Mbi dy orë, përfaqësues ansamblesh e shoqërish kanë adresuar brengat e tyre. Si zakonisht ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka marrë mendime dhe ka thënë se krejt bashkë do të gjejnë zgjidhje. E kërkesat që i janë adresuar kanë të bëjnë prej licencimit të ansambleve, kontrolli i financave e deri tek ato për buxhet e infrastrukturë
Buxhet më të lartë, filtra në financim, infrastrukturë më adekuate e licencim të ansambleve folklorike e shoqërive kulturore e artistike, janë disa prej kërkesave të këtij komuniteti. Diskutimi publik i organizuar nga Ministria e Kulturës me këtë komunitet – i katërti me radhë – ka dalë të jetë edhe ndër të gjatët deri më tash. Mbi dy orë, përfaqësues ansamblesh e shoqërish kanë adresuar brengat e tyre. Si zakonisht, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka marrë mendime dhe ka thënë se krejt bashkë do të gjejnë zgjidhje. Nuk ka qenë i prerë për ndonjë gjë.
Fillimisht ka treguar se mbështetja financiare sivjet për ansamblet dhe SHKA-të ka qenë 193 mijë euro. Sipas tij, bëhet fjalë për rritje të konsiderueshme. Ka përmendur grupin punues për koncept-dokumentin për ligjin unik të kulturës e marrjen nën mbrojtje të trashëgimisë që ka lënë instrumentisti i ndjerë, Shaqir Hoti.
Ka thënë se MKRS-ja është në komunikim të rregullt me ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” për t’i adresuar sfidat. Por, ky takim ka pasur në qendër të vëmendjes ansamblet dhe SHKA-të.
“Adresimi i statusit të artistit të pavarur do të jetë në Ligjin për kulturën. Kemi nevojë për një lloj ridefinimi të çmimeve për veprimtari jetësore”, ka thënë ai. Ka treguar se MKRS-ja nuk mund të ndërtojë shumë salla të reja, por do të ndihmojë në rinovimin e hapësirave që përdorin ansamblet e SHKA-të, siç janë shtëpitë e kulturës.
Emin Sahiti, në emër të ansamblit “Bajram Curri” nga Prishtina, i themeluar më 1965, ka thënë se janë duke punuar në kushte shumë të vështira. Ka treguar se numërojnë rreth 100 anëtarë.
“Nuk kemi mjete të paguajmë koreografë, producentë e të tjera. Ka dy vjet që kemi dorëzuar materialin për të qenë trashëgimi kulturore shpirtërore. Mendojmë se meritojmë këtë status”, ka thënë ai duke aluduar se duhet të jenë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Ka treguar, po ashtu, se dy herë kanë kërkuar të jenë ansambël i qytetit. “MKRS-ja nuk na është përgjigjur në e-maile për një takim. Na keni dhënë tre mijë euro e për pako të ringjalljes nuk jemi marrë parasysh”, ka thënë ai.
Në këtë rast ministri Çeku ka thënë se me krejt rritjet e buxhetit, nevojat janë më të mëdha.
“Por duhet të diskutojmë se cila është formula e qëndrueshmërisë financiare. A mundemi që këto ansamble të kenë edhe forma të tjera të financimit?”, ka pyetur ai. Sa i përket mbrojtjes nga shteti, ka thënë se pritet që lista e trashëgimisë kulturore shpirtërore do të jetë listë më vete. Sa u përket hapësirave ku veprojnë ansamblet, ka thënë se ato janë në përgjegjësi të komunave, por MKRS-ja mund të ndihmojë në rinovim.
