Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Kreisel Trio” përmbyll “DAM”-in me rrugëtimin shumëngjyrësh muzikor

Prishtinë, 10 prill - Tre instrumentistë të rinj që ishin ulur përballë publikut në një sallë jo fort të madhe, por edhe me njerëz që rrinin në këmbë për ta përcjellë koncertin, u pritën me ovacione. Por qysh kur kanë nisur të interpretojnë në klarinet, violonçello dhe harmonikë, të pranishmit e kanë kuptuar se në fillim nuk i kanë duartrokitur sa duhet.

Menjëherë tingujt e një stili modern të tangos kanë bërë që ambienti i ish-klubit të boksit “Prishtina” të marrë ngjyra të tjera. “Kreisel Trio” që përbëhet nga klarinetisti kosovar Taulant Haxhikadrija dhe Cecilia Rubio Zamora në violonçello e Marieke Kroes në harmonikë e ka nisur mbrëmjen me veprën “Primavera porteno” të kompozitorit argjentinas Astor Pantaleón Piazzolla (1921-1992).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kësisoj veprën që kompozitori e kishte shkruar për pranverën në Buenos Aires, treshja e ka jetësuar në Prishtinë, pikërisht në stinën për të cilën është shkruar. E pos kësaj tingujt që e kanë pushtuar një ambient të pazakontë për koncerte muzikore, u bën shkak që hapësira të duket ndryshe të shtunën mbrëma. Ishte koncerti i nëntë dhe përmbylli edicionin e 12-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Treshja ka vazhduar me veprën “Canzone” të kompozitorit italian Girolamo Alessandro Frescobaldi (1583-1643) për t’iu kthyer prapë argjentinasit që njihet si mjeshtër që solli një stil të ri në muzikën tango e cila zë fill në shekullin XIX tek emigrantët evropianë që populluan brigjet e Amerikës Latine.

“Canzone” e Frescobaldit që i takon renesancës së vonë e barokut të hershëm, e ka çuar publikun në një rrugëtim muzikor të disa shekujve më herët. Pa pauzë, pos atyre që ua ka imponuar publiku nëpërmjet duartrokitjeve, treshja ka vazhduar me Sonatën për violonçello dhe piano BWV 2018 të kompozitorit gjerman Johann Sebastian Bach (1685-1750).

Kësisoj instrumentistët nga muzika italiane e kanë marrë publikun me vete në “udhëtimin” tek një stil tjetër - atë të krijimtarisë së kompozitorit që veçohet si sublim, kreativ e deri në nivelin e gjeniut. Sonata bëri që mbrëmja muzikore të vazhdojë me dimensionin e vet shumëngjyrësh. Haxhikadrija që ka prejardhje nga Gjakova bashkë me koleget e tij i janë kthyer përsëri Piazzollas.

Kësaj radhe me njërën prej veprave më të njohura, “Oblivion” që u bë tejet popullore duke qenë kolonë zanore e filmit “Mad King” të regjisorit italian Marco Bellocchio që i kushtohej mbretit anglez Henry IV. Bashkë me ta në skenë kanë dalë balerinët Sinan Kajtazi e Luljeta Ademi. Nëpërmjet lëvizjeve ata kanë bërë që loja e instrumentistëve të plotësohet edhe më shumë. Hapat e tangos edhe pse në një skenë të pazakontë e të vogël, kanë ndikuar ndjeshëm në ritmin e mbrëmjes muzikore. Vepra që u përcoll me tinguj të thellë melankolik ndihmoi që energjia që buron nga melodia e saj të prekë jo vetëm balerinët por secilin në sallë. E pas veprës që konsiderohet si më tradicionalja e Piazzollas në stilin tango, ishte radha e duos për klarinetë dhe violonçello të kompozitores angleze Phyllis Tate e cila njihet si krijuese e muzikës që eksploron kombinime të pazakonta instrumentesh. Është vazhduar me “Oktopus trio” të kompozitorit Georg Katzer që është njëri prej pionierëve të muzikës së re instrumentale në ish-Gjermaninë Lindore, për t’i hapur rrugë veprës “Duo për klarinetë dhe harmonikë” të kompozitorit polak Witold Roman Lutosławski (1913-1994) që konsiderohet si njëri prej kompozitorëve më me nam të Evropës gjatë shekullit XX.

Melodia e muzikës moderne ka qenë, po ashtu, pjesë e koncertit. Duo për klarinetë dhe violonçel “Disco toccata” ka ritransformuar mbrëmjen sa u përket stileve muzikore. Vepra e kompozitorit francez Guillaume Connesson e shkruar në një mëngjes të vitit 1994 është e influencuar nga muzika e diskotekave duke u përbërë nga tingujt fort të zhurmshëm dhe formula specifike sa i përket melodisë.

Një energji e mahnitshme që del nga vepra buron nga tempi i shpejtë, gjë që ka ndikuar që publiku të surprizohet prapë nga shumëllojshmëria e stilit muzikor të koncertit. Për shkak të përbërjes së veprës, kompozitori Guillaume Connesson ka marrë nam edhe si krijues i një nënstili të njohur si “toccata barok”. E treshja në përfundim të përformancës i është rikthyer Piazzollas, rrjedhimisht veprës së tij “Inverno Porteno”. Kështu tango prapë u dëgjua nga publiku i festivalit “DAM”. Vepra, ku melodia melankolike është baza e saj u është kushtuar të varfërve që kanë jetuar në brigjet e kryeqytetit meksikan.

