Kulturë

“Lela & Co.” paralajmëron ta thyejë heshtjen e shoqërisë

Për herë të parë ia ka mësyrë punës si regjisor teatri. Eki Rrahmani, nëpërmjet shfaqjes “Lela & Co.”, synon ta nxisë shoqërinë që të reagojë karshi fenomeneve negative edhe kur ato nuk e prekin drejtpërdrejt. Në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar, Rrahmani bën thirrje për vetëdijesim e ndalim të trafikimit me qenie njerëzore, me një tekst që e ka cilësuar të guximshëm, e qasje regjisoriale që i qëndron besnike regjisë së dokumentarëve, për ç’gjë njihet edhe ndërkombëtarisht

Eki Rrahmani, nëpërmjet projekteve filmike, u bë i njohur në fushën e kinematografisë. Shembull është dokumentari i vjetëm “Rrëfimi i një refugjati”, që u shfaq edhe në media ndërkombëtare si “Al Jazeera”.

Por, tash ai është gati që të lërë gjurmë edhe në teatër. Të hënën, në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në orën 19:30, do të jepet premiera e shfaqjes së tij të parë teatrale “Lela & Co.”, një rrëfim që, sipas regjisorit, “është goxha i guximshëm”. Fjalët e tij mbështeten edhe në faktin se teksti i shkruar nga anglezja Cordelia Lynn është i bazuar në ngjarje të vërtetë. Personazhi kryesor, nëpërmjet monologëve, shfaq jetën e vet të errët, kurse e gjithë shfaqja është vlerësuar si një kritikë artistike karshi luftës, dhunës së patriarkalizmit dhe kapitalizmit.

Lynn, e lindur në vitin 1989, e kishte shkruar tekstin në vitin 2015, kur ishte 26-vjeçare. Kjo dramë, por edhe të tjera si “Believers Anonymous” dhe “After the War”, janë inskenuar në Angli e në vende të ndryshme të botës. Për herë të parë, “Lela & Co.” u inskenua në shtator të vitit 2015, në “Royal Court Theatre” në Londër. Për TKK-në, drama është shqipëruar nga Jeton Kulingja.

Lelën, në shfaqjen nën regji të Eki Rrahmanit, e luan aktorja Gentë Retkoceri, njëherësh bashkëshortja e regjisorit. Monologët e saj vazhdimisht ndërpriten nga zërat e burrave që u bënë pjesë e jetës së saj: babait, dhëndrit, burrit e një paqeruajtësi, që luhen nga aktori Kushtrim Sheremeti.

Lela në shfaqje e shpalos rrëfimin e saj, duke e nisur nga jeta në një fshat malor. Ajo takon një biznesmen i cili punon bashkë me burrin e motrës së saj. Pasi martohet me të vendoset në një vend në mes të një zone lufte. Atje burri e saj e mban të mbyllur. E detyron të punojë si prostitutë, duke ia sjellë vetë klientët, që janë kryesisht ushtarë. Jeta bëhet çdoherë e më e vështirë për Lelën. Edhe ata që do të duhej ta mbronin, e shfrytëzojnë. Se çfarë ndodh më tej duhet zbuluar përballë skenës.

Regjisori Eki Rrahmani, në konferencën për media të mbajtur të dielën në TKK, ka thënë se me ta lexuar dramën i kishte lënë përshtypje teksti. Sipas tij, që në fillim i ishte krijuar përshtypja që ngjarja zhvillohet në Ballkan, diçka që e ishte vërtetuar më pas.

“Është kundër mënyrës se si burrat i trajtojnë gratë, kundër trafikimit të grave, ndoshta pak kundër sistemit kapitalist që ekziston në botë, kundër patriarkalizmit. Është një rrëfim goxha i guximshëm në aspektin se është pak më ndryshe”, ka thënë ai.

Sipas tij, shfaqja vjen si një shuplakë përmes së cilës publikut i thuhet të zgjohet, pasi nuk bën vetëm të heshtë ose të shikojë anash kur përreth ndodhin ngjarje të tilla.

