Kulturë

“Life is a dream” që kërkon përgjigje për fatin, mbyll “Prizrenfestin”

Shfaqjes origjinale të kohës së Barokut, “Life is a dream” i është dhënë një ndryshim surrealist në versionin modern nga regjisorja bullgare, Dina Markova dhe për gati dy orë në natën përmbyllëse të “Prizrenfestit” publiku ka pasur rastin ta përjetojë intensitetin e ndjenjave që shfaqja ofron. E “Prizrenfesti” me edicionin e dytë, për shtatë ditë, ka qenë oferta për ta përjetuar magjinë e teatrit. Në përmbyllje, ka ofruar përgjigjen se kush i jep formë fatit

Është përshkruar si “shembulli suprem i dramës spanjolle të epokës së artë” dhe për publikun në Kosovë ka ardhur si prodhim i teatrit “Zong” nga Sofja e Bullgarisë. Shfaqja “Life is a dream” qe ajo me të cilën u përmbyll edicioni e dytë i Festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur “Prizrenfest”.

Secili në emocionet e veta ishin mbledhur në hapësirën e kinemasë “Lumbardhi” për të pritur shfaqjen e njohur. Vazhdimi i natës përmbyllëse të festivalit – i cili shpejt ka zënë vend meritor në kalanderin e ngjarjeve kulturore – nuk ka pasur si t’i dëshpërojë.

Në skenën tashmë të gatshme për lojë teatrale, me disa shkallë dhe ndriçim që jepte ndjenjë të rënduar, dolën dy personazhet e para në kostume me vija vertikale bardhezi. Shfaqjen nis duke ia hequr pluhurin një libri me po të njëjtin dizajn sikurse rrobat e tyre. Me hapjen e atij libri nënvizohet një prej temave kryesore të shfaqjes për natyrën delikate të realitetit.

Pas paraqitjes së personazheve të tjera ku secili shfaqet më i çuditshëm se tjetri, në skenë doli princi polak Segismundo (Boyan Arsov), që ishte i burgosur deri sa të arrinte moshën madhore. Kur ai befas përplaset me realitetin, në mënyrë të pashmangshme e nis luftën me lirinë e dhënë për pak kohë.

Gjatë kohës kur aktorët luajnë në skenën e hapur të “Lumbardhit” era i shton efektin dramatik shfaqjes dhe publiku me koncentrim të shtuar përcjell përkthimin e tekstit të përshtatur nga regjisorja bullgare, Dina Markova.

Drejtori i Festivalit, Shkëlzen Veseli, e ka vlerësuar privilegj mbylljen e edicionit të dytë me këtë shfaqje. Duke marrë parasysh përvojën e shtetit të Bullgarisë në prodhimin e shfaqjeve teatrale dhe format e ndryshme të teatrit, Veseli ka thënë se nata e fundit i ka dhënë vulën tërë rrugëtimit të festivalit pas shtatë ditësh sa ka zgjatur.

“Festivali ishte ashtu qysh edhe ne e kemi pritur sepse për këtë natë jemi përgatitur goxha një kohë të gjatë. E patëm Bullgarinë me një super-shfaqje dhe me super-aktorë. Bullgaria është e njohur për aktorë të mirë edhe për produksion të teatrit të cilin e kanë shumë të zhvilluar dhe kaherë e kanë teatrin kështu që u kënaqëm sonte. Jo vetëm sonte, por krejt netët e tjera kanë shkuar ashtu siç e kemi planifikuar për të mos thënë edhe më mirë”, ka thënë Veseli.

“Life is a dream”, e një prej shkrimtarëve më të shquar të kohës së Barokut, Pedro Calderón de la Barca ishte botuar për herë të parë në vitin 1635 në Spanjë. Premiera e teatrit “Zong” ishte dhënë para më shumë se pesë vjetësh. Në “Prizrenfest” ishte hera e parë në ambient të hapur.

Arsov jep një paraqitje të përkushtuar dhe intensive. Sillet nëpër skenë dhe me habi shikon gjithçka përreth. Lehtë jep përshtypjen e të qenit naiv, ndonëse ka momente kur performanca e tij, me paraqitjen e këndshme dhe me zë të lartë, i dhuron paksa peshë personazhit.

“Sapo e përfunduam shfaqjen sonte, me këtë shfaqje udhëtojmë nëpër vende të ndryshme. Premierën e shfaqjes e kemi dhënë para 5-6 vjetësh dhe ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të jemi këtu në ‘Prizrenfest’ dhe me tërë ekipin realizues i cili na ka ndihmuar shumë dhe na duhet t’u themi faleminderit, sepse e kanë dhënë më të mirën”, ka thënë Arsov i cili vjen në rolin e personazhit kryesor dhe koreografit të shfaqjes.

Image
Princi polak, Segismundo (Boyan Arsov), i burgosur deri sa të arrijë moshën madhore. Kur befas përplaset me realitetin, në mënyrë të pashmangshme e fillon luftën me lirinë e dhënë për pak kohë

Origjinali i “Life is a dream” i takon një periudhe kohore shumë të largët. Përpunimi nga regjisorja bullgare bën që t’i shkojë për shtati kohës moderne. Atë nëpër të cilën e tërë bota është duke kaluar dhe kjo shfaqje e pasqyron më së miri si një distopi moderne, të paqartë, me ëndrra e imagjinatë të errët.

