Tingujt e sonatës së mesnatës, shiu, skena e errët dhe siluetat e balerinëve, bënë që hapja e shfaqjes “Andërr” të ngjasonte me një ëndërr të vërtetë. Kjo të bënte të mendosh se vepra do të ishte një shfaqje e baletit klasik.
Nga tingujt e Bethovenit, mbrëmë në skenën e TKK-së, pamë balerinët e Baletit të Kosovës të hareshëm e me rroba plot ngjyra, duke vallëzuar nën tingujt e muzikës Hip Hop, raporton “Express” i KTV-së.
Kontrasti në muzikë, në veshje, e skenografi, e karakterizoi këtë koreografi të Kreshnik Musollit, që për temë pati kohën dhe pamundësinë për ta kontrolluar atë.
Përveç lëvizjeve të mrekullueshme të balerinëve kosovarë, këtë shfaqje e veçoi edhe drama e ngërthyer në të. Emocioni i përçuar te publiku, u shfaq me lot e të qeshura, e po ashtu edhe me konfuzion.
Duke qenë pjesë e Baletit Kombëtar tash e sa vjet, Aulona Nuhiu, shpreson se një ditë do të ketë mundësinë të vallëzojë në kushte më të mira.
Balerinët u panë më se të mishëruar në rolet e tyre, derisa treguan edhe sa janë prekur nga historia që e kanë prezantuar me anë të lëvizjeve të tyre.
Edhe
“Terminal” e rikthen Baletin në Graz e duartrokitjet në skenë
Emocionet që u përçuan te publiku, u ndjenë thellë edhe nga Sead Vuniqi, balerini që e pati rolin kryesor në këtë shfaqje.
Koreografi Kreshnik Musolli, përmes veprës së tij e shfaqi rëndësinë e kohës në formë të një tragjedie, si mënyra e vetme për ta vlerësuar më shumë se pasurinë materiale.
Me porosi dhe realizim të mrekullueshëm, “Andrra” e tij do të mbahet në mend nga publiku që e mbushi sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.