Në mendësinë mbarëmesdhetare, ku prejardhja ngre kandar, “dypërkatësia” bëhet vërtet mëdyshje alla-hamletiane. Mbi këto hulli endet edhe “Kreolët e Ballkanit”, teksti dramaturgjik i Enver Petrovcit, i shkruar më 1989, në një kohë kur gjërat e kishin marrë rrjedhën e vet të pakthyeshme. Por për dikë edhe shfaqja vjen me jo pak hamendësime në realizim, me përsëritje e klishe versionesh të mëhershme
Ndjenja e dyfishtë e përkatësisë mund të bëhet fill i trazimeve të brendshme. Por ajo bëhet shumëfish më e rëndë kur ky dyzim “gjakrash” pikëpritet me realitete të ashpra politike. Me të vetmin përngjasim me botën e tragjizmave sofokliane, kur paralindja nuk është zgjedhje, martesat e përziera në Ballkan e patën orën e ligë kur një brez i tërë fëmijësh “kreolë” duhej të merrnim një vendim. Në mendësinë mbarëmesdhetare, ku prejardhja ngre kandar, “dypërkatësia” bëhet vërtet mëdyshje alla-hamletiane. Çdo përcaktim është i dënuar që të sjellë pafund dilema të tjera.
Mbi këto hulli endet edhe “Kreolët e Ballkanit”, teksti dramaturgjik i Enver Petrovcit, i shkruar më 1989, në një kohë kur gjërat e kishin marrë rrjedhën e vet të pakthyeshme. Zigzagun e premierave të dhëna në Beograd, Tiranë e Ulqin kjo shfaqje e vijoi të martën edhe në Prishtinë, duke hapur perdet e repertorit të sivjetmë të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Me një publik më të shumtë sesa që e kishin menduar organizatorët e shfaqjes mysafire, aktorët Bin Sylejmani, Agron Shala, Vanesa Petrovci, Leonit Maloku dhe Armend Zeqiri kanë interpretuar për më shumë se një orë e gjysmë karakteret që e gjejnë vetën të mpleksur në lojën e “kreolëve”.
“Këtu jemi të ngjashëm. Jam kreol, melez, me gjak të përzier. Por unë jam përcaktuar me kohë”, i sokëllin me tërbim inspektori i Sigurimit jugosllav (i interpretuar nga Agron Shala) Hekuranit të ri (të interpretuar nga Bin Sylejmani).
Projektori i shfaqjes bie mbi një skenë hetuesie, ku inspektori i hakërrehet Hekuranit duke përdorur herë shkopin e kërcënimeve e herë karotën e premtimeve për udhëtime e komoditete.
Fakti se qysh në fillim në mënyrë tacite merret vesh se bëhet fjalë për të rrëmbyerën pranverë të 1981-tës, kur demonstratat e mëdha sollën të parin ballafaqim me ideologjinë jugosllave, e bëri më të lehtë për publikun që të kuptimësonte dialogët.
Ashtu siç e kishte thënë një ditë para shfaqjes dramaturgu e regjisori Enver Petrovci, kreolët idealë të Ballkanit u kthyen në më të përndjekurit e kohës. Tekqë neutraliteti ishte më i pamundur, përcaktimi shpesh kishte çmimin e shkatërrimit të jetës personale duke zgjedhur për të jetuar edhe vetëm me njërin prind.
Pas lirimit të Hekuranit nga hetuesia, shtjellja e ngjarjes ndërfuti në lojë edhe karaktere të tjera: Besimin (Leonit Maloku) dhe Marian (Vanesa Petrovci). Tek i pari tipizohej një i ri i rrëmbyer e idealist deri në naivitet, tek e dyta një vajzë e re “kreole”.
Në bashkëbisedimin që bën me shokun e vet të ngushtë pasi janë shmangur në një qosh të sigurt, ku nuk i kap syri i hafijeve të pushtetit jugosllav, Hekurani rrëfen jetën e vet si bir i një nëne serbe e deri te përballja me një shoqëri që nuk e pranonte në gjirin e vet, madje e quante pezhorativisht “shiptari”. Ky zgjim i personazhit kthehet në një revoltë mbipersonale: Hekurani, për të cilin bashkëmoshatarët shqiptarë thoshin se e flet shqipen me “theks serb”, bëhet pjesë e grupeve që kërkonin statusin e republikës për Kosovën.
Por në më të shumtën e rasteve shfaqja ishte e parashikueshme për shkak të klisheve të shumta: martesat e përziera shqiptaro-serbe jepeshin sikur një konstante e përhershme e periudhës në ish-Jugosllavi, ndërkohë që përpjesa e tyre reale as që u avitej martesave analoge që bëheshin në qytete jugosllave, si Sarajeva, njësoj sikur që grupet ilegale në Kosovë paraqiten gati si e përkundërta e metodave të hetuesisë jugosllave, gjithnjë në përpjekje për të gjetur dekonspiruesin.
Ngadalësia e plotit dhe dialogëve rëndohej shpesh edhe nga përshtypja kallpe sikur idili i “kreolëve” u prish nga mëritë etnike e jo nga strukturimi i padrejtë i Jugosllavisë, ku grupit të tretë etnik i mohohej shteti dhe barazia me popujt e tjerë.
