Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kush e solli Flamurin e Deçiqit, që u valëvit 107 vjet më parë

Më 6 prill 1911 u ngrit flamuri shqiptar në Deçiq. Është pikërisht ky flamur në fotografi që historianë poturexhinj dhe lakadredhës të politikës e anashkalojnë jo pa qëllim, na kujton sot me shkrimin e tij Kolec Palok Traboini.

Flamurin e Deçiqit e solli në Hot, përmes Dalmacisë, Palok Traboini, si sot, 107 vjet më parë, shkruan Kolec Palok Traboini, pa i kursyer nga ironizomi ata “Që t’i japin mundësi vetes te sajojnë histori të paqena, ta zëmë siç sajon përralla historiani i politikës së djathtë, deputet në listën e Shkodrës, që thotë se ky flamur është punuar nga terzinjtë e Krajl Nikollës”. Ky është mashtrim. Se edhe flamurët na i paska bërë Krajl Nikolla. Aq më tepër se gjyshi i vet a ndonjë kushëri i tij me mbiemrin Gurakuqi, punonte te sarajet e Krajl Nikollës dhe duan ta vendosin në histori përdhuni. Por histori me histeri nuk shkruhet.

Ky flamur është porositur nga Dedë Gjon Luli, i cili dërgoi në Vjenë të birin Kolën kur u bë porosia dhe pagesën e ka bërë Alardo Kastrioti. Por kur erdh puna për ta marrë atë flamur, lindi një problem se Kol Ded Gjon Luli nuk shkonte dot se ishte komandant ushtarak i trupave të Hotit, që kishte filluar luftën kryengritëse. Atëherë Deda dërgoi për ta marre atë flamur sekretarin e vet, Palok Traboini (1889-1951) / familja Çeku nga ku është edhe dëshmori Gjon Ujk Çeku/ fisi Gojçaj /dhe Palok Luc Çeku (Traboini) e solli atë flamur në Hot, te Kisha, dhe ia dorëzoi Ded Gjon Lulit. Deda urdhëroi djemtë luftëtarë ta shpalosnin në një pikë të lartë dhe u vendos në një grumbull gurësh në Bratilë të Deçiqit, më saktë aty ku bashkohet Hoti me Grudën. Bashkë me fotografinë e Flamurit Marubi ka ruajtur edhe një foto shumë të rrallë, një grup luftëtaresh që i ka shënuar luftëtarët e Deçiqit.. Ne atë fotografi janë Palok Traboini, që solli flamurin, Mirash Luca i Kastratit dhe Gjok Prel Çeku e disa që nuk i njohim e nuk i identifikojmë dot, që edhe ky Gjok Prela me vonë është vrarë në luftë kundër forcave esadiste. Po këta historianet e sajuar, as fotografitë nuk i marrin si dokumenta, madje as poemën me 1700 vargje që Palok Traboini ka shkruar po atë vit që u bë kryengritja, e cila është e botuar tre herë. Është poemë historiko-epike me ngjarje e persona realë. As kësaj nuk ia hedhin sytë se duan vetëm rrena që të kenë mundësi të manipulojnë historinë. T’i sajojnë ngjarjet ndryshe.

Sipas një zbulimi të fundit në Arkivin e Shtetit është gjetur nga Nikoll Loka viti i saktë lindjes së Palok Traboinit, më 29 mars 1889 si dhe janë gjetur vitet dhe vendet ku ka shërbyer si mësues, në Shkodër e rrethina, në Kosove dhe në trojet shqiptare në Mal të Zi. Dihet që Palok Traboini që në moshë të vogël është rritur në Shtëpinë e Motrës Tone dhe është martuar me të bijën e saj, Katrina Skanjeti -Traboini. Shkrimet e Palok Traboinit, poema dhe publicistika e botuar në vitin 1910, tek gazeta “Bashkim” e Dom Ndoc Nikës, janë mbledhur të gjitha në një libër të veçantë dhe janë botuar nën titullin "Flamuri në Deçiq" 2012, ku autor i librit është mësuesi Palok Traboini.

{gallery}

Artikuj të ngjashëm