Në ditën e 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Liliana Cingu do ta kishte paraqitjen e fundit në Prishtinë. Pavarësisht moshës, po interpretonte përkrah kolegëve të Ansamblit Popullor të Këngëve e Valleve të Shqipërisë e atij homolog në Kosovë, “Shota”. Performanca e saj në Teatrin Kombëtar të Kosovës ishte e dallueshme. Publiku e kishte duartrokitur gjatë. Portreti i saj fisnik e hapat prej valltareje primadonë e kishin bërë të vlerësohej si mbretëreshë e valles shqiptare. Shtojzovalle ishte tjetër epitet për të. E tillë është vlerësuar edhe në ditëvdekje. Vdiq të hënën. Ajo ishte 73 vjeç.
Për vite të tëra nuk kishte ndalur së mahnituri publikun, duke kontribuar në trashëgiminë shpirtërore. Me veshje kombëtare sillte elegancën e gruas shqiptare. Atë edhe e reprezentonte denjësisht. Vlerësohet si një prej figurave më të spikatura që i ka dhënë hov ndër vite Ansamblit në trojet shqiptare e përtej.
Ikona e 200 valleve
E lindur në Tiranë më 31 dhjetor 1950, Liljana Cingu figurën prej valltareje nisi ta formonte më 1963 kur nisi të ndjekë një kurs vallëzimi katërvjeçar pranë AKKVP, nën drejtimin e Gëzim Kacelit. Shkollën e mesme e përfundoi në liceun artistik “Jordan Misja” në degën e koreografisë.
Në vitin 1967, pranohet si valltare profesioniste pranë AKVP, krahas valltareve të tjera. Në fillim interpreton si valltare e thjeshtë në grupin e valleve në vallet “Vallja e maleve”, “Vallja e tërkuzës” e të tjera. Ajo punoi në AKKVP deri në vitin 1997, vit në të cilin u largua në Kanada ku ushtroi profesionin e saj. Në biografinë e saj shkruhet se ishte tejet e përkushtuar në edukimin e brezave përkundër kushteve jo të favorshme.
“Nderi i Kombit” është një prej çmimeve që i është ndarë për veprimtarinë e saj. Njashtu edhe “Çmimi i Republikës”, urdhri “Naim Frashëri”, “Artiste e Merituar” e “Disku i Artë”. Si valltare e dalluar, me medalje është nderuar edhe jashtë vendit. Të hënën kur vdiq është kujtuar si ikonë e valles shqipe, e papërsëritshme në skenë.
Institucioni ku shërbeu për më shumë se tri dekada – Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor – ka konsideruar se emri i ikonës Cingu do të jetojë në publikun kudo që luhet vallja shqipe. Kanë bërë të ditur se janë më shumë se 200 valle të cilat i kishte luajtur valltarja ikonike.
“Për vite me radhë, ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u dhënë jetë më shumë se 200 valleve të kërcyera prej saj. Lili Cingu i përket asaj plejade artistësh, që e ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke treguar një Shqipëri tjetër, me kulturë dhe folklor të pasur. Sallës së provave të Ansamblit do t'i mungojë hapi i saj i lehtë, dhe fjala e saj e ëmbël”, shkruhet në reagimin e tyre. Njësoj është shprehur edhe drejtoresha e këtij institucioni, Abigeila Voshtina.
Cingu do të përshkonte gjithë trevat shqiptare me valle si: “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, “Komitët e Lirisë”, “Oshëtima e maleve”, “Dasma e Rugovës”. Ndër të adhuruarat e saj ishte “Luftëtarët e lirisë” me heronjtë Azem Galica dhe Shote Galica.
E konsideruar edhe si “Perëndeshë e valleve”, Cingu, sipas biografisë së saj ishte gjithashtu zë kritik, për investimin e nevojshëm tek artistët e Ansamblit, me shqetësimin që të përçohej tradita e vendit dhe angazhimin për t'u trashëguar brezave vallet e bukura shqipe.
Të martën në hollin kryesor të objektit të Teatrit do të mbahen homazhe për nder të saj.
“Mbretëreshë e valles shqiptare”
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shkruar se Cingu do të kujtohet si ikonë e valles shqipe. “Artistja Liljana Cingu ‘Nderi i Kombit’ do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si ikona e valles shqipe”, ka shkruar presidenti Begaj në rrjete sociale.
Për vdekjen e saj ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Ikja e Lili Cingut lë zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare. U prehtë në paqe”, ka shkruar kryeministri Rama.
