Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Lee “Scratch” Perry – pionieri i muzikës reggae dhe dub

“Muzika është e vetmja rehati, po ta them të vërtetën”, pati thënë producenti i reggaes dhe kërkuesi i muzikës së lehtë, Lee “Scratch” Perry, me një shije prej lutësi në kohën kur po e revolucionarizonte një incizim të ri. Jetik në evoluimin e muzikës reggae – një zhanër që ai e zhvilloi me Bob Marleyn dhe Wailers – Perry tevona do të bëhej ftillues i dubit elektronik që vazhdon të ngjyrosë peizazhin muzikor bashkëkohor edhe sot e gjithë ditën.

Duke pasuar largimin nga jeta të legjendës së reggae Bunny Wailer në mars, lajmi për vdekjen e Perryt më 29 gusht në moshën 85-vjeçare, në Jamaica, ka shenjëzuar fundin e një epoke muzikore. Por vërshimi i kushtimeve tregon se ylli i gjeniut do të vijojë të shkëlqejë edhe më zdritshëm.

Mike D. nga bendi “Beastie Boys”, që bashkëpunoi me Perryn në vitet ‘90, shkroi në Instagram: “Ne jemi vërtet mirënjohës që u frymëzuam, punuam e bashkëpunuam me këtë legjendë të vërtetë”.

“Pak njerëz ishin të çuditshëm apo të lëshonin hije kaq të gjatë sa Lee Perry”, ka shkruar në Twitter procudenti i rockut, Steve Albini, që ka punuar me bende si “Pixies” dhe Nirvana. “Incizimet e tij ishin tronditëse dhe u bënë hajmali për këdo që provoi ndonjëherë të manifestonte tingullin në kokën e vet”.

Rrënjët xhamajkane të reggaes

I lindur si Rainford Hugh Perry më 20 mars 1936 në një rreth të varfër rural të Xhamajkës, i talentuari muzikor ishte ende tinejxher kur u vendos në kryeqytet, në Kingston, dhe filloi punën në “Studio One”.

Aty ai prodhoi rreth 30 këngë derisa konfliktet ndërpersonale bënë që të largohej në studio të ndryshme derisa më në fund etabloi labelin e tij më 1968 “Upsetter Records” – një lojë me llagapin e tij, Upsetter, që doli pas këngës së tij hit “I Am the Upsetter” të realizuar më 1967.

Singlei i tij i parë në këtë label, i realizuar me emrin Lee Perry, ishte “People Funny Boy”, që përdori një shembull të pazakontë (një foshnjë që qante) dhe një beat të dallueshëm që do të bëhej i njohur si reggae.

Ai u shit në mbi 50 mijë kopje dhe e vuri Perryn në rrugën drejt të qenit yll, veçmas pasi ai ngriti studion legjendare “Black Ark” dhe nisi të bashkëpunonte me Bob Marleyn dhe Wailers – bendi që do ta bënte tingullin e panjohur të reggae xhamajkan si fenomen global.

“Gjeniu i tërbuar” i muzikës dub

Si producent nga “Wailers” te “The Heptones”, Perry shpesh punoi me studion e tij, The Upsetters.

Kjo vazhdoi teksa babai themelues i reggae zhvilloi tingullin e tij të paimitueshëm të dubit në vitet ‘70 duke përdorur ripërzierje revolucionare teknikash që do të ndikonin më vonë muzikën hip-hop dhe atë elektronike – të shembullzuar prej albumit të tij në vitin 1976 “Super Ape”.

Në këtë dekadë të artë personaliteti gjithnjë e më ekscentrik i Perryt nisi të pasqyrohej në eksperimentimin e tij muzikor.

Ashtu siç shkroi autori David Katz në biografinë e tij për Perryn “People Funny Boy”: “Ai mëtonte se vinte prej Jupiterit, njëherë ai tha se kishte lindur në qiell dhe shpesh e quante Afrikën si vendlindjen e tij të vërtetë; Perry për më tepër thoshte se trupi i tij i zbrazët ishte marrë nga alienë hapësinorë pas vdekjes së tij të padokumentuar”.

Ikonoklastiku Perry njihej për përdorimin e cigareve të mëdha të marihuanës në koncerte gjithandej botës teksa po përftonte nam global. Në vitet ‘80, avokatia e tij për marihuanën u drejtua ndaj Qeverisë japoneze si protestë ndaj arrestimit të Paul McCartneyt për posedim të narkotikëve.

Azili nga Xhamajka

Por demonët personalë të Perryt bënë që puna e tij të ndikohej. Ai u prish me Bob Marleyn dhe më vonë pretendoi se vetë ia kishte vënë zjarrin studios së tij “Black Ark” gjatë një shpërthimi të tërbimit.

Ai e la Kingstonin dhe shkoi në një mërgim të gjatë, duke jetuar kryesisht në Zvicër. Karriera e tij u fundos derisa u ringjall në vitet ’90, kur ai punoi me “Beastie Boys”, duke performuar si vokalist për këngën “Dr Lee, PHD” dhe duke bashkëpunuar me producentin britanik të muzikës dub, Mad Professor.

Pastaj më 2002, albumi i Perryt “Jamaican E.T” fitoi “Grammy” si albumi më i mirë i reggae. Ai u nominua edhe katër herë të tjera teksa udhëtonte anekënd rruzullit.

Perry e përshkruante muzikën e tij si “ritëm nga getoja dhe muzikë nga rrugët” dhe ai u qëndroi besnik rrënjëve të tij xhamajkane, duke iu rikthyer më në fund e duke vdekur në vendin ku nisi odiseja e tij muzikore – e që pa dyshim do të vazhdojë edhe tutje. \ Deutsche Welle

Artikuj të ngjashëm