Kulturë

Konkurs i radhës për sallë koncertale, dyshime për mundësi dallaveresh

Fiks 100 mijë euro janë shpenzuar deri më tash vetëm për shpërblimet e tri projekteve ideore për sallë koncertale në ish-objektin e “Gërmisë”. Por së shpejti Komuna e Prishtinës do ta hapë thirrjen ndërkombëtare me të cilën synon të gjejë hartuesin e projektit final dhe ndërtuesin. Një gjë e tillë, së paku për njërin prej arkitektëve fitues, rrit mundësinë për keqpërdorime dhe ikje nga projekti

Brenda dy javësh Komuna e Prishtinës planifikon të hapë thirrje ndërkombëtare për njërin prej projekteve më të madha kapitale në kulturë që Kosova e ka synuar në dy dekadat e fundit: ndërtimin e sallës koncertale.

Qëllimi është që të jetësohet projekti ideor i arkitektit japonez Kengo Kuma dhe bashkëpunëtorëve të tij. Komuna ia ka mësyrë që një kompani vendore ose ndërkombëtare të merret me dy procese: hartimin e projektit të detajuar duke u bazuar në dizajnin e Kumas dhe po ashtu ta bëjë ndërtimin. Bëhet fjalë për modalitetin që në këto raste quhet “desing and build” (dizajno dhe ndërto).

Por për ata që kanë marrë pjesë në konkursin e Komunës për projekt ideor, përcaktimi i institucionit lokal që të vazhdohet procesi me “desing and build” nuk është i duhuri. Vihen në pikëpyetje kualiteti dhe mundësia për keqpërdorime.

Në prill të këtij viti Komuna e Prishtinës kishte bërë publik vlerësimin e jurisë në përbërje të vendorëve dhe ndërkombëtarëve sa u përket tri projekteve ideore për sallën koncertale.

Komuna synon që ta realizojë projektin që ka marrë më së shumti pikë – “One Roof – Germia for Concert Hall” – i realizuar nga arkitekti me nam botëror, japonezi Kengo Kuma, në partneritet me arkitektin kosovar Bekim Ramku dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akim Mühendislik. Shpërblimi për këtë projekt është 50 mijë euro.

Juria në përbërje të Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin, profesorë të shquar të arkitekturës nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli së bashku me dy përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës, kishin vendosur që në vendin e dytë me 74.84 pikë të jetë projekti i operatorëve “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion project, MA Studio & Partners”, që kishte shifrën 1897. Shpërblimi financiar qe 30 mijë euro. I treti është renditur projekti me operatorët “Arbër Sadiki B.I, G+A Architects” me shifrën 6 969. Ka marrë 70.12 pikë dhe shpërblimi financiar prej 20 mijë eurosh. Pos Sadikit, bashkautor është edhe Gëzim Paçarizi.

Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, ka thënë se tashmë kanë nënshkruar kontratën me kompaninë japoneze që bashkë me bashkëpunëtorët e tjerë kishin dalë më të vlerësuarit sa i përket projektit ideor. E ka quajtur problem më vete mundësinë që e njëjta kompani ta bëjë edhe projektin e detajuar.

“Kemi tentuar që të gjejmë një mundësi që ekipi i arkitektit Kengo Kuma të realizojë edhe projektin final. Por me Ligjin e prokurimit është e pamundur të ndodhë kjo nëse i jep shpërblim fillimisht, siç e kemi shpërblyer në vendin e parë”, ka thënë ai. Ka sqaruar se kanë filluar procedurat e prokurimit dhe kanë zgjedhur modalitetin “dizajno dhe ndërto”. Sipas tij, brenda dy javëve do të bëhet thirrja e hapur dhe vlera totale e projektit është 12 milionë euro.

Mirëpo sipas arkitektit kosovar, Bekim Ramku, i cili është partner i Kumas në projektin fitues ideor, nëse modaliteti “dizajno dhe ndërto” është duke shkuar përpara pa konsulencë me disenjatorin – në këtë rast Kuman – atëherë kjo është zgjedhja më e keqe e mundshme.

“Arsyeja e parë është se nuk ka shanse të dalë siç e ka paramenduar arkitekti, në këtë rast Kengo Kuma. E dyta, ka shumë vend për keqpërdorime”, ka thënë Ramku. Për ta elaboruar qëndrimin e tij ka marrë një shembull.

“Nëse ne themi se objekti do të kushtojë 11 milionë euro, ne aty kemi paraparë për shembull një ashensor 200 mijë euro. Në këtë rast me ‘dizajno dhe ndërto’ ndërtuesi mund të vendosë një ashensor të 20 mijë eurove pasi është zgjedhja e tij. Normalisht kualiteti do të jetë më i dobët. Shpresoj që kjo nuk do të jetë zgjedhja e Komunës. Ne jemi të gatshëm për negocim për çfarëdo metodologjie që Komuna e mendon”, ka thënë Ramku.

I pyetur për mundësinë e keqpërdorimeve nëpërmjet këtij procesi për të cilin është përcaktuar Komuna, drejtori Adrian Berisha ka thënë se deri te kjo zgjidhje kanë ardhur pas shumë konsultave.

“Kemi biseduar me kolegët tanë brenda Komunës, veçanërisht me ata të Departamentit të Prokurimit. Ata na kanë sugjeruar disa mundësi. Ne gjithmonë bazohemi në këshillat e tyre. Na kanë sugjeruar me këtë modalitet dhe na kanë thënë se duhet të krijohet një grup punues që do ta shikojë projektin në mënyrë që të mos ketë devijime dhe keqpërdorime. Ky ka qenë modaliteti i përzgjedhur nga ekipi ynë punues për sallën koncertale”, ka thënë ai.

