“Në rastin e parë, të Marksit, duket sikur rruga e emancipimit të plotë shoqëror kërkon shfuqizimin e besimit fetar. Në rastin e dytë, te Kanti, duket sikur vetë besimi në emancipimin njerëzor është i lidhur pazgjidhshmërisht me besimin te Zoti. Kanti na jep justifikimin më bindës të fesë, dhe Marksi na jep refuzimin më bindës të fesë”, ka thënë Lea Ypi, profesoreshë në “London School of Economics” në ligjëratën “Marksizmi kantial – Çka është dhe çka na duhet?”, një tentativë për të gjetur të përbashkëtat e dy filozofëve gjermanë
Se Karl Marksi dhe Immanuel Kanti u takojnë dy taborëve të ndryshme filozofike, nuk vihet në diskutim. I pari njihet fort për ekonomitë politike e frymëzimin e mbjellë për revolucion socialist. Kanti ka lënë gjurmë si filozof në trajtesa çështjesh epistemologjike, metafizike duke dhënë leksione për etikën e joetikën. Rreth fesë në jetën njerëzore, Karl Marksi (1818-1883) dhe Immanuel Kanti (1724-1804), kanë qasje të ndryshme. Por në një shoshitje të thellë, premisat ku janë nisur dhe qëllimet, mund të kenë ngjashmëri.
E pikërisht për ngjashmëritë ka folur edhe filozofja Lea Ypi. Në një ligjëratë të organizuar nga Shoqata e Filozofëve të Kosovës, në Fakultetin Filozofik, Ypi e cila është profesoreshë në “London School of Economics”, ka ligjëruar në temën “Marksizmi kantial – Çka është dhe çka na duhet?”.
Në sallën e mbushur plot, pas një prezantimi që asaj i ka bërë studiuesi i filozofisë dhe gazetari Xhezair Dashi, Ypi ka thënë se filozofi Imanuel Kant jep një kritikë të mendjes, një kritikë të arsyes dhe një ideal të lirisë morale që ajo beson se u mungon shoqërive bashkëkohore. Autorja e librit “Të lirë” – që është promovuar të mërkurën mbrëma në Prishtinë – të enjten ka thënë se Karl Marksi jep një kritikë të shoqërisë.
“Të dyja këto i kanë rrënjët, mendoj unë, në filozofinë e iluminizmit, si një filozofi moderne që zbulon autoritetin moral të qenies njerëzore, si autoritet absolut”, ka thënë ajo. Ypi – i ati i së cilës është nipi i kryeministrit të dhjetë shqiptar, Xhafer Ypit – ka thënë se forca e mendimit të Kantit është se tek ai, arsyeja është burimi i çdo të vërtete dhe burimi i çdo dyshimi.
Në pikëpamjen e saj filozofike, e majta dhe e djathta që të dyja si rrënjë filozofike kanë aspiratën për lirinë dhe një përpjekje për të kuptuar se çfarë është liria e njeriut, çfarë është arsyeja, nga vjen autoriteti dhe si bëhen gabimet. Ka shpjeguar se ligjërata e saj do të fokusohet vetëm te një qasje e mendimit të Kantit dhe të Marksit, që është një aspekt i cili zakonisht është trajtuar nga literatura si pika më e madhe e kundërshtimit midis dy gjermanëve, të cilët i kanë dhënë shumë filozofisë. Ajo ka folur për kritikën ndaj fesë a besimit.
“Mendoj që edhe pika ku ne mendojmë se Marksi e Kanti janë aq larg sa nuk bashkohen kurrë, në fakt pikërisht në këtë pikë ne gjejmë rrënjët e përbashkëta të mendimit politik të këtyre dy autorëve”, ka thënë ajo. Ka përmendur sloganin më të njohur të Marksit për fenë, që ishte shumë i njohur në vendet socialiste: “Feja është opium për popullin”. Por, siç ka thënë ajo, për Kantin morali të çon domosdoshmërisht te feja.
