Prishtinë, 14 janar – Është një vepër kinematografike që përplasjes mes të vjetrës dhe të resë, mendësisë tradicionale dhe asaj moderne, u ndajshton një kontekst shqiptar. Me dialogë interesantë e peizazhe të bukura të xhiruara në Maqedoni e Shqipëri, filmi “Kthimi” i regjisorit Kastriot Abdyli ka në qendër të tij mërgimin si sprovë.
Selman Lokaj, Hazir Sh. Haziri, Delphin Depardieu, Liridona Shehu, Safete Rogova, Sefedin Nuredini e të tjerë, përbëjnë kastën e aktorëve në rrëfimin dramatik për përplasjet kulturore mes tradicionalizmit shqiptar dhe vlerave të reja që sjell mërgimtari i sapokthyer në vendlindje. Ky film, i dhënë premierë para dy vjetësh në Shkup, nga e enjtja do të prezantohet edhe para publikut filmdashës në Azi. Edicioni i 18-të i “Dhaka International Film Festival” (DIFF) do të jetë destinacioni i radhës për filmin e bashkëprodhuar nga Kosova dhe Maqedonia. Lajmi është bërë i ditur të hënën nga vetë regjisori Kastriot Abdyli, i cili ka afishuar njoftimin zyrtar nga DIFF.
“Përshëndetje nga Dhaka International Film Festival! Kemi kënaqësinë t'ju njoftojmë se ‘Kthimi’, nën regjinë e Kastriot Abdylit, do të shfaqet në seksionin e ‘Spirituals Films’, që do të mbahet në Dhaka nga 11 deri më 19 janar 2020”, thuhet në njoftimin e këtij bienali të filmit që mbahet në kryeqytetin e Bangladeshit.
E regjisori Abdyli këtë e ka vlerësuar si një mundësi që edhe publiku në vendet aziatike të njohë diçka nga kultura dhe tradita shqiptare.
E pos turit në Azinë e largët, “Kthimi” këtë javë do ta vizitojë Gjermaninë për herë të tretë.
E të premten, sipas informacioneve të afishuara në “filmstadt-muenchen.de”, pos “Kthimit” do të shfaqet edhe filmi i metrazhit të shkurtër “Çlirimi” i regjisorit Burim Haliti.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)