Kulturë

Lakuriqësia në Renesancë, misteret në vizatimet e shekullit të 16-të

“The Three Graces”, Raphael, rreth viteve 1517-1518

“The Three Graces”, Raphael, rreth viteve 1517-1518

Një vizatim i rrallë me titull “Three Graces” i piktorit italian, Raphael, zbulon idetë e epokës për lakuriqësinë, modestinë, turpin, dhe gjenialitetin e artistit. Vepra është pjesë e ekspozitës “Drawing the Italian Renaissance”, e hapur në Galerinë e Mbretit në Pallatin Buckingham. Me vizatime prej vitit 1450 deri më 1600, kjo është ekspozita më e madhe e këtij lloji e shfaqur ndonjëherë në Britani të Madhe

Figura si, një karkalec i përhumbur dhe një struc i fuqishëm, janë pjesë e 150 vizatimeve me shkumës, metal dhe ngjyrë, të shfaqura në ekspozitën “Drawing The Italian Renaissance”, e cila është hapur në Galerinë e Mbretit në Pallatin Buckingham. Krijuar nga gjigantë të Renesancës si, Leonardo da Vinci, Michelangelo, Raphaeli dhe Titiani, shpesh si përgatitje për tablo më të mëdha të pikturuara, këto vepra mendohet të kenë hyrë në Koleksionin Mbretëror në shekullin e 17-të. Disa prej tyre besohet të kenë qenë dhuratë për Mbretin Charles II. 

Më shumë se 30 prej këtyre vizatimeve ekspozohen për herë të parë për publikun. Të shfaqura rrallë për shkak të brishtësisë së tyre, këto vizatime mahnitëse – që, në atë kohë, kishin filluar të njihen si vepra arti më vete – përbëjnë ekspozitën më të madhe të vizatimeve italiane – nga vitet 1450 deri më 1600 – që është shfaqur ndonjëherë në Britaninë e Madhe.

Edhe më të rralla se këto studime të kafshëve janë vizatimet e grave të zhveshura, të cilat janë tri herë më pak në numër sesa vizatimet me shumicë të burrave lakuriqë. 

“Trupi mashkullor është fokusi absolut i krijimtarisë. Kjo ishte një shoqëri e krishterë dhe është trupi mashkullor, jo ai femëror, që është krijuar sipas figurës së Zotit”, shpjegoi historiania e Renesancës, Maya Corry, duke folur për ekspozitën.

Vepra e Leonardo Da Vincit, “Vitruvian Man”, me proporcionet e tij ideale trupore, është një shembull konkret. Ishte fiziku mashkullor, tha Corry, që i afrohej më shumë përsosmërisë hyjnore në ato kohë.
Arsyet për këtë mund të kenë qenë dhe çështje praktike. 

“Punëtoria e artistit do të kishte qenë një ambient mashkullor dhe në mungesë të ‘modeleve profesionale’ do të kishte qenë shkelje e të gjitha normave shoqërore nëse një grua do të hiqte rrobat para ndonjë burri tjetër, përveç burrit të saj”, thotë Martin Clayton, kuratori i ekspozitës.
Ishin modelët mashkullorë ata që pozonin për Michelangelon, për shembull, kur ai kishte nevojë për një figurë femërore.

 “Kjo çoi në keqkuptime dhe shtrembërime rreth paraqitjes së trupit femëror”.

Megjithatë, Raphaeli ishte ndër të parët që shkelën këtë trend, duke vizatuar gra lakuriqe bazuar në modele reale.

“Ai ishte një artist shumë pragmatik që përdorte vizatimin në mënyrë të shkëlqyer për të trajtuar probleme vizuale, dhe për të punuar shumë shpejt nga ideja fillestare deri në veprën përfundimtare”, tha Clayton. “Vizatimet na mundësojnë të shohim përgjigjet e menjëhershme të artistëve ndaj figurës së gjallë, ndërsa ata studionin pozën, proporcionin, lëvizjen dhe detajet anatomike të trupit femëror”.

E në rastin e Raphaelit, vendosmëria e tij e menjëhershme dhe pranimi i variacioneve dhe mundësive, janë gjithmonë të dukshme.

