Lufta e përgjakshme greko-turke (1919-22) ndërkombëtarizoi për herë të parë problemin shqiptar brenda Greqisë. Ndryshe nga sot, kur Athina zyrtare as nuk denjon ta njohë ekzistencën e një problemi çam, ngjarjet e furishme që pasuan përplasjen e madhe si dhe Traktati i Lozanës sollën projektorin ndërkombëtar mbi Epirin dhe çështjen e trajtimit të shqiptarëve në këto anë.
Çështja ngriti krye seriozisht kur në një sesion të Konferencës së Lozanës, më 19 janar 1923, përfaqësuesi italian i pranishëm në këto bisedime, Giulio Cesare Montagna, tërhoqi vërejtjen se shqiptarët e Greqisë duhej të përjashtoheshin nga shkëmbimi i popullsive.
Madje, në horizont dukej se po frynte një erë e mirëkuptimit kur delegati grek Dimitrios Kaklamanos, në seancën e 19 janarit, deklaroi se shqiptarët e Epirit duhet të përjashtohen nga shkëmbimi, meqë ata “edhe pse janë me të njëjtën fe si turqit, nuk janë në asnjë mënyrë bashkëkombës me ta”.
Njënjëshëm edhe përfaqësuesi turk në konferencë, Riza Nur, përkrahu një gjë të tillë. Në prill të vitit 1924, një komision i veçantë filloi një mision të vështirë në Epir dhe Maqedoni, për t’u njohur nga afër me gjendjen në terren për çështjen e atyre që do të shkëmbeheshin.
Por, pavarësisht një muaji të kaluar mes zhbirimesh, ky komision doli në përfundimin se “pjesa dërrmuese e myslimanëve grekë që banojnë në Epir dhe Maqedoni thonë pa asnjë ngurrim se janë me prejardhje turke dhe rrjedhimisht ata duan të përfshihen në shkëmbim. Por, ka edhe pakica të kufizuara në shumë vende që thonë se janë me prejardhje shqiptare, e që duan të përjashtohen nga shkëmbimi i detyruar”. Ky përfundim disi ambivalent ngriti siparin e një konfrontimi diplomatik shqiptaro-grek, i cili pas disa vitesh do të zhvendosej edhe në sesionet e Këshillit të Lidhjes së Kombeve.
Prishtina: “Hoxhallarët fanatikë, në shërbim të qeverisë greke”
Qysh në korrik të vitit 1922, Hasan Prishtina kishte ngritur shqetësimin që popullata shqiptare e Epirit po i nënshtrohej dëbimit me përdhunë. Në një letër drejtuar një të njohuri të tij në Athinë (me gjasmë zyrtar i lartë), Prishtina e alarmonte se “dyzet mijë shqiptarë nga popullsia e Sanxhakut të Prevezës e të Çamërisë që flasin gjuhën amtare, si pasojë e propagandës edhe e nxitjes turbulluese të disa hoxhallarëve e bejlerëve fanatikë si dhe presioneve të qeverisë greke, do t’i nënshtrohen shkëmbimit”. Diplomacia e shtetit shqiptar do të tregohej veçanërisht intrasigjente, duke shfrytëzuar të gjitha kanalet e saj dhe epërsinë e të qenët anëtare e Lidhjes së Kombeve.
Qysh në dhjetor të vitit 1922, drejtori i Sekretariatit të Përgjithshëm të Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve, Benedikt Blinishti, adresonte telegramet e shumta të ministrit të Punëve të Jashtme, Pandeli Evangjeli, ku dënohej përpjekja e autoriteteve greke për dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë drejt Azisë së Vogël dhe vendosjen e refugjatëve grek-folës nga Anadolli dhe Thraka në vend të tyre.
