Prizren, 17 prill - DokuFest bën të ditur se ka emëruar Linda Llulla Gashin si drejtoreshë ekzekutive të Organizatës.
Llulla Gashi është pjesë e DokuFest që nga themelimi i tij, ndërsa kontributi i saj ka qenë qendror në zhvillimin dhe suksesin e organizatës. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit ajo ka qenë drejtuese e projektit "Shkolla dhe filmi dokumentar" të DokuFest, duke ndihmuar në themelimin e klubeve të filmit në shkollat e mesme të Kosovës, që u mundëson nxënësve qasjen në filma dokumentarë të cilët trajtojnë tema aktuale që lidhen me të drejtat e njeriut. Përmes këtij projekti u ngrit edhe shkolla e filmit në Prizren, që shërben si një burim inspirues për filmbërësit dhe aktivistët e rinj përmes trajnimeve dhe pajisjeve që ofrohen. Nën udhëheqjen e saj, programi edukativ i DokuFest u rrit dhe zhvillua në një nga programet më inovative në rajon. Si drejtoreshë ekzekutive, Llulla Gashi do të fokusohet në menaxhimin e projekteve vjetore të organizatës, si dhe në zhvillimin e tyre të mëtejshëm.
Këtë detyrë në shtatë vjetët e fundit e ka kryer Eroll Bilibani, i cili vlerësohet se ka bërë një punë të admirueshme. Bilibani tani ka marrë për sipër rolin e drejtuesit të DokuLab, duke sjellë përvojën dhe aftësitë e tij për të avancuar më tej programin arsimor përmes zhvillimit të moduleve që përdorin filmin si mjet për mësimdhënie duke promovuar zhvillimin shoqëror.
Kjo është pozita e dytë udhëheqëse e mbajtur nga një grua në DokuFest. Ndërsa Linda Lulla Gashi është tani Drejtore e Organizatës Dokufest, Nita Deda mbetet drejtoreshë e Festivalit Dokufest.