“Ne si shoqëri, karshi këtyre fenomeneve e gjerave që ndodhin, e kemi një qasje të tillë që shikojmë në anën tjetër. Ne të gjithë e dimë se ku janë këto vende, ku këndohet e ka gra, por krejt si shoqëri heshtim ose nuk reagojmë derisa nuk prekemi në baza individuale. Mirëpo, njerëzit duhet të vetëdijesohen dhe të reagojnë”, ka thënë ai.

Ka shtuar se shpreson që përmes shfaqjes të arrijë t’i bëjë njerëzit të flasin për trafikimin e grave, ose të nxisë debat. E, sa u përket pritjeve profesionale, Rrahmani, i cili në teatër është sfiduar vetëm si asistent regjie, ka thënë se dëshiron që kjo shfaqje të jetë një nismë për angazhime të tjera në skenën teatrore.

“Për mua është pak a shumë si e njëjtë. Teatri, sipas meje, është ai të cilit ne të gjithë duhet t’i përulemi. Është mënyra më e vjetër e rrëfimtarisë dhe më mahnit, më pëlqen shumë, edhe pse ndonjëherë është shumë i ndjeshëm”, ka thënë ai.

Aktorja Gentë Retkoceri ka thënë se shfaqja është goxha bashkëkohore. Barra më e madhe kur të nisë shfaqja të hënën do të bjerë mbi supet e saj. Nëpërmjet monologut e lojës, i takon Rotkocerit ta bëjë për vete publikun, gjersa e shpie në zemër të këtij rrëfimi prekës.

"Ka mjaft monologë, por të gjithë i kam mësuar më lehtësi, përveç monologut të fundit për të cilin nuk ishim të sigurt se si do ta bënim, pasi ishte një monolog katërfaqësh. Por kam arritur t’i përvetësoj shumë mirë”, ka thënë ajo gjersa ka shtuar se në shfaqje preket edhe marrëdhënia babë-bijë, por edhe raporti mes motrave, e preken po kështu edhe tema që akoma mbesin tabu, veçanërisht në shoqëritë patriarkale, si virgjëria e prostitucioni.

“Eki që në fillim ka thënë se dëshiron që këtë shfaqje ta bëjë sikur publiku të jetë duke e shikuar në një ekran televiziv dhe këtë besoj se e ka arritur. Po ashtu, ai ka dashur vazhdimisht të theksojë se si bota e personazhit kryesor është e madhe, por shkon duke u ngushtuar, duke u bërë e vogël, e edhe ky koncept do të vërehet në premierë”, ka thënë ajo duke vënë në dritë edhe punën që ka bërë skenografi Edi Agagjyshi.

Aktori Kushtrim Sheremeti ka theksuar se “Lela & Co.” përçon mesazhe të cilat duhet të trajtohen.

“Për t’u bërë pjesë e këtij projekti më shtyri koncepti të cilin Eki e ka pasur, që nuk e largon krejtësisht nga eksperienca filmike, pasi nuk do të kishte pasur kuptim. Kjo e bën të veçantë këtë shfaqje, sado që është minimaliste. Edhe në vizion, edhe në mënyrë të qasjes së lojës, është më kamertale dhe ka shumë momente filmike, aq sa mund të bëhet film brenda teatrit”, ka thënë ai.

Ka shtuar se ka qenë sfidë t’i luajë katër personazhe – në fillim ishin menduar pesë, por një e kanë modifikuar si audio – të cilat ndërrohen brenda sekondave e disa brenda minutave.

“Është një dokumentim i mirë i një ngjarjeje të vërtetë e cila tregohet në Teatrin e Prishtinës”, ka thënë ai. Sipas tij, publiku do të ndihet pak i ngulfatur gjatë shfaqjes, por me rëndësi është që të reflektojë karshi asaj që sheh. Muzikën e shfaqjes e ka bërë Armend Xhafa.