Ka pasur raste kur të pranishmit kanë thënë se kanë vështirësi të sigurojnë mbështetje nga bizneset, pasi Ligji për sponsorizim nuk e favorizon kulturën dhe po ashtu bizneset nuk e kanë të qartë atë ligj. Nëpërmjet këtij ligji, shteti ka mundësuar që për aktivitete kulturore bizneset të mund të japin deri në 20 për qind të tatimit në fitim. Kurse për aktivitete sportive, mbështetja mund të shkojë deri në 30 për qind. Ministri Çeku ka thënë se synohet që sporti e kultura të jenë të barabarta në këtë ligj.
Vesel Nikqi, përfaqësues i ansamblit autokton “Rugova” – i cili prej vitit 2020 është futur në Listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme – ka thënë se problem më vete mbetet statusi i ansambleve e po ashtu edhe promovimi i tyre. Sipas tij, prej problemeve kryesor është bartja e trashëgimisë te gjenerata e re.
“Nuk po punohen më veshjet tradicionale. Pas luftës ne jemi bërë organizata joqeveritare pa qejfin tonë. Promovimi është problem në vete, vetëm nëpërmjet vijave personale. Duhet të ketë kritere kush përfaqëson vendin. Kush të dërgojë ty ta përfaqësosh Kosovën në një festival?”, ka thënë ai.
Në këtë rast, ministri Çeku ka thënë se nuk mund të bëhen zgjidhje të shpejta.
“Për formën më të mirë të organizimit jam i gatshëm t’ju dëgjoj. A mendoni që shteti t’i fusë disa ansamble nën ombrellë e të tjerat jo, të mbesin SHKA apo si?”, ka pyetur ministri Çeku.
Midis propozimeve ishte edhe ai i udhëheqësit të ansamblit “Minatori” nga Kishnica, i cili ka kërkuar që MKRS-ja duhet të bëjë vlerësim më të mirë kur financon projekte, më pas ansamblet të jenë të licencuara nga MKRS-ja.
Edhe në këtë takim, ministri Çeku ka përmendur idenë e një fondi kulturor që do të bënte edhe ndarjen e mjeteve me të cilat mbështeten organizimet kulturore.
Udhëheqësi i ansamblit “Selman Kadrija” në Istog, Ismet Demaj, ka kërkuar investime në rinovim të infrastrukturës. Sa i përket përkrahjes nga MKRS-ja, ka thënë se në të kaluarën “ka pasur sekserë, por tash nuk janë më”.
Koreografi Dilaver Kryeziu ka thënë se i njeh të gjitha ansamblet dhe mund të japë informacione konkrete. Sipas tij, 70 për qind e mjeteve që MKRS-ja ndan, janë për ansamble që nuk funksionojnë. Sipas tij, në festivale shihet se cilat ansamble funksionojnë. Ka thënë se duhet të financohen ansamblet të cilat kanë vazhdimësi. Ka marrë shembull Kroacinë. Sipas tij, ky shtet ka 73 ansamble, kurse 10 prej tyre financohen nga shteti. “Bëhet një komision i ekspertëve dhe vlerëson ansamblet. Ne kemi 44 karaktere të vallëzimit. Ju lus ta formoni një komision dhe ta shihni atë që po them”, ka thënë ai.
Një tjetër version e ka propozuar studiuesi i folklorit, Visar Munishi. Ka thënë se Shqipëria ka Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, e cila organizon festivalet e folklorit.
Solisti i “Shotës”, Besnik Grajçevci, ka thënë se institucioni ku ai punon mund të përfitojë nga ansamblet nëse bëhet një rrjetëzim, pasi “Shota” mund të pasurohet me kuadro nga ansamblet. Në këtë rast ka pasur ndarje sa i përket ndihmës që “Shota” mund të japë për ansamblet. Ndërhyrja e “Shotës” me profesionalizëm, do të mund t’i dëmtonte traditat krahinore që mund të kenë ansamblet.
Se kur mund të ketë ndonjë zgjedhje konkrete për financimin a licencimin e ansambleve nuk dihet. Koncept-dokumenti për ligjin unik të kulturës është krejt në fille. E diskutimet me komunitetin do të vazhdojnë.