Kulturë

“Kontesha Arduini” e Mitrovicës merr peshën e diplomacisë në Rumani

“Kontesha Arduini” e Mitrovicës merr peshën e diplomacisë në Rumani

“Kontesha Arduini”, nën regji të Marigona Bekteshi-Feratit, me tekst të Aldo de Benedettit, përfaqëson Kosovën në festivalin ndërkombëtar të teatrit “Babel”, në mesin e shfaqjeve që vijnë nga më shumë se 25 shtete të botës

Është një komedi në frymën klasike, eksploron marrëdhëniet njerëzore, trajton tema si identiteti, kujtesa dhe e kaluara kolektive, por “Kontesha Arduini” e teatrit të Mitrovicës “Muharrem Qena” merr peshën e diplomacisë kulturore në festivalin ndërkombëtar të teatrit “Babel” në Targovishte të Rumanisë. Është çmuar për zhanrin e saj që thyen trendët bashkëkohorë që janë shndërruar në klishe

S’ka të bëjë me diplomaci, është një shfaqje me tis klasik, por kur shfaqet jashtë kufijve të Kosovës merr trajtën e diplomacisë kulturore. Këso peshe ka “Kontesha Arduini”, produksion i teatrit të Mitrovicës “Muharrem Qena”, e shfaqur të martën mbrëma në Targovishte të Rumanisë. Nën regjinë e Marigona Bekteshi-Feratit, me autor dramaturgun italian Aldo de Benedetti, kjo shfaqje, në mesin e atyre që vijnë prej më shumë se 25 shtete të botës, përfaqëson Kosovën në festivalin ndërkombëtar të teatrit “Babel”, që konsiderohet si një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në Evropën Juglindore dhe këtë vit tubon trupa teatrale nga dhjetëra shtete prej të gjitha kontinenteve. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë edicion vjen në kohën kur Rumania ende nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës dhe kjo dëshmon se arti shërben si urë lidhëse mes popujve, pavarësisht barrierave politike. “Babeli” sivjet shënon edicionin e 13-të dhe mbahet prej 7 deri më 15 qershor.

“Kontesha Arduini”, siç përshkruhet, është një dramë e ndërtuar me kujdes artistik, një komedi klasike plot ngjyra dhe situata të papritura, që eksploron marrëdhëniet njerëzore, rolet shoqërore dhe dëshirën për të qenë vetvetja përtej rrethanave, duke ndërthurur regjinë bashkëkohore, skenografinë e kujdesshme dhe interpretimet e fuqishme të aktorëve për të trajtuar tema si identiteti, kujtesa dhe e kaluara kolektive, në një formë të qartë dhe të prekshme për publikun ndërkombëtar e këtë është përpjekur ta tregojë Teatri nga Mitrovica, duke u ngjitur në skenën e festivalit “BABEL” për të dëshmuar se Kosova ka zë, ka histori, ka art. E, mbi të gjitha, ka një trupë që di të flasë me gjuhën universale të teatrit.

Në shfaqje luajnë katër aktorë: Artan Hetemi, Mirsad Ferati, Qëndresa Jashari dhe Arbonure Nuha, të cilët vazhdimisht kanë qenë nën kujdesin e regjisores së shfaqjes, Marigona Bekteshi-Ferati.

Aktori Mirsad Ferati të mërkurën ka treguar se ka pasur kritika shumë të vlefshme dhe se janë ndier të nderuar, përderisa kanë pasur mundësi të lobojnë kulturalisht te një shtet që nuk e ka njohur ende Kosovën.

“Të gjitha kritikat kanë qenë shumë pozitive dhe normalisht jemi ndier mirë, sepse Rumania vazhdon të mos na pranojë si shtet, mirëpo kur ke mundësi të shkosh të prezantosh në një festival si ky e ta çosh flamurin e Kosovës, është ndjenjë e veçantë, të paktën një lobim i vogël te shteti rumun se ne dimë të bëjmë art dhe e meritojmë edhe njohjen e tyre, ka qenë si një diplomaci e vogël kulturore”, ka thënë aktori Ferati në një përgjigje për KOHËN.

Meqenëse shfaqja e teatrit mitrovicas është komplet klasike, Ferati ka kumtuar se kur është dhënë shfaqja, një gazetar dhe kritik i artit ka vlerësuar se “krejt festivalet në botë kanë nevojë të sjellin shfaqje të tilla, shfaqje klasike, sepse trendi botëror i digjitalizimit, AI dhe VR kanë filluar të bëhen të mërzitshme për publikun, sepse nuk po ndihet më sikur jemi në teatër, por sikur të ishim në kinema”.

