Fëmijët që lexojnë dhe e shijojnë të lexuarit kanë mirëqenie psikologjike më të lartë në krahasim me ata që nuk gjejnë motiv për të lexuar. Në të njëjtën frymë, edhe fëmijët që lexojnë për shkak të relaksimit që ndiejnë nga kjo dhe nevojës për informacione të reja, raportojnë inteligjencë emocionale më të lartë në krahasim me moshatarët e tyre që nuk lexojnë.
Këto janë vetëm disa nga gjetjet themelore të raportit “Efekti i të lexuarit në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të fëmijëve të Kosovës” të organizatave ETEA, Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHPSM) dhe Qendra për Afirmimin Social të të Rinjve (CSAY).
I publikuar paraditen e së premtes në mjediset e Qendrës për Edukim dhe Kulturë “Libart”, raporti paraqet të dhënat sasiore dhe cilësore të realizuara me nxënësit e shkollave të mesme të ulëta në 20 komuna dhe 68 shkolla të Kosovës, shkruan KOHA.
Sipas udhëheqësve të projektit, ky hulumtim është i pari që trajton ndërlidhjen mes të lexuarit dhe shëndetit mendor.
Menaxherja e projektit dhe bashkautorja e hulumtimit, Fatime Rrahmani ka thënë se ekipi ka kryer hulumtime dhe intervistime të drejtpërdrejta.
“Për shkak të situatës kemi gjetur modalitete për të zhvilluar takime virtualisht”, ka thënë Rrahmani.
Sipas raportit, fëmijët që kanë qenë në gjendje të listojnë të paktën një libër jashtë-kurrikular, që e kanë lexuar së fundmi, kanë raportuar mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë sesa ata që nuk kanë listuar asnjë libër.
“Nxënësit që kanë lexuar një libër në muajin e fundit, në gjashtë muajt e fundit apo në 12 muajt e fundit, shënuan pikë më të larta të mirëqenies psikologjike dhe inteligjencës emocionale sesa ata të cilët nuk mund ta kujtojnë herën e fundit që kanë lexuar ndonjë libër”, thuhet në raportin e shkruar nga Diar Hajrizi, Drenusha Bujari, Fatime Rrahmani, Shkurtë Bajgora dhe Zoran Stankoviq.
Gjatë hulumtimit, ekipi ka intervistuar edhe psikologë shkollorë që kanë evidentuar përfitimet e leximit.
Sipas tyre, prindërit përmes modelimit dhe ofrimit të kushteve të përshtatshme duhet të mundësojnë zhvillimin e kulturës së leximit te fëmijët.