Nezir Kraki, profesor i shkencave politike në Universitetin e Parisit, ka dhënë detaje për iniciativën e një fondi online që të blihet një libër për Skënderbeun, i botuar më 1621, e ai t’i dhurohet Muzeut të Krujës.
Në Express Intervistën në KTV, Kraki ka thënë se shifra prej 5000 eurosh që kërkohet për librin origjinal “Historia e Skënderbeut” e autorit francez Jacques de Lavardin, është e lartë, por ka shtuar se po punon për të gjetur alternativa të tjera që të shtojë numrin e librave që mund të blihen me ato të holla. Sipas tij, ky libër ka rëndësi historike për shqiptarët.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBlerja e librit të vitit 1621 për Skënderbeun aktivizon shqiptarët
“Ka rëndësi historike dhe simbolike për ne shqiptarët sepse s’ka pas shumë autorë të jashtëm që janë marrë me ne e që kanë shkruar, e s’ka pas as shumë autorë shqiptarë në shekujt 15-16. Bëhet fjalë një libër të një autori francez që njihet si historian, i cili botimin e parë të tij e ka nxjerrë në Paris, në vitin 1576, pastaj ka pas dy-tre botime të tjera. Botimi që gjeta rastësisht, që gjendet në Spanjë, 1621 është origjinal. Bëhet fjalë për një libër që përshkruan historinë dhe jetën, gjestet heroike të Skënderbeut, Mbretit të Shqipërisë”, ka thënë ai duke shtuar se në këtë libër ka hasur rastësisht duke kërkuar diçka tjetër online.
“Isha duke punuar një punim shkencor për nevojat e mia akademike dhe isha duke kërkuar diçka tjetër në internet, e rastësisht pash një link që më dirigjoi nga një faqe e specializuar që merret me libra të vjetër, e me fjalën çelës Skënderbeu. Analizova pak dhe e pash që libri ishte shumë shtrenjtë, shitet 5000 euro. Mendoj se çmimi është shumë i lartë. I shkrova librarisë në Spanjë për të negociuar çmimin, por s’mora përgjigje. Kam nisur të hulumtoj në Francë apo diku tjetër mos rastësisht ka ndonjë botim tjetër, vëllim origjinal, që është i disponueshëm dhe në shitje. Kam pa dy-tri mundësi, por është shumë zor sepse libraritë që shesin libra të tillë, janë librari të vogla. Po pres që këtë javë të aktivizohem e të kërkoj te të gjithë të hulumtojnë mos dikush ka ndonjë vëllim më të lirë se 5000 euro të vëllimit spanjoll, frëngjisht por që shitet në Spanjë”, ka shtuar ai.
Në fondin e Krakit në Facebook tashmë janë mbledhur mbi 3400 dollarë. Ka thënë se beson që të hollat do të mblidhen, teksa ka shtuar se po mundohet të gjejë alternativa tjera për të blerë edhe dy libra, një libër në anglisht kushtuar Skënderbeut dhe një album me gravura të sulltanëve kryesorë e brenda së cilit gjendet edhe portreti i Skënderbeut me familje.
Kraki ka qenë kritik ndaj institucioneve të Kosovës e Shqipërisë për mbledhjen e fakteve për historinë shqiptare.
“As Muzeu i Krujës, as Kosova as Shqipëria, ministritë tona bashkë me qeveritë janë inekzistente. Sidomos ne shqiptarët e Kosovës kemi përvojë të gjatë, gjeturi pa shtet. Jemi mësuar me dekada të jetojmë përballë shtetit e fatkeqësisht edhe shteti me papavarësi na është vënë si përballë. S’kam pa asnjëherë interesim konkret të institucioneve për pasurimin, mbledhjen, apo afirmimin për mënyrë të drejtë pa përralla pa hiperbolizma, të faktit historik shqiptar, të kontributit të shqiptarëve në Ballkan. Si shtet i Kosovës ne i kemi harruar edhe të zhdukurit e jemi futur në pazare të tjera. Derti i Kulturës është dytësor apo terciar. Iniciativa ime është krejt modeste”, ka shtuar ai.
Duke folur për solidaritetin e treguar së fundmi në Kosovë e Shqipëri, pas tërmetit të fuqishëm, Kraki ka lavdëruar shqiptarët e Kosovës për “fisnikërinë, respektin e dashurinë e sinqertë me shqiptarët e Shqipërisë”.
Sipas tij, politikanët në Kosovë e Shqipëri nuk korrespondojnë me nevojat dhe ndjesitë e popujve që i përfaqësojnë.
“Nëse Shqipëria dhe Kosova dëshmojnë si popuj që janë solidarë, kanë sens për projekt të përbashkët, edhe liderët e tyre nuk e dëshmojnë asnjë ditë të vitit, këtë që kanë kuptuar dëshirën e popullit, do të thotë ata liderë janë për vende të tjera, por jo për Kosovë e Shqipëri”, ka deklaruar Kraki.
Sipas tij, ngërçi në negociatat mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për formimin e qeverisë në Kosovë është i pakuptueshëm dhe për keqardhje.
“Fatkeqësisht ende s’e kuptuam që për shqiptarët, kalendari ka tjetër matje kohore. Ne s’i matim as ditët, as javët, as muajt e bëhemi sikur Suedi, Norvegji hajt se gjashtë muaj asgjë. Është urgjencë absolute që Kosova me pas qeveri. Kur Vetëvendosje e LDK-ja lajmëruan që kanë arritur përputhshmëri për program, ne menduam që u krye, por përputhshmëria për poste e apetite individuale s’po arrihet e kjo është për keqardhje, sidomos për parti, në këtë rast LDK-në, parti historike që kemi menduar se ka sens përgjegjësie dhe punon kolektivisht e joindividualisht sa të rezervojë poste solemne dy vjet para afatit, sikur pushimet në Australi shumë muaj para afatit. Janë absolutisht të pakuptueshme e askush s’i gjen arsye”, ka përfunduar Kraki.