Kryeparlamentarja Lendita Nikolla ka thënë se me vallëzimin e saj, Liliana Cingu, u ka dhënë hijeshi valleve të shumta në skenë.
“Lamtumirë, Lili Cingu, princesha e valleve shqiptare! Vallet e Jugut, Çamërisë, Korçës, Kolonjës, Shqipërisë së Mesme, vallet epike të Veriut, vallet e Dropullit dhe krahinave të tjera të Shqipërisë i bëre më të lehta dhe u dhe plot bukuri e hijeshi me kërcimin tënd”, ka shkruar kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lendita Nikolla.
Komunitetin artistik në Shqipëri e familjen dhe miqtë, nëpërmjet një telegrami i ka ngushëlluar Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota”. Institucioni e ka konsideruar vdekjen e Cingut si humbje të thellë për kulturën e artin shqiptar.
“Ndjenjat e trishtimit mbushën zemrat tona me lajmin e humbjes të ikonës së valles shqiptare, të madhes Liliana Cingu, Lili. Vallëzimi i saj, shpalosi fuqinë që prekte shpirtin dhe frymëzonte brezat. Një ndjenjë humbjeje e thellë për kulturën dhe artin shqiptar. Ne artistët e AKKV ‘Shota’ ndajmë dhimbjen dhe ngushëllojmë familjen, miqtë dhe kolegët e saj në këtë moment të vështirë”, thuhet në telegramin e ansamblit “Shota”.
Frymëzimi i artistëve të rinj
Solisti i parë i këtij ansambli, Besnik Grajçevci, ka thënë se është e dhimbshme humbja e figurave të mëdha të artit e kulturës shqiptare ku një prej tyre ishte edhe Liliana Cingu. Ka thënë se ishte frymëzim për shumë breza.
“Çdo profil e ka një udhërrëfyes, ikonat e veta. Ne si vazhdimësi e punës së artit skenik kemi humbur edhe një artiste të madhe, nderin e kombit, ku mendoj që gjithë komuniteti artistik e kombi e ndien mungesën e saj. Breza e breza janë rritur me artin shumë të veçantë, prezantimin e saj elokuent, me shumë finesë. Një grua shumë e butë, me një performancë shumë artistike, shumë lirike. Me art ka paraqitur gruan shqiptare në artin si lirik, festiv, si erotik e të valleve me karakter tipik shqiptar”, ka thënë valltari i ansamblit “Shota”, Besnik Grajçevci.
Vallja lirike ishte pjesë e pandarë e jetës së saj. “Festë të madhe ka sot Kosova” ishte njëra prej atyre që i dha shpirt me performancën e saj. E kishte interpretuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 17 shkurt 2022 për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në koncertin e përbashkët të dy ansambleve të këngëve dhe valleve.
Besnik Grajçevci është shprehur se kishte nderin që në paraqitjen e fundit në Prishtinë të interpretonte në të njëjtën skenë me të. E ka përmendur emrin e saj si një prej kontribuueseve të traditës shqipe.
“I takon gjeneratës së artistëve të mëdhenj ku ka punuar me artistë si Panajot Kanaçi, Dervish Shaqiri dhe shumë artistë të tjerë të koreografisë shqiptare. Unë si solisti i parë i ansamblit ‘Shota’ kam pasur nderin të punoj me të nga afër. Është nder që kam arritur të kem një bashkëpunim me ikonën e valleve shqipe – Liliana Cingu, Lili. U ngjit në skenë për herë të fundit në Kosovë”, ka thënë Grajçevci për KOHËN.
Këngëtari Ilir Shaqiri ka konsideruar se Cingu me veprën e saj nderonte vendin e popullin duke shfaqur folklorin e pasur shqiptar.
“Ndahet nga jeta artistja e madhe Lili Cingu - imazhi hirplotë i valles shqiptare, shtojzovallja e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ajo i përket plejadës se artistëve që ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke shfaqur folklorin tonë të pasur, kulturën tonë të lashtë, duke nderuar Shqipërinë dhe shqiptarët, kudo”, ka shkruar ai.
Liliana Cingu u angazhua që në moshën 12-vjeçare në Pallatin e Pionerëve, ndërsa në moshën 16-vjeçare ajo u rendit mes profesionistëve në Ansambël. Besim Zekthi e Zoica Haxho, ishin ndër të parët që e inspiruan, e më pas ndanë skenën me të për t’u bërë bashkë artistë me nam.