“The Three Graces”, vepra e Raphaelit e realizuar me shkumës të kuq dhe disa nënvizime nga metali, zbulojnë gjenialitetin e artistit. Ndërsa ai lëviz një modele nëpër tri poza të ndryshme, jemi dëshmitarë të procesit të kujdesshëm që qëndron pas realizimit të veprës së jashtëzakonshme të artistit, “The Wedding Feast of Cupid and Psyche”, ku këto tri figura u paraqitën më vonë. Pa rroba, kompleksiteti i trupit njerëzor ishte testi përfundimtar i talentit të një artisti të Renesancës, duke kënaqur gjithashtu pasionin e asaj epoke për shkencën.

“Shën Maria dhe fëmija, John Baptisti foshnjë dhe koka në profil”, Leonardo da Vinci, rreth viteve 1478 – 1480

Idhulli femëror

Pikërisht si “Davidi” i Michelangelos, i skulpturuar një dekadë më parë, Raphaeli duket se ndjek një idhull – edhe kur vizaton nga jeta. Në një letër, që thuhet se është shkruar për mikun e tij, Baldassare Castiglione, në vitin 1514, ai shpreh sfidën për të kapur përsosmërinë në jetën reale. 

“Për të pikturuar një grua të bukur, duhet të shoh disa bukuri”, shkruan ai. “Por duke qenë se të dyja, gjykimi i mirë dhe gratë e bukura, janë të rralla, unë përdor një ide të caktuar që më vjen në mendje”. 

Në pikturën e Raphaelit, “The Three Graces”, bukuria nënkupton lëkurë pa qime, pa defekte dhe gjoks e vithe të rrumbullakosura perfekt, si mollët që këto tri gra mbajnë në duar. Kur Sandro Botticelli i përfshiu “The Three Graces” në veprën e tij të titulluar “Spring”, butësia femërore u theksua me flokët që valëviteshin dhe rrobat e tyre me materiale të lehta. Ndërsa në pikturën e realizuar pas epokës së Renesancës nga Pietro Liberi, ato shfaqen me faqe ngjyrë trëndafili dhe lëkurën e njomë si porcelani, ashtu sikurse në veprën “The Head of the Virgin” të Federico Baroccit, e pikturuar një shekull më parë dhe gjithashtu e ekspozuar në Galerinë e Mbretit.

“Koka e Virgjëreshës”, Federico Barocci, rreth vitit 1582

Pikëpamja mashkullore

Mungesa e piktoreve dhe klienteve femra në Renesancë nënkuptonte që veprat e artit reflektonin pa dyshim pikëpamjen mashkullore.

“Perceptimet e gjinisë dhe roli nënshtrues i grave në kulturën e Renesancës shfaqeshin në imazhe, dhe sidomos në portrete, me imazhe të burrave që theksonin rolin dhe statusin e tyre shoqëror, politik ose profesional – ideali mashkullor ishte shumë i lidhur me dominimin”, tha historiania dhe autorja, Julia Biggs, eksperte në historinë e artit të Renesancës. 

“Në kontrast, gratë që takohen në portretet e kësaj periudhe paraqiten kryesisht me tiparet e bukurisë ideale (rinore) femërore, virtuozitetit (modestisë, përulësisë, bindjes) dhe amësisë”. 

Në atë kohë, lakuriqësia femërore kishte kuptime të ndryshme. Sipas Biggsit, “The Three Graces”, nga njëra anë mund të kenë krijuar “lakuriqësinë virtuoze”, që konsiderohej një shenjë e sinqeritetit dhe pastërtisë. Ndërkohë, në vende të tjera, lakuriqësia femërore lidhej me turpin.

Ekspozita na sugjeron të bëjmë më shumë sesa thjesht të qëndrojmë prapa dhe të shijojmë epokën e Renesancës, me të gjithë lavdinë dhe defektet e saj. Në vend të katalogut tradicional, është realizuar një libër i ilustruar skicash dhe materialet për vizatim gjenden në galeri. Publiku ftohet të ketë raport me veprat, përmes përpjekjeve të tyre krijuese – për disa, ndoshta, një mundësi për të ridizajnuar definicionin e tyre të trupit të burrit dhe gruas.

“Drawing The Italian Renaissance” qëndron e hapur në Galerinë e Mbretit deri më 9 mars të vitit 2025.