Sado që diplomatët shqiptarë, përfshirë edhe ambasadorin e atëbotshëm në Athinë, Mit’hat Frashëri, citonin gjerësisht zotimin e Dimitrios Kaklamanosit se shqiptarët myslimanë nuk do të shkëmbeheshin në Turqi, drama e vërtetë do të fillonte kur i ashtuquajturi “Komision i Përzier”, i drejtuar nga suedezi Eric Einar Ekstrand, do të fillonte nga marsi i vitit 1924 zhbirimin e çështjes faktike në terren.
Megjithëse Athina zyrtare krijonte mbresën sikur gjithçka do të zgjidhej paanësisht, autoritetet greke në mënyrë subversive nisën veprimet që të përftonin një gjendje të re në terren. Kështu, qysh në gusht të vitit 1923, një delegacion nga Paramithia i drejtoi një ankesë Legatës holandeze në Athinë, duke i përkujtuar se ndonëse vendosën që të qëndronin në vendin e tyre, ata po përballeshin me diskriminimin e autoriteteve lokale greke.
Këtyre kambanave do t’u binte pas pak kohe edhe kryeministri shqiptar, Fan Noli, sipas të cilit autoritetet greke po nxisnin shqiptarët e Epirit për t’u larguar nga vendbanimet e tyre. Në ndërkohë, procesi i shpërnguljes do të merrte hov krejt papritur. Kanalet diplomatike shqiptare, siç vërehet edhe nga letrat e ambasadorit Mit’hat Frashëri, kishin pikasur se një numër myftinjësh myslimanë, si Mehmet Zeqirja dhe Halil Hilmiu, po nxisnin popullatën shqiptare të shpërngulej me vullnetin e saj në Turqi.
Shumë prej tyre, me udhëzimin e autoriteteve lokale greke, dilnin para anëtarëve të Komisionit të Përzier, duke u thënë atyre se shqiptarët ndiheshin turq dhe dëshirë e tyre ishte largimi për në Turqi. Kjo situatë e nderë do të përshkohej nga një antagonizim në rritje mes dy palëve, kur Tirana kërcënoi për herë të parë se do t’i përgjigjej Greqisë me monedhë të njëjtë, duke dëbuar pakicën greke në jug.
Frashëri: “Shqiptarët po dëbohen...”
Përfaqësuesi shqiptar në Lidhjen e Kombeve, Mehdi Frashëri, në një adresim të jashtëzakonshëm në një nga sesionet e kësaj organizate, dha një pasqyrë kronologjike të problemit duke numëruar përpjekjet e vazhdueshme të autoriteteve greke për t’i dëbuar shqiptarët çamë në kundërshtim me zotimet e dhëna në Konferencën e Lozanës.
Në tehun e kritikave ishte edhe dëbimi i shqiptarëve të rretheve të Kosturit dhe Follorinës. Në vijim, KOHA sjell adresimin brilant të Mehdi Frashërit në një nga sesionet e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.
E “dyllosur” me datë 4 dhjetor 1925, letra e Qeverisë shqiptare që arriti tri ditë më vonë në adresë të Lidhjes së Kombeve, i mëshonte rrezikut të shpërnguljes së çamëve duke përsëdytur rastin e bashkatdhetarëve të tyre në rrethet e Kosturit dhe Follorinës.
“Lidhja e Kombeve ka shtjelluar në disa raste çështjen e shqiptarëve rrënjës që jetojnë në Greqi dhe shqiptarëve ortodoks që jetojnë në Turqi. Si rrjedhojë e përfaqësimit të delegacionit shqiptar në Konferencën e Lozanës, delegatët turq dhe ata grekë thanë që ata nuk kanë qëllim që shqiptarët t’i bëjnë subjekt të shkëmbimit të detyrueshëm”, nis shpleksjen e problemit letra e përfaqësuesit të Qeverisë shqiptare. “Republika turke mbajti fjalën e saj, por jo edhe qeveria greke, pavarësisht zotimeve të saj solemne, pavarësisht pranisë së anëtarëve asnjanës në komisione dhe nënkomisione, pavarësisht mbikëqyrësve të caktuar nga Lidhja e Kombeve dhe pavarësisht caktimit të një përkthyesi shqiptar për këto misione, ndërmori të gjitha masat e mundshme për t’i shmangur detyrimet e saj dhe në qershor të vitit të kaluar, pas trajtimit mizor të gjithë shqiptarëve myslimanë në Greqi që nga 1923, duke i dënuar ata me humbjen e të gjitha të drejtave civile, një ndëshkim kaherë i varrosur në historinë e mesjetës, përzuri popullatën shqiptare nga 32 fshatra të rretheve të Follorinës dhe Kosturit në Maqedoni; tani po ua punon të njëjtën edhe shqiptarëve myslimanë në krahinën e Çamërisë.
