Prishtinë, 16 dhjetor – Dikur kujdesi dhe nderimi për njerëzit në moshë përbënin ndër vlerat e fisme që pasuronin letërnjoftimin e shoqërisë shqiptare. Por realitetet e reja sociale e ekonomike e kanë përmbysur këtë dhe moshat e shtyra janë ato që nëpërkëmbën vazhdimisht nën indiferencën e pjesës tjetër të njerëzve. Për të rënduar edhe më shumë gjendjen e tyre, pandemia globale COVID-19 bëri që kjo kategori të pësonte më së shumti.
Kur virusi me kurorë nisi të shpërhapej me të madhe, spitalet e tejngarkuara me pacientë viheshin para dilemave se kë duhej të shpëtonin. Dhe ishin shpesh të moshuarit ata që nuk përfshiheshin në listën prioritare të atyre që duhej të mbaheshin në jetë me oksigjen.
Përqasje e aspekte të ndryshme për personat e moshës së tretë janë shpalosur të mërkurën gjatë diskutimit online “Hajde folim: Moshizmi dhe pandemia” të organizuar nga “Kosova 2.0.”.
Si sfond i diskutimit ka shërbyer artikulli “Të pleqërosh në pandemi” i gazetares Dafina Halili tek i cili është dhënë një perspektivë tjetër e ndikimit të koronavirusit në jetët e këtyre njerëzve. Nëpërmjet një qasjeje gjinore, ky artikull ka dhënë një reflektim mbi ndjenjën e të qenit barrë, por duke familjarizuar lexuesit edhe me mallin, frikën dhe vetminë.
Sipas vetë gazetares Halili, ky hulumtim ishte veç “gërvishtje në sipërfaqe” për diskriminimin e gjerë në bazë të moshës.
“Moshizmi asnjëherë nuk e ka marrë vëmendjen e duhur brenda diskutimit shoqëror”, ka thënë ajo teksa ka evokuar rrëfime të ndryshme me njerëz të moshuar në qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës.
Megjithatë, jo të gjithë e kishin pasur të lehtë t’i ndanin brengat e tyre përpara kamerave, ku sipas gazetares Halili, “kërkesa ishte për të hyrë brenda ‘intimitetit’ të shtëpisë”.
Bashkë me problematikën e kësaj kategorie është folur edhe për termin “ageism” të sajuar për herë të parë nga mjeku, gerontologu dhe psikiatri amerikan Robert Neil Butler.
Si fitues i çmimit “Pulitzer” dhe i njohur kudo në botë për punën e tij për nevojat dhe të drejtat e të moshuarve, Butler e kishte përkufizuar këtë term si “një proces i stereotipizimit sistematik apo diskriminimit kundër njerëzve për shkak se ata janë në moshë, njësoj sikur racizmi apo seksizmi që merren me ngjyrën e lëkurës apo gjininë. Ai bën që brezat e rinj t’i shohin njerëzit në moshë si të ndryshëm prej tyre; kështu ata lehtazi pushtojnë së identifikuari me të vjetrit si qenie njerëzore”.
Sipas moderatores së diskutimit Aulona Kadriu, “moshizmi” është përkatësja shqipe e këtij koncepti, por që “ende nuk ka gjetur përdorim tek ne”.
Naim Jerliu, njohës i çështjeve të shëndetit publik, ka shpjeguar se termi në fjalë u është nënshtruar prej kohës diskutimeve të shumta për përmbajtjen e tij.
Sipas tij, moshizmi nuk është term ekskluziv vetëm për personat e moshës së shtyrë, por edhe për moshat e reja.
“Ka debate në vende evropiane sesi personat e rinj diskriminohen në mundësitë për punësim për shkak të moshës”, ka thënë ai.
Jerliu – i cili është profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës – ka theksuar se njerëzit e moshuar janë përfshirë në kategorinë e të rrezikuarve gjatë pandemisë globale të koronavirusit.
Pikërisht në këtë kohë, sipas tij, është vënë re diskriminimi dhe qasja moshiste kur spitalet u tejngarkuan më tepër sesa që e lejonin kapacitetet e tyre. Në raste të tilla, në mungesë të pajisjeve e ventilatorëve, punonjësit shëndetësorë ishin vënë edhe para dilemës se kë duhej të shpëtonin.
“Parimet etike duhet të udhëheqin situatat e tilla, ndaj kriteri nuk duhet të jetë mosha, por mundësitë më të mëdha të personave për të mbijetuar sprovën”, ka thënë Jerliu.
Ai, po ashtu, ka vënë re se një lloj paragjykimi është ndier edhe gjatë pandemisë kur komunikimet janë zhvendosur në botën digjitale. Por, ka vijuar ai, komunikimet në platforma virtuale kanë dhënë të kuptojnë se “të moshuarit janë njësoj të shkathët për të përdorur teknologjinë”.
“Duhet ta shohim personin dhe jo pjesëtarin e një kategorie moshore”, ka shtuar Jerliu.
Ndërkaq Antigona Sopjani, koordinatore e Mirëqenies Sociale në Kryqin e Kuq të Kosovës, ka thënë se me termin “moshizëm” u referohen më shumë të moshuarve si kategoria më e cenuar në krahasim me grupet e tjera shoqërore.
Sipas Sopjanit, emigrimi masiv i të rinjve në fund të vitit 2014 ishte reflektuar konsiderueshëm edhe në jetën e një numri të madh njerëzish të moshuar.
“Shumë prej tyre kanë mbetur vetë dhe pa përkujdesje familjare”, ka thënë ajo teksa ka përkujtuar se si në të kaluarën respekti ndaj të vjetërve ka qenë një vlerë që e dallonte popullin shqiptar nga të tjerët.
Në vijim, Sopjani ka shtuar se puna në terren shpërfaq një gjendje të ndryshme nga ajo që përshkruhet në konventa e në dokumente të ndryshme.
“Është mjerim kur i sheh ata persona të prekur edhe në anën psikologjike, shëndetësore e sociale, gjë që e rëndon gjendjen e tyre edhe më shumë se vetmia”, ka thënë ajo, ndërsa ka vlerësuar se përkujdesja institucionale nuk është në nivelin e duhur.
Ndryshe, diskutimi “Hajde folim: Moshizmi dhe pandemia” ishte pjesë e projektit “Inovacioni për mediat e qëndrueshme dhe angazhimi qytetar”, i cili mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementohet nga Kosovo 2.0 në bashkëpunim me Institutin GAP.