Në Kosovë erdhi me mision, e me qasjen e saj sikur e zbërtheu në esencë emrin e projektit që menaxhoi: “Kultura për të gjithë”. Por, Lila Skarveli – e cila vdiq në Paris në moshën 56-vjeçare – nuk qe një zyrtare a udhëheqëse e zakonshme projekti. Ajo e adhuronte atë që bënte, i adhuronte ata që e donin kulturën me gjithë zemër, ishte aty kur artistët përpiqeshin përnjëmend. U ndihmonte kur s’ia dilnin dot. Shpejt u bë mike e skenës kulturore të Kosovës, veçmas e Baletit Kombëtar të Kosovës që e konsideronte si familje të veten
“Baleti i Kosovës, familja ime” do të shprehej Lila Skarveli në shkrimin e saj që u publikua në monografinë e baletit “Këmbë” e publikuar me rastin e 45-vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës.
Të martën, kur balerinët e kuptuan se ajo ka vdekur, e nderuan, ashtu siç do ta kishin bërë për çdo anëtar të kësaj familjeje të madhe. Mes lotësh e tingujve të lehtë të muzikës, e duke ngushëlluar njëri-tjetrin, balerinët e BKK-së, në shenjë nderimi ndezën qirinj në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Atyre iu bashkuan edhe miqtë e tjerë që kishin njohur Skarvelin dhe të tillë që e nderuan punën e saj dhe angazhimin për kulturën në Kosovë. Por Skarveli s’u bë vetëm pjesë e familjes së baletit. Ajo për shumë vjet ishte mike e skenës kulturore të Kosovës.
Skarveli vdiq papritmas në Francë ku jetonte prej vitesh. Ishte 56 vjeçe. Për shumë vjet qe menaxhere e projektit “Kultura për të gjithë” (Culture for All) dhe nëpërmjet punës së saj në fokus pati prezantimin e artistëve dhe ideve kreative kulturore në skenën ndërkombëtare në mënyrë që kultura e Kosovës të njihet sa më shumë edhe jashtë kufijve. Ndër vite, pati mundësinë që të bashkëpunonte me artistë e organizata të ndryshme kulture. Skarveli ishte konsulente e lartë, eksperte në Industritë Kreative dhe Politikat Kulturore dhe Menaxhere e projekteve Evropiane.
Balerini Sinan Kajtazi, njashtu si balerinët e tjerë, gjersa mbanin lotët, nuk ngurronin të flisnin me dashuri për Skarvelin.
“Lila Skarveli është pjesë e historisë së Baletit, sepse një pjesë të madhe të sukseseve të Baletit viteve të fundit i atribuohen pikërisht asaj. Ajo si udhëheqëse e misionit ‘Kulturë për të gjithë’, ka qenë një mbështetëse e jashtëzakonshme e të gjitha institucioneve të kulturës dhe të gjithë artistëve në Kosovë, e në veçanti Baletit”, ka thënë Kajtazi. Ka shtuar se në mënyrë shumë natyrale e spontane, ajo është lidhur me Baletin.
“Është bërë pjesë e Baletit dhe lirisht mund të them se mbrëmë kemi humbur një anëtar tjetër të Baletit dhe kjo ka qenë shumë e dhimbshme kur e shtojmë edhe faktin se ka qenë diçka e papritur, pasi që ajo nuk është se ka vuajtur nga ndonjë sëmundje dhe ka qenë lajm shokues”, ka thënë Kajtazi.
Skarveli, ani pse para katër vjetësh ishte zhvendosur në Paris, edhe gjatë kësaj periudhe kishte mbështetur BKK-në. Në Kosovë ajo qëndroi rreth 7 vjet, deri më 2017.

Anëtarët e Baletit Kombëtar të Kosovës e miq të tjerë të saj, me të cilët kishte bashkëpunuar, të martën mbrëma në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në nderim të Lila Skarvelit kanë ndezur qirinj e kanë vënë lule pranë fotografisë me portretin e saj
Aktorja Lena Kryeziu-Bokshi, po ashtu mike e Lila Skarvelit, ka thënë se të flasësh për të do të duhej një roman për të përshkruar jetën e larmishme që ajo ka bërë në shërbim të jetës kulturore në shumë vende të Evropës dhe jo vetëm.
“Si artiste puna e saj ka qenë mbresëlënëse, por ajo në njëfarë forme sikur u largua pak nga profesioni për t’u ardhur në ndihmë artistëve në nevojë. Përmes projektit ‘Culture for all’ për rreth katër vjet ajo mbështeti shumë projekte kulturore të Kosovës”, ka thënë Kryeziu-Bokshi. Ka shtuar se edhe pse punonte shumë, ajo gjithmonë gjente kohë për shoqëri.
“Ka qenë person shumë i dashur dhe me një humor të hollë. Ende më duket i pabesueshëm lajmi për ikjen e saj të hershme. Lila ka qenë mikja më e madhe e shqiptarisë. Në çdo festë kombëtare në profilin e saj në FB është shfaqur qoftë flamuri i Kosovës, qoftë ai i Shqipërisë’, ka shtuar Kryeziu-Bokshi. Ka treguar se për të Prishtina u bë qytet i dashur ku krijoi një rreth shoqëror, por edhe shumë familjarë, nga i cili s’do të donte të ndahej kurrë.
“Evangelia Skarveli-Lila do të mbetet përherë në zemrat e secilit që ka pasur fatin ta takojë si një zonjë me manire, me shumë mirësjellje e mbi të gjithë si një artiste nga e cila arti më i bukur i buronte nga shpirti, e ai ishte dashuria për njerëzit”, ka thënë Kryeziu-Bokshi.
Dramaturgu Jeton Neziraj, gjersa ka lavdëruar punën që ajo ka bërë si menaxhere e projektit “Culture for all”, ka shtuar se me vdekjen e saj është humbur një mikeshë e mirë e skenës kulturore në Kosovë, një mikeshë e mirë e Kosovës dhe veçanërisht e Baletit Kombëtar të Kosovës.
E për këtë institucion, Skerveli gjithherë e kudo fliste me pietet. Sipas saj, Baleti ka një përparësi nga trupat e vendeve të tjera më të mëdha dhe më të pasura.
“Ata kanë solidaritet mes vete, e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe nuk e kanë ndjenjën e konkurrencës mes njëri-tjetrit. Kjo energji e lidhje-gjakut të tyre është e frymëzuar nga Ahmet Brahimaj”, do të shprehej Skarveli te “Këmbë”. Aty do të tregonte së shumë shpejt i ishte bërë e qartë se përkushtimi i burimeve njerëzore, fondeve dhe përpjekjeve të përditshme për BKK-në do të ishte një nga investimet më të mira që duhet t’u bëhen institucioneve kulturore dhe artistike të Kosovës, ndër të cilat Baleti ka vlera, aftësi dhe dinamika të veçanta për t’i demonstruar.
“Përkushtimi i tyre ndaj punës së zellshme, përpjekjet e tyre – pavarësisht nga kushtet e turpshme dhe të mjerueshme për punë – këmbëngulja e tyre, cilësitë e tyre njerëzore dhe bujaria e tyre ishin elemente që krijuan mes nesh lidhje të forta që tejkalojnë mandatin tim prej udhëheqësit të Projektit: ndihesha si në shtëpinë time në Teatrin Kombëtar, rrethuar nga anëtarët e trupës së Baletit, me të rinj e të vjetër, me përvojë apo të papërvojë, duke ndarë me ta momente të mira, por edhe të këqija, po ashtu edhe gëzime dhe brenga, me një fjalë, jetën”, kishte shkruar tutje Skarveli.