Shqiptarët e Maqedonisë, që po dëbohen gabimisht në Azinë e Vogël, humbën gjysmën e familjeve si pasojë e krajatave dhe të tjerët janë kthyer në Shqipërinë e lirë si skelete të gjalla”.
Sipas Frashërit, Qeveria shqiptare kishte bërë çmos për ta bindur qeverinë greke që t’u përmbahet detyrimeve të saj, por më kot. Kështu, në dritën e urgjencës së gjendjes, sipas tij, Qeveria shqiptare ka qenë e shtyrë që t’i deklarojë përfaqësuesit grekë në Tiranë se nëse këto metoda të vendosjes së ikanakëve shqiptarë vazhdojnë, do të jetë e detyruar që kundër dëshirës së saj t’i ndërmarrë të njëjtat masa kundrejt grekëve në Shqipëri.
“Përfaqësuesi grek është udhëzuar nga qeveria e tij që ta njoftojë Tiranën se nëse ndodh kjo qeveria greke do të ndërmarrë masa të përshtatshme. Ne po përballemi me kundërshtimin e qeverisë greke për ta përmbushur një ndërmarrje solemne dhe ne qëndrojmë buzë një konflikti mes dy qeverive fqinje. Një memorandum i hollësishëm mbi këtë çështje i është adresuar kryetarit të Këshillit. Po kështu, unë do të kërkoj nga ju që t’ia përcillni këto dokumente Këshillit të Lidhjes”, përfundonte letra e përfaqësuesit shqiptar.
Memorandumi i Qeverisë shqiptare
Memorandumit të gjatë e minucioz të Qeverisë shqiptare, mes dokumentesh përplotësuese, i bashkëngjitej edhe “Aneksi 11”. Aty thuhej bindjeplotë se një nga metodat e qeverisë greke për t’i detyruar shqiptarët për të aplikuar për dëbimin e tyre “është të mbështetet te myftinjtë, që e quajnë veten si krerë të fesë myslimane, por që në të vërtetë janë agjentë të caktuar dhe të paguar nga autoritetet”.
“Mund të përmendet myftiu i Filatit, Mehmet Efendiu, i njohur ndryshe si Hoxha Memo. Ai thotë se është në favor të shkëmbimit, por megjithatë ai ka blerë një dyqan dhe pronë në vlerë prej 400 mijë drahma vitin e kaluar dhe ai nuk ka as më të voglin qëllim që të largohet nga vendi”, thuhej në memorandumin e palës shqiptare.
“Myftiu Halil nga Gumenica është agjent i paguar nga qeveria greke. Shtëpia dhe kopshtet e tij, si në rastin e të gjithë shqiptarëve, ishin zënë nga refugjatët, por ata ishin larguar nga autoritetet greke. Që nga ajo kohë, Halili është shprehur në të mirë të shpërnguljes, por ai është shqiptari i fundit që do të largohej nga Epiri. Autoritetet greke deshën ta blinin edhe myftiun Adem Ferizi i Margëlliçit, por nuk ia dolën. Ceka, prefekt i dikurshëm i Prevezës, është njeriu kryesor që ka ryshfetosur shqiptarët”.