“Në rastin e parë, të Marksit, duket sikur rruga e emancipimit të plotë shoqëror kërkon shfuqizimin e besimit fetar. Në rastin e dytë, te Kanti, duket sikur vetë besimi në emancipimin njerëzor është i lidhur pazgjidhshmërisht me besimin te Zoti. Kanti na jep justifikimin më bindës të fesë, dhe Marksi na jep refuzimin më bindës të fesë”, ka thënë ajo.
Ka sqaruar se tema e leksionit të saj para studiuesve të filozofisë në Prishtinë, është përpjekja për t’i bindur të pranishmit se pavarësisht asaj që dihet nga ana sipërfaqësore, në fakt Marksi e Kanti kanë më shumë të përbashkëta se dallime. Audienca nuk ka reflektuar fort e bindur, sidomos disa që njihen në vend si studiues të filozofisë, por Ypi siç ka thënë edhe vetë, është në përpjekje e sipër.
Ajo ka thënë se Marksi ka një qasje ndaj besimit fetar që ka shumë më shumë nuanca dhe shkon përtej sloganit të njohur se “feja është opium për popull”.
“Argumenti im është që kritika e fesë si te Kanti edhe te Marksi është e lidhur me një përpjekje për të zëvendësuar besimin dogmatik te feja me njëfarë besimi praktik, që arrin kulmin me një transformim rrënjësor moral të qenies njerëzore në raport me botën e përtejshme dhe në një besim aktiv praktik”, ka thënë ajo.
Ypi në shtjellim e sipër të përpjekjes së saj, ka thënë se Marksi arsyetonte se feja është një pasqyrim i botës së pamëshirshme njerëzore, por është në të njëjtën formë edhe një revoltë kundër asaj bote. Pra, sipas Ypit, bëhet fjalë për vetëdijen dhe vetëvlerësimin e njeriut që nuk e ka arritur ende veten ose që e ka humbur veten në shoqërinë në të cilën jeton.
Ka thënë se njësoj, sikurse Marksi edhe Kanti, thotë se njerëzit e bëjnë fenë, nuk e bën feja njeriun.
“Feja zhvillohet pasi ka një ndërgjegjësim midis qenies njerëzore për moralitetin e tij të brendshëm nga njëra anë dhe nga ana tjetër ndërgjegjësim i pengesave për realizimin e potencialit moral njerëzor”, ka thënë ajo. Në leximin që i ka bërë Kantit, Ypi ka thënë se për këtë filozof kur njerëzit përballen me fatkeqësi i drejtohen Zotit dhe kërkojnë ndihmën e tij nëpërmjet ndërmjetësve dhe autoriteteve fetare.
“Kjo përbën një pasqyrim të pafuqisë që ata perceptojnë në procesin e realizimit të aspiratave të tyre morale”, ka thënë ajo.
Në këtë rast, ka shpjeguar se, sipas Marksit, rehatia që ofron feja shpreh në fakt psherëtimën e krijesës së shtypur dhe shpirtin e rrethanave pa shpirt. “Pra, feja është ngushëllim”, ka thënë ajo. Ka vazhduar se kritika e Marksit ndaj natyrës ngushëlluese të fesë merr një natyrë të ngjashme me atë të Kantit.
“Edhe Kanti thotë se nga njëra anë kemi një tendencë të projektojmë te Zoti të gjitha vetitë e qenieve njerëzore”, ka thënë Ypi.
Në leximet e saj, Kanti arrin kulmin me pohimin se rrënja është vetë njeriu. E kësisoj, Kanti, për mendimin e saj, është filozofi i parë gjerman që këmbëngul që vetëm një besim i pastër i bazuar tërësisht në arsye mund të jetë i domosdoshëm dhe vetëm ky besim mund të kontribuojë në natyrën e emancipimit moral që pastaj bëhet edhe emancipim politik që merr përsipër filozofia praktike e këtij filozofi. Në botëkuptimin e Kantit, e keqja gjendet te njeriu si pasojë e veprimit të lirë. Ndërsa Marksit nuk i intereson metafizika e zgjedhjes së lirë.
