Kulturë

Kukaj – shkrimtari që bëri bashkë artin e pedagogjinë për fëmijë

Togfjalëshi “letërsi për fëmijë” mund të jetë keqdrejtues. Tek thesaret e kryeveprave të përbotshme hyjnë edhe libra që u shkruan pikërisht për të vegjlit. Si të tilla mund të përmenden veprat e Mark Twainit, Charles Dickensit, e madje edhe distopikja “Ferma e kafshëve” e Orwellit shtjellohet nëpërmjet një parabole për fëmijë. Me traditë përgjithësisht të re, letërsisë shqipe në Kosovë nuk i munguan emra të shënueshëm që tëholluan shijet letrare të fëmijëve.

Më 11 shtator të vitit 2005, pak para se t’i bënte 67 vjet, në një nga plazhet e Ulqinit ndërroi jetë një burrë me flokët e shpeshtë e të thinjur.

Në 15-vjetorin e vdekjes së tij miq e dashamirë të letërsisë kanë kujtuar shkrimtarin e shquar për fëmijë, Rifat Kukaj. Në mbrëmjen poetike “Ora e shkrimtarit” që u mbajt të hënën mbrëma në mjediset e “KultPlus Caffe Gallery” në kryeqytet, panelistë e diskutues kanë evokuar kujtime për njërin nga letrarët më të lexuar në vend.

Në fillim të diskutimit, teksa ka lexuar një biografi të shkurtër, kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendi, ka thënë se Kukaj, pos shkrimtar për fëmijë, ishte skenarist, dramaturg e përkthyes veprash të shumta.

“Ai ishte risimtar i fjalës dhe shkrimit”, ka thënë Kelmendi teksa ka bërë me dije se Kukaj ka lënë pas vetes rreth 100 vëllime letrare.

Ndërsa ka përshëndetur nismën e PEN Qendrës për të nderuar autorët me ndikim, profesoresha e letërsisë, kritikja dhe shkrimtarja për fëmije, Qibrije Demiri-Frangu ka thënë se pa letërsinë për fëmijë, nuk ka as letërsi për të rritur.

Sipas saj, në disa vende ku është vënë re një rënie e letërsisë për fëmijë, shteti ka dhënë donacione për të nxitur interesimin e krijuesve.

“Sado që dikur ishte koha e komunizmit, nuk mund të mohohet se atëherë ka pasur një sistem botimesh të letërsisë për fëmijë”, ka thënë Demiri-Frangu.

Ajo ka përmendur se letërsia e sotme për fëmijë ka plot të meta me personazhe horizontale e pa ide të veta, të reduktuara e të patipizuara.

“Rrallëherë ngrihen në nivelin e vlerave”, ka shtuar Demiri-Frangu.

Ajo është kthyer prapa në vitin 1981 kur botoi librin e parë me poezi “Buzëqeshja s’është larg” dhe Kukajn e kishte pasur redaktor. Ka thënë se ai ishte autor shumëdimensional që shkroi në shumë zhanre.

“Te ne autorët e letërsisë për fëmijë kanë pasur një bagazh tejet të varfër me një ‘letërsi livadhesh e fluturash’”, ka vlerësuar Demiri-Frangu.

E këtë trend e thyen Rifat Kukaj e Agim Deva që, sipas saj, sollën “komponentin urban” në letërsinë për të vegjël.

Duke qenë i lindur e i rritur në një mjedis anekdotash, siç ishte Drenica, edhe letërsia e Kukajt do të përdorte shpesh diskursin anekdotik.

“Letërsia e Kukajt kishte një simbiozë të artit me pedagogjinë”, ka shtuar ajo.

Studiuesja e letërsisë ka vlerësuar po ashtu se Kukaj nuk e ngarkonte poezinë me figura personifikimi, por me kreativitet u shmangej rimave konvencionale dhe temave të shterura.

“Rifati u jepte poezive deklamacion dhe bënte lojë kur i recitonte”, ka vijuar ajo.

Ndërsa ka theksuar se Kukaj kishte një intuitë të lindur prej krijuesi, Demiri-Frangu ka vlerësuar se “nuk mund të shkruhet asnjë histori e letërsisë për fëmijë apo antologji e poezisë për fëmijë pa Rifat Kukajn”.

“Rifati është ndër mësuesit tanë të letërsisë, sepse në një shoqëri analfabete, siç ishte Kosova pas Luftës së Dytë Botërore, ishte vështirë të lindnin krijues”, ka thënë, mes të tjerash, ajo.

E panelisti tjetër, shkrimtari Ibrahim Kadriu ka evokuar 11 shtatorin e para 15 vjetëve kur Kukaj pësoi sulm në zemër në kohën kur po bënte plazh në rërat e Ulqinit.

Kukaj ishte një nga shkrimtarët më të lexuar, përshtypje që, sipas tij, fitohet nga Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë dhe organizime të tjera letrare ku merrte pjesë.