Ekstrakte nga dokumenti i qeverisë shqiptare:
(***)
Shqipëria është një vend i vogël dhe është e dëshirueshme që kombet e vegjël të flasin sa më pak që është e mundur. Ju siguroj se unë jam i kënaqur që është kështu, por fatkeqësisht ne jemi të shtrënguar të flasim dhe, siç do ta shihni, çështja është e njëjta me atë për të cilën kemi qenë të detyruar të merremi vijimisht gjatë dy viteve. Zotërinj, është çështja e shqiptarëve të fesë myslimane që jetojnë në Greqi, veçanërisht për trevat e aneksuara qysh nga viti 1912. Këta banorë përbëjnë një popullatë rrënjese që ka jetuar në këto visore qysh nga motet që s'mbahen mend dhe pas luftës turko-ballkanike ky popull, që numëronte mbi 90 mijë në Maqedoni dhe Epir, e pranoi gjendjen e re dhe vetëm kërkoi që të jetonte paqësisht me grekët dhe të respektoheshin të drejtat e tyre si qenie njerëzore. Ata ishin një popull fort punëtor dhe paqësor dhe fshatrat e tyre njiheshin si më të begatat në krejt Maqedoninë dhe Epirin.
(***)
Unë mund t’jua kujtoj, zotërinj, se shkëmbimi i popullsive është pranuar si rrjedhojë e luftës mes dy vendeve - Greqisë dhe Turqisë - dhe nuk kishte arsye pse një popull që nuk ishte përfshirë në këtë fesat, d.m.th. shqiptarët, të përfshiheshin në fatkeqësitë e deportimit. Ne tani po jetojmë në shekullin e 20-të dhe feja nuk duhet të ngatërrohet me racën, siç bëhej në mesjetë. Sidoqoftë, Shqipëria kërkoi një masë disi më të madhe të sigurisë, ajo aplikoi në Lidhjen e Kombeve duke kërkuar që të garantohet respektimi i stipulimeve të Lozanës sa i përket elementit shqiptar.
(***)
Me 17 dhjetor 1923, Shkëlqesia e tij, zoti Kaklamanos e siguroi Këshillin se Greqia ishte e përkushtuar për të respektuar angazhimet e saj dhe nuk do të dëbonte shqiptarët myslimanë nga vendi dhe shtëpitë e tyre. Problemi dukej mjaft i zgjidhur dhe rreziku i kapërcyer. Le ta shohim tani sesi autoritetet greke respektuan angazhimet e tyre. Para fillimit të vitit 1924, një komision i përbërë nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Athinës vizitoi Maqedoninë dhe Epirin. Ky komision deklaroi zyrtarisht - dhe gazetat greke riprodhuan deklaratën me kënaqësi - se në krejt Epirin ishin vetëm nëntë familje që ishin përjashtuar nga shkëmbimi i detyruar për shkak se - siç deklaroi komisioni –Greqia ka vendosur të respektojë vetëm shqiptarët që ishin rrënjës në Shqipërinë e pavarur. Të gjithë të tjerët ishin subjekt i deportimit dhe konfiskimit të pasurisë së tyre. Sa i përket shqiptarëve në Maqedoni, Komisioni deklaroi zyrtarisht se ata duhet të gjithë të dëboheshin dhe të mirat e tyre të konfiskoheshin me arsyetimin se deklarimet dhe premtimet janë bërë ekskluzivisht për shqiptarët në Epir dhe kurrsesi për ata në Maqedoni, edhe nëse ata vinin prej territorit të Shqipërisë së pavarur.