Regjisorja Marigona Bekteshi-Ferati ka theksuar mbështetjen institucionale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar që kanë bërë të mundur realizimin e një projekti artistik të rëndësishëm dhe ka nënvizuar rëndësinë e përkrahjes lokale dhe përkushtimit të vazhdueshëm ndaj zhvillimit të kulturës dhe artit skenik.

“Nën mbështetjen e vazhdueshme të Komunës së Mitrovicës është bërë e mundur që të realizohet ky projekt dhe të fuqizohet vazhdimisht teatri ‘Muharrem Qena’ si një institucion i rëndësishëm kulturor në vend. Kjo në Rumani ka qenë repriza e dhjetë, edhe pse sapo është dhënë premiera, mirëpo është shfaqje që po kërkohet shumë. Në shtator do të kthehemi sërish dhe pritet të marrim pjesë edhe në dy festivale të tjera ndërkombëtare, duke shpresuar që nuk do të ndikojnë zgjedhjet lokale, sepse për të udhëtuar na duhet buxhet prej Komunës”, ka thënë regjisorja Bekteshi-Ferati në një përgjigje për KOHËN.

Pjesëmarrja në një festival ndërkombëtar, sipas regjisores, përfaqëson më shumë se një shfaqje artistike. Është një mundësi e rëndësishme për t’i forcuar lidhjet dhe bashkëpunimet me aktorë dhe institucione nga e gjithë bota.

“Pjesëmarrja e teatrit ‘Muharrem Qena’ në festivalin ndërkombëtar ‘Babel’ në Rumani nuk është vetëm një prezantim artistik, por edhe një mundësi për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi ndërkombëtar. Në këtë skenë të madhe, ku takohen kultura, gjuhë dhe vizione artistike nga mbarë bota, ne shohim një hapësirë të çmuar për të krijuar partneritete të reja teatrore, për të shkëmbyer përvoja dhe për të afirmuar Kosovën si një qendër kreative në zhvillim”, ka shtuar tutje regjisorja.

Gjatë qëndrimit në Rumani aktori Artan Hetemi ka treguar se ekipi është njoftuar me përfaqësuesit e shteteve të tjera dhe meqë festivali nuk ka karakter garues, qëllimi i tyre ka qenë që të kalojnë kohë të mirë dhe ta shijojnë ngrohtësinë e njerëzve atje.

“Ne si ekip po njoftohemi me qytetin Targovishte dhe njëkohësisht po i njoftojmë njerëzit këtu me Kosovën, edhe pse është kënaqësi të dëgjosh se këta në njëfarë mënyre veçse e njohin Kosovën. Festivali nuk është konkurrues, janë më tepër se 26 shtete, kështu që vetëm po e shijojmë kohën, vendin bashkë me njerëzit mikpritës që ka”, është shprehur aktori Hetemi në një përgjigje për KOHËN.

Për aktorët dhe stafin artistik, pjesëmarrja në një festival të tillë është edhe një sfidë profesionale që kërkon përgatitje intensive dhe adaptim në një skenë të huaj. Aftësia për të komunikuar mesazhin e shfaqjes nëpërmjet gjuhës universale të teatrit është thelbësore për suksesin jashtë kufijve vendës. Kjo eksperiencë jo vetëm që rrit profesionalizmin e trupës, por edhe ndihmon në ngritjen e imazhit të teatrit “Muharrem Qena” si një institucion serioz dhe dinamik në arenën ndërkombëtare.

E për një qytet si Mitrovica, ku ndarja shpesh është perceptuar si realitet i pakapërcyeshëm, kultura vazhdon të mbetet një nga të paktat hapësira ku krijimi ndodh pa barriera. Në këtë kontekst prezantimi i Teatrit të Qytetit në një festival të përmasave të tilla nuk është vetëm afirmim i kapaciteteve artistike të trupës, por edhe një pasqyrë e rolit që institucione të tilla kulturore mund të kenë në ndërtimin e një narrative tjetër për qytetin. Një narrative që tejkalon përkatësitë dhe përçon përmes artit një realitet tjetër – atë të mundësisë për dialog, bashkëpunim dhe vlerësim ndërkombëtar.