E mbrojtur si monument, Kulla e Fetah Kurexhajt në fshatin Kurexh të Gjilanit është përfshirë nga flakët. Megjithëse, sipas Policisë, monumenti që daton prej vitit 1850 ka marrë flakë të shtunën, edhe pasditen e së dielës strukturat e drunjta kanë vazhduar të digjen me intensitet të ulët. Ndërtesa e përbërë nga gurët dhe tullat prej llaçi tradicional figuron në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme me numër rendor 1241. Sipas banorëve të asaj zone, monumenti qysh prej vitit 2011 kishte mbetur pa çati. Dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme dhe është rasti i radhës në trashëgimi kulturore që përballet me këso situate. Dhjetë ditë më parë u shkrumbua një tjetër monumenti në Gjakovë
Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore ditëve të fundit ka marrë hov. Pa u bërë dy javë prej se zjarri përfshiu Muzeun e Muzikës në Gjakovë, një tjerë monument është djegur. Kulla e Fetah Kurexhajt në fshatin Kurexh të Gjilanit është përfshirë nga flakët. Megjithëse, sipas Policisë, monumenti që daton prej vitit 1850 ka marrë flakë të shtunën, edhe pasditen e së dielës strukturat e drunjta kanë vazhduar të digjen me intensitet të ulët.
Ndërtesa e përbërë nga gurët dhe tullat prej llaçi tradicional figuron në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme me numër rendor 1241. Sipas banorëve të asaj zone monumenti qysh prej vitit 2011 kishte mbetur pa çati.

Shtëpia që gjendet në malet e Karadakut tash e 80 vjet është pronë e familjes Ukshini.
Fshati Kurexh, që gjendet rreth tre kilometra larg Zhegrës, tani nuk ka më banorë rezidentë. Kjo pjesë është e frekuentuar gjatë verës nga familja Ukshini për kullotjen e bagëtive. Fazli Ukshini, kushëri i familjes pronare të monumentit, ka treguar se të shtunën ishte bashkë me të vëllanë për t’u kujdesur për bagëtitë, kur panë se shtëpia ishte në flakë. Qe 65-vjeçari i cili lajmëroi Policinë për rastin. Ai dyshon se ishte zjarrvënie e qëllimshme.
“As prej nxehtësisë, as prej vetëtimave, as rrymës, pasi këtu s’ka as shtylla të rrymës, kjo është vetëm e qëllimshme. Nuk e di nga kush, por nuk ka se si të marrë flakë ndryshe, pasi asnjëherë nuk ka ndodhë që të digjet më herët”, ka treguar ai.
E Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë filluar hetimet.
“Ankuesi kosovar ka njoftuar policinë se shtëpia e vëllait të tij, e vjetër rreth 200 vjet, që ishte në mbrojtje të përkohshme të Trashëgimisë Kulturore të Republikës së Kosovës, është djegur. Sipas ankuesit, dyshohet se shkaktar i zjarrit është faktori njeri”, shkruhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Institucionet e trashëgimisë kulturore ka kohë që kanë nisur procesin për restaurimin e ndërtesës. Por një gjë e tillë nuk është finalizuar asnjëherë. “Gjendja e asaj shtëpie është si çdo vend tjetër që është nën mbrojtje si trashëgimi kulturore. Aty asnjëherë nuk është vendosur as edhe një rrethojë apo pllakat. Sivjet kemi shpresë se do ta restaurojmë”, ka thënë Arton Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjilan. Sipas tij, sivjet e kanë dërguar në Ministrinë e Kulturës planin për restaurimin e saj.
Kurse institucioni më i lartë kulturor në vend, të dielën nuk ka pasur kurrfarë përgjigjeje sa u përket masave që do të merren në raport me monumentin që gjendet në komunën më lindore të Kosovës.
Rruga që çon nga Zhegra deri te fshati Kurexh është vështirë e kalueshme. Pa asfalt e as zhavorr, është rruga që i bie trup malit të Karadakut. Oborri i Kullës nuk është i rrethuar, e aty nuk ka të vendosur as edhe një shenjë që objekti është nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore. Aty nuk gjen as ndonjë mbishkrim informues për historinë e ndërtesës. Në oborrin e Kullës familjarët kanë ndërtuar disa stalla për bagëti dhe një shtëpi njëdhomëshe. Afër saj është edhe një shtëpi tjetër që, sipas Fazli Ukshinit, është e ndërtuar në të njëjtën periudhë me objektin e djegur. Por që gjendja e saj është më e mirë. Muret dhe kulmi nuk janë të shembura.
Për këto dy objekte, sipas Fazliut, shteti asnjëherë nuk ka intervenuar në mirëmbajtje.
“Kanë thënë mos i prekni se njëjtë si shtëpitë në fshatin Tërzi që kanë filluar t’i restaurojnë do të vijnë e do t’i restaurojnë edhe këto. Prej 2011-s i kemi këto fjalë”, ka thënë ai.