(***)
Në përputhje me këtë parim, detyra e parë e Komisionit të Përzier ka qenë zgjidhja e çështjes mes dy palëve të përfshira dhe, zotërinj, këto dy palë janë Greqia dhe Turqia, dy vende që kanë qenë në luftë dhe ushtima e armëve të tyre ka trazuar paqen e botës. Prandaj, komisioni ishte de facto dhe de jure një komision turk dhe grek. Shqipëria ka qenë thjesht një e huaj, një element i papërfillshëm dhe prandaj i harruar. Shpresoj që këto fjalë nuk janë të zgjedhura keq. Çka ishte në mendjen e Komisionit? Ishin dy milionë turq dhe grekë dhe pronat e tyre, kurse shqiptarët më pak se 90 mijë dhe Shqipëria nuk ishte në luftë. A duhet që unë të përzmadhoj nëse shkoj e them, savoir faire, se Komisioni duhet t’i njohë shqiptarët si faktor i papërfillshëm? Për më tepër, termi “komision” implikon një detyrim mbi anëtarët për të mos marrë asnjë vendim përveçse kur votohet me shumicë. Dhe tani, zotërinj, pa dashje kam hedhur ankesa kundër Komisionit të Përzier. “Me shumicë votash”, thashë. Ky parim ka ndikuar në masë jo të vogël drejt rrënimit të elementit shqiptar. Si pahiri, Turqia dhe Greqia panë që interesat e tyre puqeshin në këtë pikë. Arsyet për këtë më duhet t’i shpjegoj. Për Greqinë, deportimi i shqiptarëve do të thoshte konfiskim i pasurive të tëra, që do të mund t’u jepeshin ikanakëve të ardhur nga Azia e Vogël. Sa i përket Turqisë, krejt prona e shqiptarëve e lënë në Greqi u bë aset në llogarinë e Turqisë me Greqinë dhe çdo shqiptar i bartur në Azinë e Vogël ndihmoi që të mbushej boshllëku i lënë nga lufta dhe shkëmbimi.
(***)
Udhëtimi i zotit Ekstrand dhe Hamdi beut në Epir, qëllimi i të cilit ishte të përcaktonte çështjen e origjinës shqiptare, u shtri vetëm nga Preveza deri në Janinë, me gjithë ftesat dhe thirrjet nga popullata shqiptare e cila, duke u mbështetur në deklaratën e zotit Kaklamanos, mbajti origjinën e pastër shqiptare të të gjithë myslimanëve në Epir. Në Janinë, zoti Ekstrand dhe Hamdi beu folën me terma të njëjtë ashtu si në Prevezë. Nga Epiri ata u nisën drejt Maqedonisë. Nga Soroviqi, zoti Ekstrand ua nisi një telegram shqiptarëve të 32 fshatrave në nën-perfekturat e Kosturit dhe Follorinës për të ardhur në Soroviq për të provuar prejardhjen e tyre shqiptare. Shqiptarët u përgjigjën se të gjithë janë të së njëjtës prejardhje dhe duhej që zoti Ekstrand t’i vizitonte fshatrat me qëllim që ta kënaqte veten me këtë fakt. Delegatët nuk bënë asgjë. Madje edhe më parë, zoti Ekstrand ka pranuar një listë të hollësishme të fshatrave në Maqedoni, të banuara nga shqiptarët. Në Maqedoni, nën-komisioni i përzier që punonte në terren ishte i përbërë nga delegati grek zoti Floridi dhe ai turk Safet beu, si dhe delegati asnjanës Baron von Linden. Zoti von Linden kurrë nuk mori mundin që të udhëtonte, duke parapëlqyer të qëndronte në Selanik dhe Soroviq. Zoti Floridi dhe Safet beu u pajtuan për dëbimin e krejt shqiptarëve nga Maqedonia. Ata u thanë vetëm kaq atyre që i vizituan dhe kur ishin në zgrip ata kërkonin prova të origjinës shqiptare. E kam dëgjuar të thuhet, zotërinj, dhe është e vërtetë se ka zëra që edhe fisnikëria do ta provojë prejardhjen nga kalorësit kryqtarë, Godfret de Bouillon ose Richard Coeur de Lion, por nuk do të ishte lehtë të kërkohen letra nga fshatarët shqiptarë në Maqedoni ose Epir, se edhe po të pranohej që ata janë pasardhës të shokëve të Pirros dhe Lekës së Madh, ata do ta kishin të vështirë të provonin prejardhjen e tyre me shkrim, për arsyen e thjeshtë se në ato kohëra shkrimi nuk përdorej. Shkurt, metodat e përdorura nga Komisioni i Përzier dhe qëndrimi i treguar nga zoti Esktrand, Hamdi beu, Baron von Lindon, zoti Floridi dhe Safet beu rrjedhuan me shpërnguljen e 31 prej 32 fshatrave në Maqedoni. Shpërngulja u bë disi me nxitim dhe me përdorimin e shkopinjve nga xhandarët grekë, popullata shqiptare u përzu si të ishte tufë dhensh në stacionin hekurudhor të Soroviqit e pastaj u shpërngul në Selanik, ku duhej të priste 6 javë për anijen që do ta çonte në Azinë e Vogël. Kot protestuan këta 35 mijë shqiptarë, kot bënë thirrje për zotimet solemne të dhëna nga Greqia.
