Vargjet e një prej epeve më të njohura shqiptare kanë qenë një grishje për publikun në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Dhjetë këngë të veprës “Lahuta e Malësisë” kanë jehuar me emocion nëpërmjet interpretimit të aktorit Armend Baloku.
Aktori 37-vjeçar ka përzgjedhur dhjetë këngët që i kishte përjetuar me afsh nga vepra monumentale, e kapërcimin nga një këngë në tjetrën e ka bërë më shkëputje të shkurtra nga skena.
Për një orë interpretim, ai solli një rrugëtim në veprën të cilën Gjergj Fishta e kishte nisur në vitin 1905, për ta mbaruar tek në vitin 1937. Në një skenografi modeste, shfaqja produksion e “PM Theatre” e ktheu gjithë vëmendjen te aktori, i cili nëpërmjet lëvizjeve të vazhdueshme e ka mbizotëruar skenën.
Interpretimin e ka plotësuar veçmas me shprehjet e fytyrës gjersa ka zbërthyer përmbajtjen e veprës që përshkruan ngjarjet e historisë shqiptare nga gjysma e shekullit të 19-të deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe në Konferencën e Londrës më 1913.
“Lahuta e Malësisë” erdhi premierë të mërkurën pasdite në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ani pse ajo ishte planifikuar më 6 nëntor. Ishte anuluar pak orë para premierës, me t’u dhënë kumti i miratimit të vendimit nga Qeveria e Kosovës për masa të reja për luftimin e pandemisë së koronavirusit.
Aktori Armend Baloku ka thënë se kjo vepër i kishte rënë në duar qysh fëmijë, por tek më vonë e kishte kuptuar përse ai libër mbahej i fshehur në një hapësirë mes dy dhomash në shtëpinë e tij. E gjatë leximit e kishte konfirmuar edhe më rëndësinë e saj, e që atëherë kjo vepër mbeti synimi i tij artistik.
“Gjithmonë në vete e kam pasur idenë që një ditë do ta përgatis qoftë për vete. Kur kam filluar ta përgatis sado pak e kam parë që paska mundësi të shfaqet edhe para publikut. E kanë punuar aktorë më herët, aktorë shumë të mirë shqiptarë si Çun Lajçi, Reshat Arbana, por tek aktorët e rinj nuk kam parë ndonjë vullnet dhe thosha është shumë mirë që ta shohin edhe një djalë të ri në këtë interpretim. Kur jam përcaktuar e kam punuar me vullnet të madh dhe e pashë që më të vërtetë ia vlen”, ka thënë Baloku.
Aktori Baloku ndërsa kishte krijuar një lidhje të fortë me veprën, pasioni për të sa vinte e shtohej. Ka thënë se prapa ka lënë tetë muaj punë e procesi i tij i provave ndonjëherë ishte përcjellë edhe me njerëz që kishin ardhur për ta dëgjuar nga afër procesin e finalizimit të këtij interpretimi. Pikërisht emocionet që ka marrë gjatë kësaj kohe e kanë bindur që ta punojë edhe më me përkushtim.
“E shihja që është një emocion goxha i vrullshëm dhe publiku reagonte që nga karrigia ku ishte ulur dhe kështu e pashë që ia vlen t’i shkëpus disa pjesë dhe ta bëj një orë program”, ka treguar Baloku.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Naser Shatrolli, ka thënë se skena e TKK-së gjithnjë mirëpret shfaqje me këtë format artistik.
“Lahuta e Malësisë”, sipas Shatrollit, përmbledh një punë të shkëlqyer, duke e kthyer historinë në një dimension krejtësisht tjetër.
“Ishte një gjetje, interpretim dhe artikulim i shkëlqyer i Armend Balokut. Ai e kishte bërë një model të një teatri të thjeshtë, por përplot emocion në interpretim, por në një frymë moderne me një thjeshtësi ideore skenike”, ka thënë Shatrolli.
Për shkak të situatës me pandeminë, kjo premierë pati një hendek kohor deri tek shfaqja para publikut.
Vlora Nikçi, e cila ka qenë producente dhe organizatore e interpretimit “Lahuta e Malësisë” ka thënë se pikërisht pandemia u ka mundësuar të përkushtohen tek gjërat e rëndësishme, si familja e kryevepra Gjergj Fishtës.
“Veprave të mëdha dhe të shkruara aq bukur, gjithçka që vë në to është e tepërt. E mira e veprave të mëdha është vetëm interpretimi i asaj që ka shkruar autori. Nëse e arrin aktori atë, ajo është më e bukura e që mendoj që Armendi e arriti atë. Edhe pse e kam parë një mijë herë në prova, mua sot më emocionoi”, ka thënë Nikçi për KOHËN.
Heshtja që krijohej nga kalimi i interpretimit nga njëra këngë tek tjetra plotësohej me duartrokitjet e publikut.
Rina Cukaj ishte në mesin e atyre që mezi kishte pritur premierën e shfaqjes “Lahuta e Malësisë”.
Cukaj, meqë është edhe studente e Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Prishtinës e veprat e Fishtës janë pjesë e përditshme e studimit të saj, ka thënë se aktori Baloku ka arritur ta përcjellë një ndjenjë të Malësisë përmes vargjeve fishtiane.
“Meqë unë kam studiuar gjuhësi, të gjitha provimet në letërsi e kanë përfshirë Gjergj Fishtën, por shumë pak dinë me e ndie shpirtin shkodran të Fishtës. Nuk e di nga vjen Armendi, por e ka interpretuar tamam si malësorët që e interpretojnë vargun e Fishtës”, ka thënë Cukaj.
Reprizat e shfaqjes “Lahuta e Malësisë” do të nisin nga fillimi i dhjetorit në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës.