Mund ta gjurmoni lindjen e hip-hopit në verën e 1973-s kur Kool Herc DJ, për të parën herë e zgjati ritmin, më shumë për t’i emocionuar valltarët në një festë në South Bronx.
Sidoqoftë, konceptin e kësaj muzike, mund ta gjurmoni pesë vjet më parë – më 19 maj 1968 – kur anëtarët themelues të “Last Poets” kishin qëndruar së bashku në parkun Mount Morris – tani i njohur si parku Marcus Garvey – në Harlem dhe kishin thënë poemat e para në publik.
Ata po e shënonin atë që do të kishte qenë ditëlindja e 43-të e Malcolm X, i cili ishte vrarë tre vjet më parë. As dy muaj nuk kishin kaluar qysh prej vrasjes së Martin Luther Kingut.
“Duke u rritur, më kishin caktuar të bëhesha një djalë i mirë, i vogël me ngjyrë. Pëlqehesha nga të gjithë”, thotë Abiodun Oyewole, i “Last Poets”, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Ai ishte 18-vjeçar dhe duke studiuar kur e kishte dëgjuar lajmin. “Por, kur ata e vranë Dr. Kingun, të gjitha bastet ranë”.
Ajo ditë çoi në debutimin e “Last Poets”, projektin debutues me titull të njëjtë të vitit 1970, që ngërthente poema për forcën e afro-amerikanëve, të folura në ritmin e një baterie “congo”. Gjysmëshekulli më vonë, mizoria vazhdon për çdo ditë, në formë ofendimesh, shtënie me armë nëpër shkolla dhe me forcë të tepruar policore.
“Amerika është një terroriste, që vret banorët e tokës/Amerika është një terroriste, me sistem skllavëror”, rimon Oyewole në albumin e ri të “Last Poets”, me titull “Understanding What Black Is”, në të cilin ai dhe Umar Bin Hassan i kanë kthyer poemat në një orkestrim reggae, duke përfshirë korno, bateri e flaut. Është albumi i tyre i parë në 20 vjet, që ia përkujton një gjenerate të re rrënjët e hip-hopit në poezinë protestuese.
Edhe
Shpikja e hip-hopit nga adoleshentët e Bronxit
“Ghostface Killah dhe RZA nga Wu-Tang Clan, do të përkulen kur të na shohin”, thotë Oyewole. “Njerëzit thonë se ne e kemi nisur rapin dhe hip-hopin, por ajo që e trajtuam ne është poezia. Ne e nxorëm poezinë në sipërfaqe”, thotë ai.
Poemat e “Last Poets” janë përmendur a cituar nga “NWA”, “Tribe Called Quest”, “Public Enemy” dhe shumë tjerë: edhe reperi Common në këngën e nominuar për “Grammy” më 2015, “The Corner”, bashkëpunon me “Last Poets”, për të prezantuar nxënësit e vjetër në lagje që shpjegonin se si pushteti i afro-amerikanëve doli nga rrugët... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)