(***)
Cili ishte fati i 31 fshatrave të deportuara në Azi të Vogël? Përgjigja ndryhet brenda dy fjalësh: shkrumbim dhe vdekje. Në tetor, banorët e fshatrave Vinan, Remb dhe Viçishtë kërkuan që të lejoheshin të linin Azinë e Vogël dhe t’u bashkoheshin vëllezërve të tyre në Shqipëri. Nëse duhet të vdesim, ata thanë, le të vdesim të paktën mes njerëzve tanë dhe jo në Azi të Vogël, ku nuk mund të flasim as dy fjalë turqisht. U deshën nëntë muaj përpjekje të pareshtura për të marrë leje për t'u larguar nga Turqia. Peticione dhe telegrame iu dërguan vazhdimisht Komisionit të Përzier dhe Lidhjes së Kombeve. Do të shihni dy nga këto ankesa në anekset 6 dhe 7. Këta shqiptarë kërkuan “është fakt që skllavëria e zezakëve është hequr qysh nga fushata e kardinal Lavigerie, apo gjithçka është rrenë, për shkak se ne shqiptarët grekë po trajtohemi nga organizatat e Lidhjes si skllevër të mjerë?” Dhe ata nuk mund të ktheheshin në Shqipëri deri në korrikun e fundit, të drobitur e të katandisur si hije. Shumë komunitete të fshatrave të tjera tani ndodhen në Anadoll, duke pritur kohën për t’u kthyer në Shqipëri. Po ku janë paratë e kërkuara për udhëtim dhe për t’u dhënë mjete për jetesë këtyre familjeve të sakatosura?
(...)
Që nga viti 1922 e deri në këtë çast kur po flas në Këshillin e Lidhjes, shqiptarët myslimanë të Epirit i janë nënshtruar një sistemi të dhunës dhe vuajtjeve. Shtëpitë e shqiptarëve myslimanë janë rekuizituar nga ikanakët grekë. Fushat, kopshtijet, pemët e ullinjve, vreshtat, pemët e shegës, lisat në Vlorë, të gjitha janë zaptuar nga refugjatët. Pronarët e ligjshëm janë shtyrë të jetojnë në shtëpitë e tyre të kruspullosur në një dhomë të vetme dhe shpesh në plevica. Dhe mjerim për ata që guxojnë të ankohen apo t’i bëjnë ballë kësaj padrejtësie? Po të plagosë një refugjat ndonjë shqiptar, është ky i fundit që menjëherë arrestohet dhe bartet nga fshati në fshat derisa arrin në Janinë. Shembuj të këtyre metodave mund të ketë me qindra. Përveç kësaj, refugjatët, xhandarët dhe hajdutët i bashkojnë duart në një fushatë jashtëzakonisht të organizuar dhe dhelpërake. Policia lokale e ka bërë praktikë të rregullt rrahjen. Hajdutët marrin plaçkë derisa xhandarët dhe oficerët i shohin qetë ose madje edhe ndajnë plaçkën. Unë do të përmend vetëm emrat e hajdutëve Cile Mastora, Niko dhe Kiamo dhe nuk do të them asgjë për emrat e tjerë. Me pretekstin se po ndjekin hajdutët, patrullat që janë në lidhje me ta lëshohen mbi fshatrat shqiptare, bëjnë rrahje në të gjitha anët, rrëmbejnë gjërat e vlefshme gjatë kërkimeve dhe kërkojnë haraç.
