Kulturë

Lahaj premton mbrëmje mbresëlënëse në kryeqytetin pa sallë koncertale

Njëzet vjet më parë, ai e kishte shkelur Prishtinën bashkë me karabinierë italianë. Por sonte dirigjenti italian, David Crescenzi, do të jetë pjesë e koncerti të hapur në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit. Bashkë me tenorin Ramë Lahaj dhe baritonin Kiril Manilov, ai do të jetë pjesë e koncertit të hapur që do të sjellë muzikë klasike në Prishtinë. Është pagëzuar “Ramë Lahaj dhe miqtë”.

Përvoja e suksesshme me koncertin e fundit të Filarmonisë ka bërë që organizatorët të kenë pritje të larta.

Në konferencën për media, të mbajtur të mërkurën në Komunën e Prishtinës, kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se ky koncert do të ofrojë një ngjarje fantastike për adhuruesit e muzikës.
“Pas një koncerti të suksesshëm të Filarmonisë së Kosovës, si pjesë e aktiviteteve 20/20, kemi vendosur që gjatë këtyre Ditëve të Diasporës, publikut të Prishtinës dhe Kosovës t’i ofrojmë edhe një eveniment tjetër fantastik”, ka thënë ai.

Kreu i Prishtinës ka theksuar se interesimi për këtë koncert është tejet i madh, e që, sipas tij, vërehet edhe nga fakti që hotelet nuk kanë vende të lira. 

“Në këtë rast kemi të bëjmë me një performancë që i drejtohet një publiku më të gjerë. Do të kemi një natë të paharrueshme”, ka shtuar Ahmeti për koncertin në skenën e të cilit do të ngjiten edhe sopranoja Besa Llugiqi e baritoni Adhurim Grezda nga Kosova, sikurse edhe pianisti Edon Ramadani, të shoqëruar me orkestruesit nga Kosova e Shqipëria.

Duke folur për koncertin, Lahaj ka bërë të ditur se do të ketë disa “surpriza” në programin që do t’i përshtatet një koncerti të hapur.

Kam provuar t’i përzgjedh disa vepra që janë më popullore dhe më të përshtatshme për një audiencë të hapur në shesh. Janë edhe disa këngë shqiptare që jemi përpjekur t’i adaptojmë në orkestër”, ka thënë ai.

Sipas fjalëve të tij, “është e rëndësishme që Komuna e Prishtinës ka filluar të krijojë një traditë muzikore përmes koncertesh”.

“Audienca jonë është relativisht e re në muzikën serioze. Ne nuk kemi ende një sallë koncertale, prej së cilës do të krijohej një repertor i rregullt. Nuk është problemi te shija, por te mungesa e infrastrukturës. Vendi ku Filarmonia mban prova lë shumë për të dëshiruar. Është e patolerueshme që edhe njëzet vjet pas luftës ende të mos ketë një sallë koncertesh. Edhe në intervista e kam thënë që një sallë e madhe do të hynte në punë, si për Filharmoninë, ashtu edhe për Baletin e Teatrin”, ka theksuar Lahaj.

Blerta Basholli, drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, ka thënë se ky koncert vjen pas kërkesave të shumta për muzikë serioze. Ideja e koncertit, sipas saj, ka ardhur pas koncertit të fundit të Filarmonisë.

“Kur organizohen aktivitete për diasporën, shpeshherë fokusohemi në elemente më tepër kombëtare e patriotike, ndërkohë që ka pasur kërkesa për koncerte me muzikë serioze”, ka thënë ajo.

Sipas Bashollit, programe të tilla janë prioritet për Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës.

“Ky koncert është po aq edhe për diasporën, duke ofruar një kualitet më ndryshe. Ky koncert është nder për çdo qytetar të Prishtinës dhe Kosovës”, ka përfunduar ajo.

Plot entuziazëm për koncertin është shfaqur edhe dirigjenti italian, David Crescenzi, i cili ka thënë se Ramë Lahajn e ka mik në rend të parë, e më pas edhe koleg.

“Kur Rama më bëri ftesën për këtë ngjarje, unë pranova menjëherë. Pashë një orkestër të shkëlqyeshme me një brez të ri muzikantësh. Vura re entuziazëm të madh nga njerëzit dhe mendoj që do t’ua kthejmë të njëjtin entuziazëm”, ka thënë ai.

Njësoj optimist për koncertin është shprehur edhe baritoni Kiril Manilov.
“Jam i lumtur që jam këtu me maestron dhe shpresoj që do të jetë një show për të gjithë”, ka thënë ai.