Pothuajse në errësirë të plotë, me studentët të cilët mbanin dritat e telefonave ndezur te partiturat e instrumentistëve, ka nisur nata e tretë e festivalit ndërkombëtar të muzikës, “Chopin Piano Fest”. Shumë artdashës, pjesëtarë të Filharmonisë së Kosovës, personalitete të shquara të muzikës e politikës, studentë të muzikës e italianë të cilët jetojnë në Kosovë, kanë mbushur sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore Universitare. Por, jo gjithçka shkoi siç duhej. Në sallë mungonte ndriçimi. Drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha, e nisi mbrëmjen duke folur pa mikrofon dhe duke njoftuar me keqardhje se koncerti i së shtunës do të mbahej në kushte të tjera. Pa energji elektrike.
Posa pesë artistët italianë dolën në skenë, bashkë me ta dolën edhe pesë studentë për t’u kujdesur për ndriçimin nëpërmjet telefonave. Por kjo zgjidhje e ka rënduar situatën shkaku i reflektimit të dritës përballë instrumentistëve.
Megjithatë, përkundër gjendjes së vështirë, performanca e muzikantëve nga Italia, Epifano Comis (piano), Vito Imperato (violinë), Giovanni Anastasio (violinë), Alberto Salmon (violë) dhe Benedetto Munzone (violonçel), sipas të pranishmëve ishte për t’u admiruar. Ata arritën që në kushte shumë të vështira t’i realizonin në mënyrë të shkëlqyer dhe shumë mjeshtërore që të dyja veprat.
Në pjesën e parë grupi italian luajti veprën “Kuintet për piano Op. 44” të Robert Schumanit. Kjo vepër u kompozua më 1842 dhe njihet gjithandej botës së muzikës klasike. Ky kuintet pianistik i Schumannit konsiderohet si një nga kompozimet e tij më të mira dhe ishte vepër kryesore e muzikës kamertale e shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Në pjesën e dytë, pesë instrumentistët italianë interpretuan veprën e kompozitorit çek, Antonin Dvorak, “Kuintet për pino op n.2 op.81”, të cilën e kompozoi më 1887. Brenda kësaj vepre kompozicionale ishte edhe zhanri instrumental i njohur si Dumka, një shkrirje e muzikës epike sllave në atë klasike.
Edhe
Romantizmi bashkon trion për tinguj lirikë në “KamerFest”
Rolin kryesor në formacion e kishte pianisti, në këtë rast, Epifanio Comis, i cili e udhëheq kuintetin. Comis u lind më 1968 në Katania të Italisë. Ai njihet si pianist dhe dirigjent. Studioi në institutin e muzikës “Vincenzo Bellini” në Katania, ndërsa më 2013 mori çmimin prestigjioz, “Sergei Rachmaninov”. Në maj të vitit 2013 Comis drejtoi të gjitha koncertet pianistike dhe Orkestrën Simfonike të Donetskut në Festivalin “Rachmaninoff”.
Comis është edhe drejtor artistik i “ConcertFest Accademia Pianistica Siciliana” në Moskë. Në vitin 2011 themeloi “Accademia Pianistica Siciliana” në Katania, ndërsa më 2014 organizoi Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës në Katania “Le Grandi Serate Musicali”.
Në fund të koncertit publiku në shenjë mirënjohje i ka zgjatur duartrokitjet goxha.
Pas përfundimit të ngjarjes, pianisti Epifano Comis ka thënë se është shumë i kënaqur me interpretimin e parë në Kosovë, përkundër vështirësive me të cilat u përballën. Ai gjithashtu theksoi ndihmën e ofruar nga stafi organizativ, Ambasada e Italisë në Kosovë dhe veçmas për mikpritjen aq të ngrohtë të publikut.
"Është hera e parë që ne performojmë në Kosovë. Ishte me të vërtetë impresionuese veçmas për shkak të problemit që patëm me dritat. Por, ne u ndiem me të vërtetë mirë, sepse arritëm të gjejmë diçka për ta kënaqur publikun e këtij koncerti. Organizatorët së bashku me artistët, por edhe ambasadori italian, na ndihmuan shumë në këtë organizim. Ne jemi shumë mirënjohës që ishim këtu në Kosovë dhe audienca ishte shumë mikpritëse ndaj nesh”, ka thënë Comis.
Edhe
Mbyllet edicioni i 14-të i “Chopin Piano Fest”
E gëzuar se ia dolën në krye kësaj mbrëmjeje dhe se në fund edhe publiku edhe artistët u ndanë të kënaqur, ishte organizatorja e këtij festivali, Besa Luzha. Ajo tregoi se si për “Chopin Piano Fest” ishte shumë e rëndësishme t’i kishin të pranishëm këta pesë artistë të mirënjohur italianë dhe se për këtë ajo falënderoi Ambasadën italiane për bashkëpunimin.
“Ky është një ansambël shumë fantastik që ne mezi s’kemi pritur ta kemi dhe fatmirësisht, meqenëse sivjet kemi bashkëpunuar me Ambasadën italiane në Kosovë, bashkëpunim i cili ka qenë shumë i mirë, kjo ditë ka qenë e vetmja që kemi mundur të përputhemi me Festivalin”, ka thënë ajo.
Lidhur me problemin e energjisë elektrike, i cili shkaktoi shqetësim si tek organizatorët e Festivalit ashtu edhe tek artistët, Luzha tregoi se zgjidhja e tij ishte e pamundur. Pavarësisht se KEDS-i, sipas saj, iu kishte premtuar rregullimin e energjisë elektrike, hapja e natës së tretë i kishte gjetur në gjendje të rëndë tollovie e pa rrymë.
“Gjithçka ka shkuar shumë mirë me Festivalin, edhe sot gjatë ditës gjithçka ka qenë në rregull, por pastaj nga ora 17:00 stafi na ka njoftuar se nuk ka rrymë, nuk ka drita e me këtë rast as ndriçim në sallë. Ne e kemi njoftuar KEDS-in. Na kanë premtuar se do ta rregullojnë dhe ne kemi shpresuar se ashtu do të ndodhë, por ja që nuk ndodhi. Për ta anuluar koncertin nuk kemi mundur, sepse ka qenë shumë vonë”, ka thënë ajo.
I kënaqur me bashkëpunimin që në këtë edicion patën me “Chopin Piano Fest”, u shpreh edhe ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu. Ai theksoi se shkëmbimi i artistëve midis Kosovës dhe vendit të tij, Italisë, ndihmon në shkëmbimin e përvojave dhe kulturave, si dhe njëherësh krijon edhe raporte më të ngushta miqësore.
Edhe
Maestro Bellucci rikthehet në skenën e zbehtë me shkëlqimin e ngjyrave muzikore
“Ne jemi shumë të lumtur që kemi ndihmuar t’i sjellim këta artistë me renome. Ishte një kërkesë nga ‘Chopin Piano Fest’ dhe ne jemi shumë të kënaqur me këtë bashkëpunim midis nesh dhe Kosovës. Për ne është shumë e rëndësishme që të rrisim bashkëpunimin kulturor jashtë vendit, t’i shkëmbejmë përvojat njerëzore, sepse kjo do të ndihmojë në thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona”, ka thënë De Riu.
“Chopin Piano Fest” këtë vit mban edicionin e dymbëdhjetë, i cili do të përfundojë më 8 qershor. Në të do të marrin pjesë artistë nga vende të ndryshme si: Spanja, Italia, Sllovenia, Gjermania Hungaria, Norvegjia, Franca, Austria e vende të tjera përfshirë edhe Kosovën.