Pjesë e shfaqjes ishte edhe hëna, por që ekipi nga Bullgaria e kishte të pamundur ta sjellë në Kosovë si pjesë të skenografisë. Paraqitja e shfaqjes në ambient të hapur bëri që hëna në këtë rast të jetë ajo natyrale. Me këtë, regjisorja Dina Markova ka thënë se është realizuar një ëndërr e saj.

“Menduam se do të ishte mirë të provojmë që këtë shfaqje ta japim në ambient të hapur, nën yjet dhe hënën e vërtetë, sepse në fakt hëna është pjesë e shfaqjes të cilën nuk e kemi pasur të mundur ta marrim me vete, por e patëm hënën”, ka thënë Markova.

Pyetja se kush i jep formë fatit të secilit është e vazhdueshme. Secili nga aktorët e ka rolin e vet për t’ia gjetur përgjigjen kësaj pyetjeje. Megjithatë, secili i pranishëm diku në qoshet e pavizituara të mendjes e gjen atë vetë. Kjo vërehej lehtë edhe nëpërmjet reagimit të publikut pas përfundimit të shfaqjes. Me duartrokitje, brohoritje e fishkëllima e kthen trupën e aktorëve nga Bullgaria disa herë në skenë.

Akorja Ralitsa Tudzaro pa e zgjatur, i ka përshkruar përshtypjet e saj për festivalin, njerëzit dhe qytetin e Prizrenit.

“Neve na pëlqen ky festival, këta njerëz dhe ky qytet i cili është jashtëzakonisht i bukur”, ka thënë Tudzaro.

Me titullin e shfaqjes, drejtori artistik i “Prizrenfestit”, Adrian Morina, ka mundur më së miri ta përshkruajë emocionin që ia ka dhënë përmbyllja e festivalit në këtë mënyrë.

“Me thënë të drejtën shfaqja e sontme e ka emrin ‘Life is a dream’ (Jeta është ëndërr) e edhe unë jam pak si në ëndërr. Kam kohë që ta rikapituloj krejt çka ka ndodhur përgjatë këtij festivali, përgjatë kësaj jave të ngjeshur me shumë aktivitete, por mbi të gjitha, duartrokitjet e publikut, ovacionet e tyre për ekipin e shkëlqyeshëm nga Bullgaria, duke e ditur që teatri bullgar është një teatër shumë interesant. Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe i përmbushur me punën që është bërë”, ka thënë Morina.

Për shtatë ditë me radhë në kuadër të Festivalit ndërkombëtar të teatrove në ambient të hapur “Prizrenfest” janë dhënë 20 shfaqje nga Italia, Sllovakia, Ukraina, Shqipëria, Çekia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut e Kosova, të shtrira në gjithsej 9 lokacione. Përpos shfaqjeve në kuadër të Festivalit janë organizuar edhe punëtori për fëmijë dhe të rritur. Ndër to ka qenë edhe punëtoria e vallëzimit me të rinj të moshave prej 15 deri në 21 vjeç. Nga koreografi sllovak, Tomas Danielis, këta të rinj kanë mbajtur kurse vallëzimi, ku kanë mësuar lëvizje të shpejta dhe sfiduese. Rezultatet e kësaj punëtorie janë shfaqur në ditën e fundit të festivalit në Muzeun e Hidroelektranës “Prizrenasja”.

Për secilën prej shfaqjeve dhe aktiviteteve të tjera të festivalit, ekipi organizativ ka thënë se ka pasur shumë interesim prej publikut. Koordinatorja e “Prizrenfestit”, Zana Duraku, duke qenë vetë aktore në teatrin e Prizrenit “Bekim Fehmiu” ka thënë se ky interesim për teatrin në përgjithësi e ka habitur.

“Na ka mbetur kjo ndjenja. Unë për vete jam befasuar pak për shkak se unë jam edhe aktore e Teatrit të Prizrenit, mirëpo në Teatrin e Prizrenit mungon publiku, nuk e di përse, dhe këtu është duke më befasuar fakti se kemi pasur publik tërë kohën dhe kjo është ajo që po më mban të entuziazmuar”, ka thënë Duraku.

Sikurse shfaqjet në kuadër të “Prizrenfestit”, edhe publiku ka ardhur nga brenda edhe jashtë Kosovës. Ekipi i Festivalit do të dalë edhe me një raport me statistikat sa i përket interesimit nga publiku, numrin e pjesëmarrësve dhe të tjera detaje.

“Shpejt do të dalim me një analizë të të gjithë numrave dhe shifrave të aktiviteteve që i kemi pasur dhe shikuesve ku unë jam i fascinuar me numrin kaq të madh të publikut që ka përcjellë aktivitetet tona”, ka thënë Morina.

Përveç shfaqjes “Life is a dream” nga Bullgaria, “Prizrenfesti” është hapur me shfaqjen “Maidan inferno” nga Ukraina dhe e ka sjellë premierë në Kosovë “La Morteana” nga Italia. Është dhënë shfaqja “Krokodili” nga Maqedonia e Veriut, “21 e më tepër” nga Sllovakia, “Teba: një luftë civile globale” nga Greqia dhe të tjera shfaqje vendore dhe bashkëprodhime.