“Marksi shkruan shumë pak për këtë. Ajo që i intereson është kritika e shoqërive moderne dhe fakti që korrupsioni, mizoria e të tjerat që lidhen me pabarazitë janë gjithashtu forma të një shtypjeje që vjen po nga njeriu vetë dhe përbën një pengesë kryesore për emancipimin e shoqërisë”, ka thënë Ypi. Sipas saj, si për Kantin ashtu edhe për Marksin, pengesa kryesore për emancipimin njerëzor qëndron në pengimin e zhvillimit të lirë të qenieve njerëzore si aftësi për të vendosur dhe ndjekur qëllime të pavarura nga natyra dhe në përputhje me inteligjencën dhe vullnetin e tyre.
“Kjo pengesë në të dy autorët është një pengesë e krijuar nga njeriu”, ka thënë ajo. Ka vazhduar duke thënë se si Kanti edhe Marksi refuzojnë fenë e institucionalizuar në emër të një rikonceptimi të species njerëzore si një specie që është në thelb e lirë dhe ka në kontroll fatin e saj, pa pasur nevojë që forcat e jashtme të përcaktojnë kursin e këtyre veprimeve të qenieve.
“Të dy theksojnë që qeniet njerëzore janë të prira për të ndjekur edhe qëllime imorale, duke shtrembëruar lirinë e veprimit dhe duke penguar lirinë e plotë të qenies njerëzore. Prandaj, për të dy këta autorë sfida kryesore e emancipimit njerëzor është ngushtimi i hendekut midis asaj që janë njerëzit në rrethana të veçanta historike, sociale e politike nga njëra anë dhe asaj që duhet të jenë në qoftë se realizohet plotësisht potenciali moral i tyre”, ka thënë ajo.
Përderisa Marksi ngulte këmbë se edhe teoria bëhet një lloj force, sipas Ypit, Kanti mendonte se duhet një komunitet kolektiv që pos ligjit ky komunitet të ketë përpjekje morale. Bashkësia etike është më e rëndësishme në botëkuptimin e Kantit, sepse tregon që nuk mjafton shteti, por duhet një transformim i brendshëm nga ana njerëzore.
“Për Kantin ky komunitet është një bashkësi etike”, ka thënë Ypi, e cila me librin e fundit ka bërë bujë në mediat prestigjioze të botës dhe vepra e saj – e para me frakturë letrare – është duke u përkthyer në 15 gjuhë.
Sipas Ypit, trajtimet e fesë te Kanti e te Marksi janë shumë të ndryshme pasi vijnë nga trajtime të ndryshme në stil, përmbajtje, qëllim dhe në argumentim. Por, ajo është e bindur se leximi që ka bërë ajo vetë është një lexim selektiv ku mund të gjenden pjesë ku autorët bashkohen. Ka përmendur se publiku i Kantit është ndryshe nga ai i Marksit. I të parit është akademik, për dallim nga ai i Marksit. Sipas Ypit, reflektimet e Marksit mbi fenë janë shumë më të shpërndara dhe nuk janë pjesë e një përpjekjeje për të gjetur një përgjigje filozofike.
“Ajo në të cilën ngul këmbë unë është se në të dyja këto filozofi ka tema të përbashkëta. Të dyja këto interpretime nisin me faktin e lirisë si ajo që i dallon qeniet njerëzore nga kafsha”, ka thënë Ypi. Ka shtuar se si për Kantin ashtu edhe për Marksin detyra për të arritur emancipimin njerëzor nuk është detyrë individuale, por e bashkësisë njerëzore.
Në diskutimet pas ligjëratës së saj ka pasur pajtime e mospajtime.
Midis atyre që nuk janë pajtuar aq, ishte filozofi e profesori i filozofisë, Blerim Latifi. Ai ka përmendur tre filozofë, dy gjermanë e një japonez, të cilët janë marrë me këtë temë. Sipas Latifit, është një temë e tejkaluar dhe Ypi nuk jep përfundime. Por në këtë rast, sipas Ypit, Latifi nuk tregon përse është temë e tejkaluar dhe mos ndoshta është tejkaluar pa pasur nevojë apo pa u studiuar mirë. Por, siç ka thënë Ypi në ligjëratën e saj, interpretimet e Marksit dhe të Kantit nisin nga fakti i lirisë. E liria ishte edhe baza e mospajtimeve midis studiuesve të filozofisë të enjten.