Ka sqaruar se do të hapet konkurs ndërkombëtar pasi, sipas vlerësimit të tyre, në vend ka shumë pak kompani të cilat i plotësojnë kushtet për ndërtim të një salle të tillë. Ka thënë se kanë bërë zotim të buxhetit.

“Me 100 mijë euro janë shpërblyer tri projektet e projektit ideor. Këtë vit i kemi buxhet prej 1.3 milionë eurosh të zotuara. Kemi dërguar draftin e buxhetit për kornizën afatmesme 2022-2025, ku do të përfshihet projekti i sallës koncertale”, ka thënë Berisha.

Image
Projekti fitues ideor për sallë koncertale, “One Roof – Germia for Concert Hall”, i realizuar nga arkitekti me nam botëror, japonezi Kengo Kuma, në partneritet me arkitektin kosovar Bekim Ramku dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akim Mühendislik

Pos buxhetit vetjak synojnë që të përfitojnë edhe nga mbështetës potencial të këtij projekti.

“Do të kemi takimet e radhës që të aplikojmë për sallë koncertale dhe jo vetëm për të edhe në fondet ‘IPA3’. Besojmë dhe shpresojmë që do të zgjidhet ndonjë projekt i Komunës së Prishtinës”, ka thënë Berisha, duke folur për fondet e Komisionit Evropian.

Kanë qenë pikërisht fondet e KE-së që institucionet vendore dështuan t’i shfrytëzojnë për sallë koncertale.

Si pasojë e mosmarrëveshjeve midis nivelit lokal dhe atij qendror, Komuna e Prishtinës më 2019 kishte humbur mundësinë që të përfitonte 11.4 milionë euro për këtë projekt në kuadër të fondeve të “IPA 2019”. Ato ishin ridestinuar për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”. Po atë vit objekti kishte hyrë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.

Sa i përket faktit që ndërtesa e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” është monument, Berisha ka thënë se me Ministrinë e Kulturës kanë bashkëpunim shumë të mirë. Komuna duhet të marrë pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për implementimin e projektit të sallës koncertale në ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave.

“Çdo hap që po e marrim dhe do ta marrim do të konsultohemi me ata. Në takimet me MKRS-në kemi diskutuar edhe mundësinë e një bashkëfinancimi të projektit. Besojmë se do të bëhet një program ku edhe koncertet e Filarmonisë të mbahen në këtë sallë”, ka thënë ai.

Bashkautori i projektit fitues, Bekim Ramku, në prill kishte sqaruar se ata i janë përmbajtur plotësisht detyrës projektuese që e ka përcaktuar Komuna. Projekti më i vlerësuar ka për synim ruajtjen e “fasadës ikonike” dhe shton pjesë të reja rekreative pranë ndërtesës aktuale, përfshirë një galeri.

“Jemi munduar që pamja fizike e të gjitha fasadave të ruhet sa më shumë. Është shtuar edhe galeria që ka qenë pjesë e programit të dosjes tenderuese”, kishte thënë Ramku. Ai kishte shtuar se fasada e jashtme e objektit kryesor do të ruhet ashtu siç është.

“Pos modifikimit të brendshëm, të tjerat mbesin siç janë. E në objektin C, ku do të jetë jazz-salla, nuk mund të ruhet fasada e jashtme”, kishte thënë ai.

Projekti që ka zënë vendin e dytë parasheh shndërrimin e ndërtesës së ish-“Gërmisë” me “ruajtjen e fasadës origjinale”, hyrje të reja, hapësira rekreative, hapësira ndërveprimi publike, si dhe auditoriumin kryesor me 800 ulëse. Sipas projeksioneve në video, ky koncept parasheh ndërthurjen e fasadës së kahershme të godinës me elemente moderne me xhama, brenda së cilës lartësohet objekti rrethor i sallës. Implementimi i projektit të konsorciumit “Shkëlqim Osmani B.I. – Vizion Project, MA Studio & Partners” është llogaritur të jetë 10 milionë euro.

Projekti, që ka zënë vendin e tretë, llogaritet të kushtojë 12 milionë euro.

Plani i Arbër Sadikit dhe Gëzim Paçarizit, pos enterierit, ndërtesën aktuale nuk e prek më shumë. Synohet që ajo të jetë galeri artesh e krahas të ketë dy salla.

“Publikisht jam angazhuar që ndërtesa të ruhet dhe nëpërmjet rivitalizimit të kthehet në galeri të artit bashkëkohor. Meqenëse Komuna pa ndonjë argument të fortë ka dashur ta bëjë sallë koncertale, unë me Gëzim Paçarizin kemi ardhur me ofertë që ndërtesa kryesore të ruhet dhe të jetë galeri e arteve. Kurse sallat koncertale të jenë në pjesë të lira të parcelës nga ana e poshtme”, kishte thënë Sadiki. Për dallim nga dy projektet e tjera, dyshja ka synuar që salla kryesore të shkojë përtej kapacitetit me 800 ulëse, sa ka planifikuar Komuna. Sadiki kishte thënë se në bazë të detyrës projektuese të Komunës dhe dy projekteve të tjera i bie që monumenti të shembet e jo të shndërrohet në diçka tjetër.

“I bie totalisht me u shemb dhe të ribëhet”, kishte thënë ai.

Arkitektët Arbër Sadiki dhe Bekim Ramku i kishin prirë fushatës që ndërtesa të jetë monument. Asokohe Komuna planifikonte demolim dhe ndërtim të një salle koncertale të re. Bile Bekim Ramku, në emër të “Docomono Kosova”, kishte organizuar peticion për mosdemolimin e ndërtesës dhe kishte kërkuar nga Ministria e Kulturës që objekti të jetë monument.