Pas koncertit që ishte tamam shumëngjyrësh, klarinetisti Taulant Haxhikadrija, ka thënë se interpretimi është bërë në një “dhomë bukur speciale”.

“Na janë dashur prova dje dhe sot që të ambientohemi me akustikën e kësaj dhome. Duke i pasur parasysh komplikimet e akustikes, e vlerësoj dhe e konsideroj si një ide të mirë që organizatorët zgjedhin objekte që në njëfarë mënyrë nuk ekzistojnë më. Ky ambient po merr njëfarë jete me muzikë”, ka thënë ai. Në këtë edicion organizatorët e festivalit “DAM” i kanë ringjallur objektet e shndërruara në gërmadha, si atë ish-klubin e boksit në kryeqytet dhe ish-shtypshkronjën “Rilindja”.

Haxhikadrija ka shtuar se trio ka dhënë shumë koncerte tash e katër vjet që nga sallat orkestrale deri tek ato të koncerteve.

“Kemi marrë pjesë edhe nëpër burgje e spitale, ku njerëzit nuk kanë mundësi të dëgjojnë muzikë klasike”, ka thënë ai.

Sipas tij, trio mundohet që ta zgjedhë programin varësisht nga publiku para të cilit do të përformojnë. Në fund të këtij koncerti, ata për pak minuta kanë improvizuar me një vepër izraelite që ngjan shumë edhe me muzikën tradicionale shqiptare.

“Ka pak vepra origjinale për këtë trio. Kombinuam barok, klasike, popullore e moderne pasi jemi këtu për publikun”, ka thënë ai.

Udhëheqësit e festivalit, Dardan Selimaj dhe Rreze Kryeziu, kanë paralajmëruar se tashmë ka ardhur koha që të rinjtë ta marrin drejtimin e “DAM”-it. Selimaj ka thënë se më 2006-n kanë filluar ta organizojnë festivalin si studentë të Fakultetit të Arteve për shkak se nuk kishin mundësi udhëtimi, u refuzoheshin vizat.

“Nuk kishim mundësi ta prezantonim punën që e bënim gjatë vitit në fakultet dhe e kemi nisur thjesht nga një bisedë në Fakultet”, ka thënë ai. Ka thënë se përgjatë edicioneve kanë vërejtur se ta mbash gjallë një festival nuk është lehtë. Sipas tij, 12 vjet më vonë, ai ndihet keq që shumëçka nuk ka ndryshuar për gjeneratat e reja të muzikantëve të Kosovës. Ata prapë ballafaqohen me lirinë e lëvizjes dhe shpeshherë u refuzohet e drejta për të studiuar jashtë.

“Edhe tash nuk ka një sallë adekuate për koncerte. Fakulteti nuk i ka kushtet më të mira. Por megjithatë më vjen mirë që tek gjenerata e re nuk mungon vullneti”, ka thënë Selimaj.

Sipas tij, në një të ardhme të afërt, do të jenë të rinjtë ata që do ta vazhdojnë rrugën e festivalit. E zgjedhjen e hapësirave të reja për këtë edicion e ka shpjeguar si protestë për një sallë koncertale që nuk e ka kryeqyteti, por edhe si nismë për të vitalizuar objektet e harruara.

“Më vjen keq kur dëgjoj kohë pas kohe që renovimi i hapësirave mund të jetë zgjidhje afatgjatë për Prishtinën. Mendoj se nuk duhet të qëndrohet prapa këtij mendimi. Rinovimi i hapësirave është i mirëseardhur, por salla i duhet Prishtinës”,ka thënë ai.

E Rreze Kryeziu ka përmendur se deri me 12 prill trio do të mbajë masterklase në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë. Ajo ka thënë se edhe në këtë edicion organizatorët kanë arritur që t’i vazhdojnë shkëmbimet kulturore.

“Kemi një diversitet stilesh nga muzika klasike deri tek ajo tradicionale e jazz me muzikantët tonë dhe ndërkombëtarë. Publiku gjithmonë na ka qëndruar besnik dhe kjo është arsye që të vazhdojmë tutje”, ka thënë Kryeziu e cila para se të nisë koncerti bashkë me vullnetarët e festivalit i kanë dhuruar një mirënjohje Selimajt. Siç ka thënë ajo, duhet pasion për të organizuar ngjarje të tilla kulturore dhe ka shtuar se të rinjtë do ta kenë mbështetjen e saj dhe të Selimajt në edicionet e ardhshme të “DAM”.

Sikurse edhe viteve të tjera, festivali ka dëshmuar se promovon vlera dhe është shtëpi e stileve e muzikantëve të ndryshëm. Këtë vit ka nisur me operën bashkëkohore “Errësirë” në ish-shtypshkronjën “Rilindja” për ta përfunduar edicionin me “Tangopunkt”, si dëshmi që “DAM” është festival i veçantë në disa aspekte e jo vetëm në atë muzikor.