Pronari i shtëpisë së djegur jeton jashtë shtetit, e vëllai i tij, Nazif Ukshini, i cili qëndroi 30 vjet në këtë shtëpi, ka shprehur shqetësimin se muret ku ai kaloi fëmijërinë do të zhduken nëse nuk restaurohet objekti.

“Edhe këtu në oborr ka qenë më herët një shtëpi që e kemi ndërtuar ne, mirëpo nuk ka mbetur asgjë nga ajo. Kështu mundet me përfundu edhe kjo shtëpi ku me vështirësi e kanë ndërtuar”, ka thënë ai. Ka kujtuar kohën kur ishte banor rezident i Kullës.
“Të freskëta i kam kujtimet. Atëherë kjo shtëpia ka qenë si tash një shtëpi e madhe në Prishtinë. Ende më kujtohet furra këtu, ku nëna gatuante. Në të njëjtin vend ka gatuar edhe gruaja ime për disa vjet, derisa jemi zhvendos në Zhegër”, ka treguar ai.
Kur ajo që, sipas shtetit është Kullë, ndërsa banorët i thonë shtëpi, ishte e banueshme, brenda saj numëronte katër dhoma në katin e dytë. Ndërsa një pjesë e katit përdhes ka qenë kuzhinë, e një pjesë stallë për bagëti. Ai ka treguar historinë se si është ndërtuar kjo shtëpi, që familja e tij e bleu para 80 vjetësh.
“Krejt drurët i kanë mbajtur me krah. Ashtu siç më kanë treguar të parët e mi, thuhet se janë bërë nga 15 veta që t’i bartnin. Tani ma problem e kanë pasë me gurë që është dashtë me ecë mbi tre kilometra me i bartë, si indianët i kanë punuar disa rrjeta për t’i bartë gurët”, ka treguar 71-vjeçari. Sipas Ukshinit, fshati dhe Kulla kanë edhe vizitorë, por jo të shpeshtë.
“Këtu kemi vizitorë nga Anglia, Gjermania, e nga Amerika. Mirëpo numri është i vogël, edhe s’besoj që mundemi me pasë më shumë njerëz që vijnë këtu, se nuk e dinë, askund nuk shkruan. As në Zhegër e as kurrkund”, ka thënë ai.
Kronikat për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore janë të shpeshta kohëve të fundit.
Në pasditen e 30 gushtit ndërtesa e Muzeut të Muzikës në Gjakovë kishte hyrë në kapitullin e fundit të shkatërrimit: qe kapluar nga zjarri. Historia e shkatërrimit të kësaj ndërtese nuk është e re. Por demolomi i saj pothuajse i tërësishëm është arritur nga zjarri masiv. Përderisa, sipas institucioneve komunale, eksponatet ishin larguar më herët dhe ndërtesa do të rindërtohej në vitin që vjen, anëtarë të Qeverisë kishin akuzuar Komunën për këtë rast. Sipas Policisë, edhe për këtë rast hetimet vazhdojnë. Ndërtesa e njohur si “Tabhane” ishte rindërtuar plotësisht më 2012 nga Ministria e Kulturës. E prej vitit 2016 qe shndërruar në Muze të Muzikës. Shumica e instrumenteve ishin larguar para se të kaplohej nga flaka pasi monumenti në qendër të Gjakovës ishte vandalizuar vazhdimisht.
Po në gusht dy herë ishte tentuar të rrënohej një prej monumenteve më të rëndësishme të Mitrovicës. Rasti i “Shtëpisë së Familjes Koroglu” në Mitrovicë ka alarmuar institucionet e trashëgimisë kulturore dhe ato të sigurisë. Për tentim të rrënimit një person do të japë llogari ligjore, përderisa shteti ka nisur që të hartojë një projekt për ndërhyrje emergjente. Shtëpia qytetare e shekullit XIX gjendet në zonën e parë të qytetit të Mitrovicës. Autoritetet komunale dhe ato të trashëgimisë kulturore në muajin korrik kishin dyshuar për një tentim të rrënimit. Por në gusht e kanë vërtetuar atë. Madje një i dyshuar është liruar me procedurë të rregullt për këtë rast.
Demolimi i aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë sanksionohet me Kod Penal. Edhe me Ligjin për Trashëgimi Kulturore gjobitjet shkojnë deri në 500 mijë euro.
Në mars të këtij viti, një ditë pasi kishte nisur restaurimi, Shkolla e Parë Shqipe në Ferizaj ishte kapluar nga zjarri. Kjo është bërë dhjetë ditë pasi zjarri që dyshohej se i ishte vënë qëllimshëm, e bëri shkrumb krejt kulmin e ndërtesës së viteve 1928-1930. Një grup punonjësish të kompanisë punëkryese kanë nisur restaurimin disa ditë më pas dhe monumenti që njihet edhe si Shkolla e Parë Shqipe “Ismail Qemali” e Gjimnazi i Ulët Shqiptar është në prag të kthimit në identitet.