(***)
Ju duhet ta dini se në krejt Epirin nuk ka asnjë refugjat grek që të jetë vendosur në shtëpi greke. E përsëris, as edhe një i vetëm. Epiri ka 250 mijë banorë, prej të cilëve 25 mijë janë shqiptarë myslimanë. Kjo përbën një të dhjetën e popullsisë së gjithmbarshme dhe a do të duhej që në këtë përpjesëtim shqiptarët të ndanin sakrificat dhe ndihmën në emër të refugjatëve? A është e drejtë që elementi shqiptar të ketë krejt barrën? Përgjigjja është se ky trajtim ndaj shqiptarëve nuk është pasojë e nevojës, por është rezultat i një qëllimi të vetëm, që është detyrimi i shqiptarëve për t'u larguar nga vendi.
(***)
Dita e shumëpritur erdhi dhe në qershor 1925, tre mbikëqyrësit (zoti Ekstrand, gjeneral de Lara dhe zoti Widding) filluan një udhëtim në Epir dhe vizituan qytetet e Gumenicës, Janinës dhe Konicës. Si e nisën punën e tyre këta zotërinj?
1. Ka qenë thelbësore për Greqinë që t’ua provonte shqiptarëve se nuk frikësohej nga përfaqësuesit e Lidhjes dhe se shqiptarët u gabuan nëse menduan se mandati i këtyre tre anëtarëve asnjanës do të thoshte fund i vuajtjeve. Gjatë ditëve të para të vizitës së mandatarëve, Abedin Dule Xhemajli, një tregtar i kamur i Gumenicës, u përzu në Prevezë me qëllim që ai të mos piqej me Komisionin. Por, ai u lirua dhe u kthye në shtëpi sapo mandatarët arritën në Prevezë.
2. Xhandarët dhe ushtarët grekë penguan shqiptarët që të dilnin para Komisionit dhe t’i paraqisnin ankesat e tyre.
3. Banorët e fshatrave të Dermicës dhe Salicës (në nën-perfekturën e Gumenicës) u penguan nga xhandarët për të vizituar kryeqytetin për t’i parë mandatarët. Këta fshatarë u rrahën prej xhandarëve dhe gratë e tyre i frikësuan.
4. Fshatarët e blerë me para greke xhandarët i sollën para mandatarëve me qëllim që të deklaroheshin se ishin turq dhe dëshironin të shkëmbeheshin.
5. Përfaqësues të qyteteve të Filatit, Paramithisë dhe Margëlliçit u vizituan nga zoti Ekstrand (kryetari i Komisionit të Përzier dhe rrjedhimisht edhe i mandatarëve) për të kërkuar një audiencë. Zoti Ekstrand i ktheu prapa duke u thënë se mandatorët do t’i vizitonin këto tri qytete me qëllim të sigurimit të fakteve nga vendi. Ekstrand, sidoqoftë, me pretekstin se nuk dinte të kalëronte, nuk shkoi as në Filat, as në Paramithi dhe as në Margëlliç.
6. Një i ri i quajtur Hajredin nga fshati Arvenicë pati dëshirë të shihte mandatarët. Ai u pengua nga xhandarët dhe u keqtrajtua por iku nga rojet dhe i mbytur në gjak arriti ta gjejë zotin Ekstrand në Janinë.
Të gjitha këto incidente dhe shumë të tjera pos këtyre janë sjellë në vëmendjen e mandatarëve dhe ata si qenie të qytetëruara, detyra e të cilave është të fshehin emocionet, ishin të gatshëm me një buzëqeshje të mirësjellshme.