Manipulimi i një fotografie sot nuk e ka ngarkesën negative që dikur bartte me vete. Tek arti vizual, manipulimi artistik qëndron në bashkekzistencë thuajse harmonike me origjinalin e thatë të një fotografie.
Gjithçka kishte nisur teksa me kureshtjen e një 13-vjeçari po eksperimentonte në telefonin e tij të mençur. Një aventurë që sakaq do t’i hapte dyert e një universi me pafund mundësi, përjetime artistike e komunikime, shkruan sot Koha Ditore.
Ky është rrëfimi frymëzues i Sirio Beratit, fotografit të ri shqiptar që po mahnit botën me krijimet e tij plot mesazhe e përfytyrime. Fotografia konceptuale i kundërqëndron një bote që ende nuk i kupton përmasat e sprovave të shekullit. Ishte larguar në një moshë krejt të re nga Shqipëria.
Thotë se nuk kujton gjë tjetër, përveç njerëzve. “Njerëzit bëjnë vendin, sidomos në vendlindjen time, ku ka një cikël monoton të jetës”, nis rrëfimin e tij Sirio 19-vjeçar. Kthimi i imagjinatës në diçka të prekshme
Përmallimi i tij për vendlindjen nuk kthehet në ekzaltim patetik. Kështu qytetimuze, Berati, është bërë pjesë e një fotografie të përpunuar artistikisht e me thirrje që kuptohen në të gjitha gjuhët e botës. Thotë se do të donte të krijonte edhe një video të shkurtër për Shqipërinë.
Pasi kishte mbaruar arsimin fillor në Shqipëri, Sirio do të vazhdonte gjimnazin në Angli. Në fotografitë e tij të shfaqura në ekspozita të ndryshme vërehet thuajse vazhdimisht një fiksim pas temave apokaliptike.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)