“Ai e ngrinte nivelin artistik me recitime, humor e aktrim. Sharmi i tij ishte i veçantë dhe i kapshëm për të gjithë”, ka vlerësuar Kadriu.

Ai ka shprehur keqardhje që shumë nga këto paraqitje nuk janë xhiruar me kamerë.

Duke folur mbi veçantinë e tregimeve dhe poezive të Kukajt, Kadriu ka cituar një vlerësim të Ymer Elshanit, shkrimtarit drenicak që u pushkatua me gruan, katër djemtë, nënën dhe kunatën.

“Rifat Kukaj kultivon poezi sublime e të butë të përshkuar me elemente të humorit”, kishte thënë Elshani për Kukajn.

Një miqësi e veçantë do të lindte mes Kukajt dhe shkrimtarit për fëmijë, Odhise Grillo. Respekti i ndërsjellë mes shkrimtarëve të lindur në Drenicë e Himarë do të shprehej me plot poezi për njëri-tjetrin.

Duke zënë në gojë pikërisht këtë miqësi të të dy shkrimtarëve të shquar, gazetari Arbër Selmani ka thënë se është e rëndësishme të vilen rrëfime nga familjarët e Kukajt.

“Për fat të keq, unë jam nga gjeneratat e fundit që dinë ta çmojë një emër si Rifat Kukaj”, ka thënë ai.

Kurse ish-ambasadori dhe publicisti, Avni Spahiu, i cili ishte i pranishëm në këtë mbrëmje, ka kërkuar që shkrimtarët si Kukaj të mos harrohen.

“Ne duhet t’i çmojmë këtë shkrimtarë, sepse është dëm të humbë një trashëgimi letrare siç ishte ajo e Rifatit”, ka theksuar ai.

Të pranishmit kanë përmendur se edhe teksti i këngës ikonike të Nexhmije Pagarushës “Baresha” ishte shkruar prej Kukajt.

Rifat Kukaj lindi më 25 tetor 1939 në fshatin Tërstenik të Drenicës. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, kurse Shkollën Normale në Prishtinë. Një kohë punoi mësues në vendlindje, pastaj ishte reporter dhe redaktor i emisioneve për fëmijë të Radio Prishtinës e më pas redaktor i botimeve për fëmijë në Redaksinë e Botimeve të “Rilindjes”.

Shkroi për fëmijë dhe të rritur, në prozë dhe në poezi, duke përfshirë këtu edhe tekstet e dramave dhe skeçeve humoristike për radio dhe televizion. Shquhej për prirje të veçantë për t’i shfrytëzuar motivet e letërsisë popullore, mbi të cilat krijoi vepra të reja.

Stili i rrjedhshëm, gjuha e pasur me figura e filozofi popullore, struktura inventive, e brumosur me dialog, humor e satirë, veprat e tij i bënë shumë të dashura për fëmijë.

Ka botuar librat për fëmijë “Rrëfejza” (1965), “Trimnitë e Karkalecit” (1967), “Kështjella e dritës” (1968), “Harmonika e vogël” (1968), “Bardhi e Mirushja” (1968), “Princi i Krujës” (1969), “Ujëvarë malli” (1969), “Shtegu i laureshave” (1971), “Lepuri me pesë këmbë” (roman, i ekranizuar, 1971), “Kokërmeli e pilivesa” (1971), “Shkrepi i diellit” (1972), “Dita e xhufkave” (1972), “Dylbitë e kapedanit” (1973), “Minaku i përhimtë” (1973), “Përqafimet e njoma” (1968), “Gjerdani i blertë” (1965), “Vallja e kallinjve” (1968), “Fshati i pishës” (1969), “Lejlekët në luhaja” (1971), “Një gaforre defatore” (1974), “Rrasa e zogut” (1975), Çka fshin dhelpra me bisht” (1976) e të tjera, ndërsa për të rritur: “Nusja”, (1971), “Përtej dhembjes” (1974), “Përmasa” (1974), e më 1980 botoi pesë vepra; “Ditë pranvere në pyll”, “Macja në gjezdi”, “Qeni bari”, “Dy zagarë kumbarë” dhe “Deti u bëftë kos”, kurse më 1983 iu botua “Djaloshi i zjarreve”.

Pesë drama dhe skeçe për fëmijë iu botuan në vëllimin “Fëmijët në skenë” dhe ishte autor i skenarit të filmit “Lepuri me pesë këmbë”, sipas romanit po me këtë titull.

Ishte fitues u shumë shpërblimeve dhe mirënjohjeve. Shumë nga këto vepra janë përkthyer dhe botuar në gjuhë të ndryshme të vendit dhe jashtë.

Ndryshe, projekti “Ora e Shkrimtarit” – që përkrahet edhe nga Ministria e Kulturës – do të vazhdojë aktivitetin edhe me përkujtimin e dy shkrimtarëve të tjerë: Mensur Raifi (12 nëntor) dhe Mirko Gashi (19 nëntor).