Vepra e Giuseppe Verdit, “Pater Noster”, ka hapur koncertin e së shtunës mbrëma. Vepra që bën pjesë te periudha romantike i ka prirë programit jo pak sfidues për Korin dhe dirigjenten greke, Mary Konstantinidou. Kisha katolike “Shën Ndou” në Prishtinë është “shndërruar” në sallë të interpretimit për Korin e Filharmonisë së Kosovës. Për të shumtën herë me radhë, ambienti i bën nikoqirllëk formacionit koral që pak Filharmoni e kanë ditëve të sotme
Fiks në kohën e paraparë për të nisur koncerti, dirigjentja Mary Konstantinidou dha shenjë se anëtarët e Korit duhet të fillojnë. Kësisoj, kisha katolike “Shën Ndou” në Prishtinë është “shndërruar” në sallë të interpretimit për Korin e Filharmonisë së Kosovës. Për të shumtën herë me radhë, ambienti i bën nikoqirllëk formacionit koral që pak Filharmoni e kanë ditëve të sotme.
Vepra e Giuseppe Verdit, “Pater Noster”, ka hapur koncertin e së shtunës mbrëma. Vepra që bën pjesë te periudha romantike i ka prirë programit jo pak sfidues për Korin dhe dirigjenten greke. I ka lëshuar radhën “Amen” të polakut Henryk Górecki, që është vepër më e vonë e literaturës korale. Nëpërmjet interpretimit, ka nxjerrë në pah shkathtësitë e Korit dhe aftësinë e dirigjentes për të nxjerrë më të mirën nga formacioni.
E “Largo” nga “Simfonia No.9”e çekut Antonín Dvořák i ka sjellë tjetër frymë koncertit. Kjo pjesë e simfonisë që njohët edhe si “Simfonia e botës së re” – e dhënë për herë të parë në New York më 1893 – është prej atyre që konsiderohet si perlat e Dvořák.
E kur erdhi radha e “Requiem” të Giacomo Puccinit, Korit iu bashkuan edhe Lirdina Kukaj në violë e Andi Duraku në piano. Dyshja së bashku me Korin e “çuan” publikun në barokun e vonë nëpërmjet muzikës duke e kthyer në sallë melodinë italiane.
Në këtë koncert, për rreth 200 veta të pranishëm Kori ka interpretuar edhe një vepër shqiptare. “O Magnum Mysterium” e kompozitorit dhe dirigjentit Hajrullah Syla, e shkruar më 2017 është interpretuar për herë të tretë në Prishtinë. E shkruar për formacion koral dhe violonçel, vepra e Sylës ka kaluar edhe kufijtë. Me Antonio Gashin në violonçel, “O Magnum Mysterium” kësaj radhe ka qenë më “ndryshe” edhe shkaku i asaj që ka dashur të nxjerrë dirigjentja.
Kompozitori Syla ka thënë se është tejet i kënaqur me interpretimin e së shtunës mbrëma dhe sipas tij, dirigjentja ka dhënë një kontribut të madh në Korin e Filharmonisë dhe ka bërë një punë shumë të mirë.
“Vepra është shkruar më 2017 dhe ideja ka qenë që ta përfshijë edhe çellon pasi është prej instrumenteve që e dua shumë dhe është një shkrirje e mirë me vokal e kor”, ka thënë Syla.
Në Kishën katolike të Prishtinës është kthyer muzika italiane nëpërmjet “La Passegiata” të Gioachino Rossinit”. Vepra e kompozitorit të njohur italian, e shkruar më 1832 në Madrid, ka bërë që publiku ta përjetojë interpretimin e vargjeve korale që janë ndër më të njohurat, sidomos në Evropë.
Para se të luhet vepra e fundit, dirigjentja Mary Konstantinidou, e cila ka dirigjuar në shumë kryeqytete evropiane ka përshëndetur publikun duke e falënderuar Filharmoninë e Kosovës për bashkëpunimin. Ka thënë se pas punës intensive kanë arritur që të sjellin koncertin.
Menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, në këtë rast ka treguar se dirigjentja pikërisht të shtunën kishte ditëlindjen, duke e befasuar bashkëpunëtoren. E Kori nën shoqërim në piano nga Andi Duraku ia kanë uruar asaj përvjetorin e lindjes. Kjo “ndërhyrje” e ka bërë koncertin më të veçantë” para veprës së fundit në program që ishte “Libera me – Requiem” e Gabriel Faure. Për këtë vepër Andi Duraku është kthyer në piano, kurse solist ishte baritoni Shaban Behramaj.
Por, dirigjentja së bashku me Korin nuk e kanë lënë me kaq. Në shenjë respekti për publikun kanë improvizuar për pak minuta, duke falënderuar publikun për praninë.
Dirigjentja Mary Konstantinidou, e cila ka dirigjuar prej Athinës e deri në Vjenë e Stokholm, ka thënë se gjatë koncertit gjithçka ka shkuar mirë.
“Jam këtu për një javë dhe çdo ditë kemi pasur prova. Por, niveli i Korit është shumë i lartë dhe janë muzikantë e këngëtarë shumë të mirë. Ishte një bashkëpunim i mrekullueshëm dhe jam shumë e lumtur për këtë koncert”, ka thënë ajo.
E solisti Shaban Behramaj ka thënë se koncerti ishte mjaft sfidues për arsye shumë personale.
“Por, jam shumë i lumtur dhe shumë krenar me veten që arrita të dal dhe të këndoj, dhe ta qojmë deri në fund paraqitjen tonë si Kor me një dirigjente të mrekullueshme. Jam kënaqur shumë dhe e kam shijuar çdo moment, sidomos në pikën solo”, ka thënë anëtari i Korit të Filharmonisë së Kosovës. Institucioni më i lartë i muzikës klasike në vend, pas një jave, do t’i bëjë prapë nikoqirllëk publikut.