Festivali që sivjet po mban edicionin e 73-të, disa herë ka pritur edhe filma nga Kosova. Madje edhe duke qenë konkurrente. Por sivjet nuk ka ngjarë kësisoj. Megjithatë, Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vazhduar traditën e prezantimit në Tregun Evropian të Filmit në Festivalin e Filmit në Berlin – “Berlinale”. Ka prezantuar produksionet, ka lidhur marrëveshje, por edhe e ka promovuar Kosovën si vend atraktiv për shesh xhirimi, duke promovuar edhe ofertën për filmbërësit e huaj
Potenciali i kinematografisë së Kosovës bashkë edhe me promovimin e disa politikave të reja shtetërore të cilat ende nuk janë të prekshme, janë shpalosur në një prej tregjeve më të mëdha të filmit në kontinent, Tregun Evropian të Filmit në Festivalin e Filmit në Berlin – “Berlinale”. Festivali që sivjet po mban edicionin e 73-të, disa herë ka pritur edhe filma nga Kosova. Madje edhe duke qenë konkurrente.
Por sivjet nuk ka ngjarë kësisoj. Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vazhduar traditën e prezantimit në të njëjtin shtand me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë.
Festivali që ka nisur më 16 shkurt dhe do të përfundojë në ditën e 26-të të këtij muaji, pos filmave që janë në konkurrencë, ka edhe hapësira si ajo e tregut, ku shtetet shpalosin potencialin e tyre. Kosova me Shqipërinë kanë qëndruar në shtandin numër 138, duke qenë afër Xhamajkes dhe Karaibeve. Kur Tregu tashmë është mbyllur, zëvendësuesi i drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Lum Çitaku, ka bërë një bilanc të pjesëmarrjes teksa ka thënë pos dy vjetëve të kaluar ku Tregu Evropian i Filmit nuk është hapur, shkaku i pandemisë, prezenca e QKK-së ka qenë e vazhdueshme, pasi bëhet fjalë për një treg tejet të rëndësishëm botëror.
“Sikurse çdoherë, QKK-ja ka promovuar filmat e fundit kosovar në kategori dhe faza të ndryshme të zhvillimit. Kemi zhvilluar takime me partnerë dhe organizata ndërkombëtare të kinematografisë, fonde filmi përfaqësues të festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare, producentë, distributorë si dhe kemi iniciuar e koordinuar edhe marrëveshje të ardhshme ndërshtetërore”, ka thënë Çitaku.
Sipas tij, më 21 shkurt është nënshkruar edhe marrëveshja me “First Cut Lab” të “Tatino Films” dedikuar specifikisht Kosovës, e cila deri më tani ishte në nivel partneriteti.
“Nëpër këtë punëtori kanë kaluar filma të rëndësishëm kosovarë të viteve të fundit si ‘Vera andrron detin’ e ‘Në kërkim të Venerës’”, ka thënë Çitaku. Sipas tij, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje mundësohet arritja e potencialit artistik të filmave e njëkohësisht, rritja e vlerës së filmave në rangun ndërkombëtar, e po ashtu edhe prezenca e tyre në festivale të rëndësishme.
Çitaku ka thënë se prezenca në këtë Tregun e Berlinales bashkë me atë të Festivalit të Cannes, kanë rëndësi tejet të madhe për kinematografinë e Kosovës dhe të cilitdo shtet tjetër. Sivjet Kosova ka prezantuar edhe rabatin prej 30 për qind që nënkupton se nëse produksionet e huaja xhirojnë në Kosovë dhe krijojnë shpenzime, shteti do t’ua kthejë 30 për qind të investimit. Një gjë e tillë ende nuk është e zbatueshme, pasi projektligji për kinematografi që përmban këtë komponent, nuk është miratuar ende nga Kuvendi i Kosovës. Por synimet janë që kjo të arrihet me qëllim që Kosova të shndërrohet edhe në vend atraktiv si shesh xhirimesh për produksione të huaja.
“Kjo pjesëmarrje është përfaqësim i kinematografëve të vendeve, promovim i filmave të tyre dhe prodhim, mirëmbajtje e inicim i marrëveshjeve e raporteve të reja. Prandaj të gjitha shtetet evropiane janë prezentë me shtandet e tyre”, ka thënë ai.
Sivjet, drejtuesit e “Berlinales”, Carlo Chatrian dhe Mariette Rissenbeek, kanë bërë të ditur se janë 18 filma që konkurrojnë për “Ariun e Artë”, ku midis regjisorëve që synojnë atë janë të rinjtë Christian Petzold, Margarethe Von Trotte, Emily Atef dhe John Trengove.
Prej filmave që konkurrojnë, gjashtë janë nën regji të grave, tre janë prej kineastëve debutues e njëmbëdhjetë të tjerë të atyre që kanë marrë pjesë edhe më herët.
Më 2019, dokumentari “Në mes” në regji të Samir Karahodës e kishte çuar Kosovën për herë të parë në konkurrencën zyrtare të festivalit ndërkombëtar të filmit “Berlinale”, ku edhe pati premierën botërore. Në 15 minuta “Në mes” trajton dy tema paralelisht: fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta nga vëllezërit dhe migrimin, gjë që veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve, sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes, kuptimin e rëndësisë së shtëpisë dhe shpresës në mes të kthimit apo jo në vendlindje. Ndër të tjera, rrëfen se si familjet kosovare kanë migruar, por ata i bashkon vendi i tyre dhe shpresa që një ditë do të kthehen. Në Berlin filmi dokumentar ishte dhënë shtatë herë në salla me rreth 700 ulëse. Sa u përket filmave dokumentarë, ai i Karahodës del të jetë më i suksesshmi deri tash kur bëhet fjalë për produksione tërësisht vendore.
E emri i Kosovës në këtë Festival ishte dëgjuar edhe nëpërmjet filmave të Visar Morinës, “Exil” e “Babai”, përderisa aktorët Ilire Vinca e Çun Lajçi, ishin të parët nga Kosova të cilët në shkurtin e vitit 2011 parakaluan në tepihun e kuq të “Berlinale”. Atje i çoi filmi ku ata luajtën, “Falja e gjakut” në regji të Joshua Martsonit i cili shkroi edhe skenarin bashkë me Andamion Muratajn. Produksioni shqiptaro-amerikan, shpërblye me dy çmime në festivalin prestigjioz.