Kulturë

“Kujtim i mbuluar” vë në lëvizje rrëfimin për martirët e Kosovës

“Kujtim i mbuluar” vë në lëvizje rrëfimin për martirët e Kosovës

“Kujtim i mbuluar” bashkon rrëfimet për familjarët e vrarë në luftë. Kostumet janë një lloj artefakti si shenjë e personazheve nga lufta e fundit në Kosovë

Kujtimet janë të trishta, por mënyra se si i sjell ato Ariana Krasniqi, kanë një lloj elegance, duke përdorur koreografinë për t’i përjetësuar rrëfimet për humbjen e familjarëve në luftë. Minidokumentari “Kujtim i mbuluar” është homazh e thirrje që kujtimet për atë kohë të mos mbulohen nga harresa

Ndriçimi vetëm i projektorit dhe jehona e zërit brenda sallës, është skenografia për shpalosjen e rrëfimeve të ndjeshme të të afërmve të Ariana Krasniqit përmes minidokumentarit “Kujtim i mbuluar” të xhiruar në Teatrin e Gjilanit, i cili u dha premierë para një audience që përjetoi katarsis prej ngjyrave të errëta të zërit që nxjerr i biri i të vrarit në luftën e Kosovës.

Projekti i ideuar para dy vjetësh kur miku i babait të Arianës, Beqir Asllani, i mbijetuar i masakrës së Hallaçit ia kishte përshkruar asaj historinë e vet të mbijetesës, kishte zënë fill kur ajo – me motivin për t’ia dedikuar dajës së saj të vrarë nga serbët – ka shprehur dëshirën ta realizojë një lloj dokumentari të shkurtër.

Me t’u fikur dritat brenda sallës, të enjten mbrëma nis rrëfimi i parë nga Idriz Govori, familjar i të vrarit, i cili përmes kujtesës së tij kthehet në kohën kur ishin bërë masakrat, duke treguar në detaje çdo pjesë të memories së vet nga ajo kohë.

Ndonëse Ariana Krasniqi që është edhe regjisore e këtij dokumentari, në kohën e luftës ka qenë në Gjermani, vetëm katër vjeçe, e mban mend nënën e saj tek qante dhe rrëfen se gjithmonë e kishte brejtur pyetja: ‘Çka po ndodh?” 

“Duke u rritur, duke u pjekur, e kam kuptuar se paska ndodhur një luftë, serbët paskan vrarë kosovarë. Kjo më ka prekur, sepse në atë kohë mendoja se çfarë fati kishim që prindërit e mi, për fëmijët e vet e kanë lënë Kosovën, jetën shumë të mirë këtu, unë nuk e përjetoj atë dhimbje që e kanë këta, ama prapë se prapë e ndieja, edhe pse nuk më ka prekur tema e luftës, jetoja një jetë të mirë atje, por dhimbjen e tyre e kam ndier, kështu që nuk ka qenë aq e lehtë as për mua”, ka rrëfyer ajo në një përgjigje për KOHËN.

Ka treguar se familjarët e vet kanë qenë mbështetësit e saj më të mëdhenj, sepse e kanë kuptuar mënyrën se si ajo do ta shprehë artin e saj.

“Familjarët e kanë kuptuar botën e artit tim, se çka dua të shfaq, megjithëse nuk jam regjisore me profesion, jam munduar që jo vetëm familjarët, por edhe krejt Kosova, s’ka lidhje kush e sheh këtë dokumentar, ta shohë veten në këtë projekt, sepse koncepti ka qenë ta kemi një fëmijë, që dikush kur e kujton fëmijërinë, e sheh veten në atë personazh, si çika e tezes sime. Krejt femrat në atë kohë u kanë dhënë njerëzve bukë, si rasti i tezes sime”, ka thënë ajo. Ka thënë se është munduar që në “Kujtim i mbuluar” secili, “i vogël e i madh, mashkull e femër, të mund ta gjejë veten në këtë pjesë”. 
Me një projekt si ky, ajo ka thënë se ka për qëllim që gjenerata më e re ta dijë se çfarë kanë sakrifikuar personat, të vdekur e të gjallë për këtë tokë. 

