Kulturë

“KosovaFilmi” në planet e shtetit – arkiv brenda Qendrës Kinematografike

Me një nen të veçantë në kuadër të Projektligjit – që është në platformën e konsultimeve publike – shteti parasheh që “KosovaFilmi” të shuhet si ndërmarrje shoqërore. Por për kinematografët që punuan në kohën kur kjo ndërmarrje ishte funksionale, shihet si më e rrugës që të shndërrohet në një institucion të veçantë. Debati se cili duhet të jetë statusi i “KosovaFilmit” është i vjetër sikurse edhe synimet që ndërmarrjes t’i ndërrohet destinimi

Qeveria e Kosovës synon që “KosovaFilmin” ta shndërrojë në njësi arkivore në kuadër të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Këtë nismë është duke e çuar përpara Ministria e Kulturës nëpërmjet Projektligjit për kinematografinë. Me një nen të veçantë në kuadër të Projektligjit – që është në platformën e konsultimeve publike – shteti parasheh që “KosovaFilmi” të shuhet si ndërmarrje shoqërore.

Por për kinematografët që punuan në kohën kur kjo ndërmarrje ishte funksionale, shihet si më e rrugës që të shndërrohet në një institucion të veçantë. Debati se cili duhet të jetë statusi i “KosovaFilmit” është i vjetër sikurse edhe synimet që ndërmarrjes t’i ndërrohet destinimi.

Sipas Projektligjit për kinematografi, ndërmarrja shoqërore “KosovaFilm” e themeluar në vitin 1969 si kompani për prodhimin, shfaqjen dhe distribuimin e filmit, e cila tani është nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit AKP, “me këtë ligj bartet dhe ruhet me të gjitha të drejtat pronësore dhe intelektuale në njësi të posaçme të Qendrës Kinematografike të Kosovës”. Para gjashtë vjetësh ishte ardhur në përfundim se ish-shtëpia për prodhimin e filmave të transformohet në Arkiv të Filmit, përderisa pronat e “KosovaFilmit” t’i kalojnë në pronësi Kuvendit të Kosovës. Projektligji për kinematografi që parashihte këtë, ishte tërhequr nga Kuvendi në gusht të vitit 2016 nga ish-ministri i Kulturës, Kujtim Shala. Tërheqja qe bërë shkaku i reagimit të komunitetit në lidhje me përbërjen e jurisë që vlerëson projektet kinematografike. Çështje tjetër e nxehtë ishte edhe përqindja me të cilën shteti përkrah një projekt kinematografik.

Por me Projektligjin e ri – të cilin Ministria e Kulturës nuk e ka dorëzuar në Qeveri shkaku i kërkesës për konsultime shtesë - Kosova planifikon që “KosovaFilmi” të mos jetë institucion më vete dhe pronat të mos i barten Kuvendit. Krejt të jenë të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Hapësira ku tash është vendosur KFOR-i në lagjen “Arbëria”, e njohur si “Film City” është pronë e “KosovaFilmit”.

Projektligji detajon edhe të ardhmen e asaj që llogaritet që të jetë njësi e posaçme arkivore.

“Shërben si arkiv i specializuar i filmit dhe i trashëgimisë audiovizuale, që merret me zhvillimin, mbrojtjen, restaurimin, procesimin, ruajtjen, arkivimin, promovimin, dhe bën të qasshme dhe të shfrytëzueshme këtë trashëgimi, ku përfshihen edhe koleksionet e dokumenteve të shkruara arkivore, literaturës dhe materialeve të tjera arkivore me interes për kinematografinë”, shkruhet në Projektligj. Kjo njësi, sipas Projektligjit, do të ngarkohet me detyrat e mirëmbajtjes së arkivit, kinotekës, bibliotekës dhe materialeve të veçanta të kinematografisë.

“Mirëmban sistemet për arkivin e filmave në shirit dhe mediume tradicionale, arkivin digjital dhe të mediave në zhvillim, arkivin dhe bibliotekën e materialeve të shkruara arkivore për film dhe arte e disiplina që janë të lidhura me artin filmik”, shkruhet në nenin e 38-të.

