukaj ishin veçantia. Interpretimi i tyre erdhi si një mozaik poezish e këngësh. Që nga poezitë e Rumit dhe deri tek ato të Jusuf Gërvallës, dyshja që jeton e vepron në Francë i solli para publikut të “Etno Festit” me shumë ndjeshmëri.

Rukaj ka thënë se kjo nuk ngjason aspak më atë se si e kishte paramenduar këtë mbrëmje dhe për këtë ka thënë se është befasuar për të mirë.

“Jam ndier shumë mirë. Ka qenë prej kohësh një kërkesë e Ilazit që të merrja pjesë në ‘Etno Fest’. Jam shumë e lumtur që po e jetojmë këtë magjinë e ‘Etno Festit’. Nuk e mendoja të ishte kështu aspak, jam shumë e surprizuar dhe realisht jam e prekur dhe e mrekulluar kur e pashë si është ndërtuar dhe se si kujdesen ndaj të gjitha gjërave dhe kjo sjellja në pah e thesareve që kemi ne si komb”, ka thënë Rukaj.

Ndërmjet secilit interpretim të Rukajt, Bajraktaraj recitonte një poezi. Paraqitja e tyre u përmbyll me një poezi të Jusuf Gërvallës, të cilën Rukaj ka thënë se sapo e ka dëgjuar, ka dashur ta kthente në këngë.

“Programi ka qenë shumë i larmishëm me poezi jo vetëm shqiptare, por edhe shumë të vjetra, si poezitë e Kajamit, Rumit, e pastaj kemi edhe Teki Dervishin. Kjo kënga e fundit është e Jusuf Gërvallës, një tekst që më pëlqeu shumë dhe e bëra muzikë. Hapja e shfaqjes ishte me poezi të Arbenit. Programi ka pasur një larmi krijimesh dhe autorësh të huaj dhe shqiptarë, por që baza është me motive shqiptare”, ka thënë Rukaj.

Arben Bajraktaraj me shumë emocion ka folur për mbrëmjen në “Etno Fest”. Ai ka thënë se pa marrë parasysh vendin, një artist çdoherë synon ta japë më të mirën. Atmosferën në festival e ka vlerësuar si magjike.

“Ta them të drejtën është diçka shumë e ndjeshme dhe e veçantë. Jam prekur pak nga e tërë kjo punë që është bërë, nga këto bjeshkët përreth dhe e tërë historia e këtij vendi është diçka magjike. Ne si krijues më e prekshmja është marrëdhënia me publikun dhe publiku sonte ishte i jashtëzakonshëm”, ka thënë Bajraktaraj.

Përveç përjetimit të magjisë së “Etno Festit”, Bajraktari mbrëmjen e së hënës e ka mposhtur edhe një frikë.

“Frika më e madhe në jetë që e kam pasur ishte të këndoja para publikut. Nuk kisha për ta imagjinuar asnjëherë. Linda më bëri që të punoja jashtëzakonisht shumë dhe gjatë. Por babi im vetë ka kënduar dhe në një mënyrë ndërdijesore na e ka bartur këtë gjë dhe vetëm më është dashur ta rizbuloja dhe falë Lindës”, ka thënë Bajraktaraj.

Edicioni i sivjetmë vjen me listë të gjatë aktivitetesh. Aktorja, njëherësh bashkëthemeluesja e festivalit, Sheqerie Buqsaj, ka folur më shumë rreth organizimit. Ka listuar aktivitetet në kuadër të programit të larmishëm, duke theksuar se tema e këtij edicioni është tejet e qëlluar.

“Ne në çdo edicion e kemi nga një temë e sivjet është ‘Liria’. Është një temë shumë e qëlluar, sepse të gjithë kemi nevojë për lirinë. ‘Etno Fest’ përmbledh më vete diku 10 shtylla, që nënkupton arte figurative, ekspozita, piktura, skulptura, shfaqje teatrale, koncerte, punëtori, debate, etnondeja, do të thotë një laramani e pasur dhe shumë e madhe e programeve”, ka thënë Buqaj

Artistët pjesëmarrës në festival thuajse një vit më herët informohen për temën në mënyrë që krijimet e tyre të zënë një vend të veçantë në hapësirën ku festivali mbahet. Buqaj ka thënë se ndonëse tema e lirisë është e gjerë, mënyra se si është shtjelluar në “Etno Fest” kap thelbin e fuqisë së qenies për të ushtruar vullnetin e vet. E nëpërmjet artit është ndër mënyrat më të lehta për të ta arritur atë.

“Të gjitha aktivitetet e ngërthejnë më vete temën e lirisë, duke filluar prej artistëve të artit figurativ, shfaqjet. Gjithmonë artistët që vijnë këtu ne i kontaktojmë më herët, u tregojmë para një viti gati, sapo të mbarojë ky edicion për vitin tjetër u tregojmë që kjo është tema e festivalit dhe ata punojnë në atë temë dhe ne i mbledhim ato shfaqje, ato aktivitete dhe ato krijime artistike, që janë në lidhje me temën. E besoj që në temën e lirisë ka mjaft aktivitete, por ka edhe artistë që punojnë enkas për ‘Etno Fest’ dhe sjellin te ne”, ka thënë Buqaj.

Vizitorët e shumtë të festivalit, mënyra se si po e shijojnë secilin aktivitet të “Etno Festit” po ua jep ndjenjën e lirisë vetë organizatorëve.

“Si vetë tema e festivalit po ndihem e lirë. Artisti gëzohet kur vepra e tij çmohet. Krejt njerëzit që janë duke ardhur këtu, e sheh në fytyrat e tyre dhe në mënyrën se si e përcjellin festivalin që janë të lirë dhe të lumtur edhe vazhdojnë të na përkrahin”, ka përfunduar Buqaj

Mbrëmjen e së hënës në “Etno Fest” e ka hapur grupi folklorik “Gjergj Arianiti” nga Mallakastra. Për grupin nga Mallakastra kjo nuk është hera e parë që po marrin pjesë në “Etno Fest” dhe për anëtarin Guri Rrokaj secila herë vjen me më shumë përgjegjësi. Atmosfera që grupi “Gjergj Arianiti” krijuan në amfiteatrin e festivalit ishte e ngrohtë dhe pritja e publikut po ashtu.

“Unë para se të shkoj në evente i bëj një gjyq të ëmbël me një përgjegjësi të madhe vetes, mendohem se si sistemoj gjërat. Jo se kam emocione, por kam përgjegjësi për titullin që kam arritur të marr. Përgjegjësia është e madhe, sepse populli është ai që të vlerëson, pa marrë parasysh se a performojmë në jug apo në veri e se çfarë këndojmë”, ka thënë Rrokaj.

Festivali i arteve dhe kulturës tradicionale “EtnoFest” do të vazhdojë deri më datën 20 gusht, gjatë të cilave do të ketë aktivitete të shumta artistike e kulturore, përfshirë edhe një performancë të Nik Mazrekajt, e cila vjen si gërshetim i muzikës elektronike dhe asaj tradicionale shqipe.