Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kosova kërkon mbështetje nga SHBA për ndërtimin e kampit rinor në Pjetërshtan të Gjakovës

Në kuadër të vizitës që është duke realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka zhvilluar takime me zyrtarë dhe drejtues të YMCA-së në Nju Jork.

Ai gjatë kësaj vizite është pritur nga Rayda Marques, drejtoreshë e programeve ndërkombëtare të YMCA-së dhe Julie Galanty, drejtoreshë ekzekutive për zhvillimin e rinisë e YMCA-së në Nju Jork.

Sipas njoftimit për media nga kjo ministri, ai gjatë këtij takimi ka kërkuar mbështetje në zhvillimin e programeve rinore për të rinjtë e Kosovës, me theks të veçantë, ndërtimit të kampit rinor në fshatin Pjetërshtan të Gjakovës. Ministri ka potencuar faktin se ndërtimi i një qendre rinore multifunksionale në Republikën e Kosovës, do t’u hapte një perspektivë më të madhe të rinjve.

Në këto takime ministri ka marrë mbështetje të fuqishme në zbatimin e këtij projekti në Republikën e Kosovës.

“Përvojat të cilat i kanë vendet e ndryshme të botës, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës në avancimin e pozitës së të rinjve janë modeli më i mirë që duhet marrë për vendin tonë”, citon njoftimi të ketë thënë ministri Gashi.

Ai po ashtu i ka njoftuar drejtuesit e YMCA-së se në Kosovë nevoja për përmirësimin e pjesëmarrjes së rinisë kosovare në aktivitete sociale vazhdon të jetë me rëndësi të veçantë. “Nevoja e vazhdueshme për përkrahjen e rinisë theksohet edhe në raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare”, ka thënë ministri duke shtuar se “Themelimi i YMCA-së në Republikën e Kosovës është një mundësi e re për të rinjtë e vendit tonë”.