Megjithatë, “Kreolët e Ballkanit” mori një hov përthyerjesh emocionale vetëm në njëzetminutëshin e fundit: dialogët u bënë më të rrëmbyer e ploti më i gjallë. “U përcaktova të jem shqiptar e as me nënën time serbe të mos flisja”, thotë ndër të tjerash Hekurani.
E personazhi tjetër i Marisë (i interpretuar nga Vanesa Petrovci), që përkujdesej edhe në detaje për të dhënë shqipen sikur të jetë e folur nga një serbofone me shqiptime si “elle pak”, ishte më mirë e ndërtuar. Naiviteti i saj vajzëror shpaloste më realisht realitetin e shumëstresuar me paragjykime e urrejtje antishqiptare.
Vetë regjisori Enver Petrovci, pas mbarimit të shfaqjes, nuk ka fshehur kënaqësinë që “Kreolët…” ia doli të inskenohej pas shumë peripecive. Gjendja e pandemisë dhe infektimi i dy aktorëve gjatë provave kishte bërë që shfaqja të shtyhej tri herë.
“Kemi kthyer goxha publik në teatër”, ka thënë Petrovci për KOHËN, ndërsa ka shtuar se drama i rikthen më të vjetrit në kohën kur parulla “Kosova Republikë”, e madje edhe akronimi “KR” kushtonte me burg.
Për Petrovcin, e bukura e tekstit ishte për faktin që u shkrua në vitin 1989 dhe se ndryshimi i vetëm ishte emri i vajzës nga Mallina në Maria.
“Jam një parashikues i mirë”, ka thënë ai për “Kreolët e Ballkanit”, për të shtuar se kërkesa e tij ndaj tekstit është që gjuha të jetë sa më e bukur.
“Dua që Teatri të jetë shembull se si flitet gjuha”, ka thënë Petrovci.
Ai, po ashtu, ka paralajmëruar se “Muslimani” do të jetë teksti tjetër dramaturgjik që vë në pah përmasat e ekstremizmit fetar.
Si shfaqje me përmbajtje të mirë e ka vlerësuar ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, për të cilin TKK pati një fillim të mbarë. Për të, “Kreolët…” ishte shfaqja për realitetin e dikurshëm kur ndodhnin martesa të përziera në emër të bashkëjetesës.
“Historia nuk duhet harruar asnjëherë dhe këto janë ndër format se si duhet ta tregojmë atë”, ka thënë ministrja Dumoshi. “Në këtë dramë për ndërgjegjen njerëzore u shpërfaqen edhe talentet e aktorëve të rinj që dhanë një interpretim fantastik”.
Duke treguar për sfidën në skenë, aktorja Vanesa Petrovci ka thënë se vetëm fillimi ishte me emocione për të gjithë aktorët. Për të, kjo ishte përvoja e dytë, pas Tiranës, në krah të babait të saj.
“Është një ndjenjë shumë e mirë dhe nuk e kam të vështirë aspak. Me babanë jemi edhe shokë, edhe baba e bijë”, ka thënë Petrovci.
Kurse aktori Armend Zeqiri ka treguar se roli i tij në shfaqje nuk ishte i lehtë, porse puna me regjisorin Petrovci e bëri të veten.
“Puna me profesorin është e jashtëzakonshme, sepse arriti që ta sillte tek unë një karakter kaq të vështirë”, ka thënë Zeqiri, teksa ka shtuar se gjithçka e dhënë në shfaqje u provua e vërtetë nga koha.
“Pak e lodhshme si shfaqje me ngadalësinë por edhe gjatësinë e saj”, ka thënë Ardita, e cila kishte ardhur me shoqen e saj për të përcjellë të parën shfaqje për sivjet të TKK-së.
Ndërkohë nuk kanë munguar as vlerësime të tjera për shfaqjen. Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se Enver Petrovci çdoherë kur vinte në ndonjë shfaqje bënte një sy gjumë, duke mos e fshehur këtë as para spektatorëve dhe as para aktorëve në skenë.
“Por sot, kur pashë shfaqjen e tij ‘Kreolët e Ballkanit’, thashë me vete sikur ai të mos kishte fjetë - së paku në shfaqjet e mira - ndoshta do t’ia kishte arritë të marrë ndonjë mësim, që do t’i kishte shërbyer tani në punën e tij si regjisor”, ka shkruar Neziraj. “Dhe, po ashtu, ndoshta do ta kishte kuptuar se nuk ka kuptim që ta realizojë të njëjtën shfaqje 5 apo 6 herë dhe gjithmonë njëjtë. E drejtë e tij, do të mund të thotë dikush. Megjithatë... megjithatë...! Po, fjeta... po, pashë njerëz rreth meje që flinin...”
Ndryshe “Kreolët e Ballkanit” ishte dhënë premierë në teatrin kombëtar eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, në fund të vitit 2018. Disa më vonë, në qershor të 2019-s, teksti i Petrovcit u inskenua në ditën e tretë të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan” në Beograd. Në edicionin e gjashtë të këtij festivali, shfaqja e dhënë në Qendrën për Dekontaminimin Kulturor ishte siguruar nga forca të shumta të njësive speciale të policisë serbe shkaku i protestave të shumta. Asokohe Petrovci ua kishte besuar rolet aktorëve Agron Shala, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Kriks Dumo dhe vajzës së tij, Vanesës. Shfaqja është inskenuar edhe në Zagreb, Ulqin dhe Gjilan.