Rrëfimi i dokumentarit bëhet më i afërt edhe me ekspozimin e kostumeve të përdorura në projektin filmik

“Ta kuptojnë se Kosova ka vuajtur, ka pasur situata të tmerrshme dhe të mos i harrojnë kurrë”, ka thënë Krasniqi. 

Ajo çka është spikatur në fund të këtij dokumentari ka qenë silueta e një kërcimtari. I veshur me të bardha, Sead Vuniqi ka personifikuar dajën e vrarë. Përmes valles, ai ka sjellë një koreografi, për të përcjellë te shikuesit edhe hapjen e duarve kur dajës i kanë plasur plumbat në trup.

“Kërcimtari e ka pasur rolin e dajës, e ka pasur edhe veshjen e dajës, jo ato origjinale, por jam bazuar në atë që daja ka pasur qejf të vishet, gjithmonë e ka dashur një lloj setre, pantallona, të duket elegant”, ka thënë Krasniqi. 

Nëpërmjet introspeksionit si dizajnere, është munduar ta kthejë në forcë atë që është dhimbje. Përmes kësaj, ajo synon që vepra e saj të jetojë përherë. Rrëfimi i dokumentarit bëhet më i afërt edhe me ekspozimin e kostumeve të përdorura në projektin filmik. 

“Çka mendoj se është e veçantë këtu është se zakonisht kur bëhen dokumentarët ose filmat për luftën, kuptohet se janë të dhimbshëm, dhe unë jam munduar ta marr artin këtu dhe atë dhimbje ta kthej në forcë, ato rroba që i kam bërë do të jenë përgjithmonë, çdo dhimbje që e kanë treguar është pasqyruar aty në ato veshje”, ka folur Ariana Krasniqi me lëvizje “si dizajnere” të duarve.

Dokumentari paraqet edhe rrëfime sensitive nga persona të tjerë, si Filloreta Vitia, Kumrie Veliu-Vitia, Dardan Velija dhe Fidan Ismajli. 

Ky i fundit ka përshkruar mes lotësh vrasjen mizore të të atit. Nën përcjelljen e muzikës së krijuar nga George Alexandru Baldovin, bashkë me lotët e të birit dëgjohen tinguj të shurdhër të të qarave në audiencën brenda sallës.

Pas një diskutimi me krijuesen, është përmbyllur ngjarja dhe Fidan Ismajli ende mes lotësh, ka treguar për KOHËN rëndësinë e konservimit të rrëfimeve si ky.

“Ariana më ka bërë ftesë para dy muajsh, ta them të drejtën nuk jam ndier aq mirë, e falënderoj shumë, është një artiste punëtore, vetëm dikush si ajo ka mundur të më bindë të bëhem pjesë e këtij projekti, por edhe e kam ndier obligim dhe mundësi për ta treguar përjetimin tim, që të mbetet i dokumentuar. Ka qenë e vështirë ta tregoj, kam qenë goxha i mërzitur”, ka treguar ai pasi salla është zbrazur.

Është mënyrë e veçantë, sipas tij, që Ariana Krasniqi si artiste e ka bërë koreografinë e balerinit, për t’i përshkruar përjetimet e tyre. 

“Në Kosovë ka përjetime shumë më të rënda, mendoj se kjo që e ka bërë Ariana është njëra prej mënyrave që njerëzit mund të dalin t’i përshkruajnë përjetimet e veta që ato të mbesin sa më shumë të dokumentuara në popullin tonë, që t’i shohë krejt bota dhe ndoshta një ditë të na japë përgjegjësi shteti serb për atë krim që e ka bërë e që do të na përcjellë gjatë gjithë jetës”, ka thënë ai.

Premiera e këtij dokumentari ka qenë e mbyllur dhe e dedikuar vetëm për të ftuarit.