Aty sqarohet se Njësia mbron, proceson dhe ruan filmat e përkrahur financiarisht nga QKK-ja, filmat e prodhuesve të pavarur të Kosovës, filmat e studentëve, regjistrimet audio-vizuale të prodhuar nga institucionet e kulturës në Kosovë dhe regjistrimet e tjera audio-vizuale me interes kulturor, që konsiderohen si trashëgimi kulturore e Kosovës. Nën këtë Njësi do të jetë edhe Kinoteka e QKK-së. Kjo njësi llogaritet të krijojë të hyra nga shitja e filmave nga produksioni i vet e po ashtu edhe nga shfaqja e filmave. Këto mjete, sipas Projektligjit, do t’i takojnë buxhetit të Republikës së Kosovës.

Procesi për shuarjen e “KosovaFilmit” si ndërmarrje kishte nisur qysh më 2007. Shuarjen e “Kosovafilmit” kishte tentuar ta bënte asokohe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqia. U nënshkrua edhe vendimi, por pas kundërshtimit të një grupi artistësh, ai ishte shfuqizuar. Atributet e mëparshme si institucion kulturor për prodhimin, distribuimin dhe shfaqjen e filmave iu rikthyen me një vendim të shkurtit të 2008-s të ministrit të atëhershëm të Kulturës, Skënder Hyseni. Shteti dështoi ta bënte këtë për herë të fundit më 2016, kur Projektligji u tërhoq nga Kuvendi.

Regjisori Isa Qosja i cili ka një përvojë të gjatë me “KosovaFilmin”, nuk mendon që kjo ndërmarrje duhet të jetë nën varësi të QKK-së.

“Nuk jam i sigurt që mund të jap mendim të saktë. Më shumë do t’i takonte një kinoteke sesa pronësisë së një QKK-je të re. Meqenëse ‘KosovaFilmi’ nuk ka prodhuar film tash e disa vjet, nuk jam i sigurt që është opsioni më i mirë që të jetë njësi e QKK-së”, ka thënë Qosja.

Sipas tij, sikur të shndërrohej në kinotekë do të ruheshin filmat në mënyrë më cilësore dhe do të mund të organizoheshin shfaqje të tyre. Vulën e fundit të një produksioni kinematografik “KosovaFilm” e mban pikërisht me filmin e Qosjes “Kukumi”, prodhim i vitit 2005.

Më i zëshmi në mbrojtje të “KosovaFilmit” si shtëpi e prodhimit të filmit, prej kur u shfaqën nismat e para për shuarjen e ndërmarrjes, ka qenë ish-drejtori i “KosovaFilmit”, Gani Mehmetaj. Kur shuarja e ndërmarrjes synohej të bëhej nëpërmjet Projektligjit, qysh më 2014 ai kishte kundërshtuar.

“Ka pretendime që pronën e ‘KosovaFilmit’ në ‘Dragodan’ ta marrin ose ta tjetërsojnë. Ky është qëllimi final i atyre që do ta shuajnë ‘KosovaFilmin’”, kishte thënë ai më 2014. Në ditët e fundit nuk ka qenë i qasshëm për të komentuar iniciativat e reja. Përgjigje për KOHËN nuk ka pasur as Ilir Gjocaj, producent në “KosovaFilm”. Por KOHA ka marrë vesh se nëpërmjet shkresave ai e ka kundërshtuar mënyrën se si pritet t’i rregullohet statusi “KosovaFilmit”.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, para Komisionit parlamentar për kulturë ka folur për Projektligjin për kinematografi. Këtë bashkë me atë për trashëgimi kulturore MKRS-ja ka pasur t’i dorëzojë në Qeveri deri më 30 nëntor. Nuk ia ka dalë.

“Projektligji për kinematografi nuk do të vijë në Komision sivjet për fat të keq. Ne e kemi tërhequr nga procedura dhe në këtë përfundim kemi ardhur pas disa përpjekjeve për të krijuar një lloj konsensusi brenda komunitetit kinematografik. Andaj të mos ngutemi për ta përmbushur një agjendë legjislative. Ne e kemi tërhequr, sepse ka nevojë për diskutime shtesë”, kishte thënë ai më 7 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.