Kulturë

Konkurrenti i pesëfishtë në krye të “Shotës”, ish-drejtori nis akuzat

Mehmed Xhemajli - Ansambli shota

Mehmed Xhemalji në konkursin e pestë që ka konkurruar ka arritur ta bindë përbërjen e re të Këshillit Drejtues që të bëhet drejtor i “Shotës”. Katër herët paraprake para përbërjeve të tjera të Këshillave nuk ia kishte dalë. Shefqet Gjocaj ka dështuar ta marrë mandatin e tretë. Por ai tash ka nisur një tjetër “garë”. Ka thënë se procesi është manipuluar dhe për këtë ka paralajmëruar ankesë

Mehmed Xhemajli ka marrë vlerësimin e Këshillit Drejtues të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” që të jetë drejtor i përgjithshëm i këtij institucioni. Përbërja e re e Këshillit Drejtues ka vlerësuar Xhemajlin më shumë se kundërkandidatin Shefqet Gjocaj, i cili për dy mandate ka drejtuar “Shotën”. Përderisa Xhemajli po e pret afatin e ankesave që të nënshkruajë kontratë me ministrin e Kulturës, Gjocaj nuk e ka ndërmend ta lërë me kaq. Duke akuzuar Këshillin Drejtues për manipulim, ka paralajmëruar ankesë.

Njoftimi për zgjedhjen e Xhemajlit është bërë të hënën. Konkursi i fundit është i pesti me radhë nëpërmjet të cilit Xhemajli tenton të ulet në karrigen e drejtuesit të institucionit. Procesi i zgjedhjes së drejtorit kishte dështuar në shtator të vitit të kaluar. Asokohe një tjetër përbërje e Këshillit Drejtues e kishte vlerësuar Shefqet Gjocajn më lart se Mehmed Xhemajlin. Ankesa e Xhemajlit e shkarkimi i përbërjes së Këshillit Drejtues nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte bërë që krejt procesi të anulohej. Institucioni është pa drejtor prej 17 korrikut, kur edhe përfundoi mandati i dytë katërvjeçar i Shefqet Gjocajt si drejtor.

“Do të ankohem. Nuk ka pasur vlerësim por votim të ndikuar nga anëtari i ‘Shotës’, i cili është në Këshill në mënyrë të paligjshme. Pra, unë jam vjedhur”, ka thënë Gjocaj. Në këtë rast ka folur për valltarin Feim Leka, i cili është anëtar i Këshillit Drejtues. Sipas Gjocajt, Lekaj është emëruar jashtëligjshëm nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, pasi, sipas Ligjit për ansamblin “Shota”, “Këshilli drejtues përbëhet prej pesë (5) anëtarëve me mandat katër (4) vjeçar, të cilët preferohet të jenë nga fusha e arteve skeniko-muzikore dhe etnomuzikologjike” dhe askund nuk shkruhet se ndonjë anëtar duhet të jetë pjesë e Ansamblit.

Sipas Gjocajt, në intervistë i njëjti anëtar ka bërë pyetje provokuese.

“Është marrë me problemet që ka pasur me mua, për ndonjë kërkesë që nuk ia kam provuar. Kryetari i Këshillit nuk ka reaguar për t’i ndalur këto. Ka pasur edhe ndërhyrje të tjera. Ka qenë një vlerësim skandaloz”, ka thënë ai. Sipas Gjocajt, në procedurën e parë të rekrutimit ai kishte dalë i pari me më shumë se 20 poenë e tash është i dyti me po kaq diferencë.

“Shihet që është me tendencë”, ka thënë Gjocaj. Drejtori i zgjedhur, Mehmed Xhemajli, nuk ka pranuar të flasë me arsyetimin se është duke pritur që të kalojë afati i ankesave. E anëtari i Këshillit Drejtues, Feim Leka, ka thënë se gjatë ditës së hënë nuk mund të përgjigjet për shkak të angazhimeve profesionale. Ka thënë se në një tjetër ditë do t’iu përgjigjet me fakte të gjitha akuzave të Gjocajt. Pos Lekës, anëtarë të përbërjes së re të Këshillit Drejtues janë edhe Arbnora Dushi, Sanije Matoshi e Dafina Bacaliu. Ky organ drejtohet nga Visar Munishi. KOHA i ka drejtuar pyetje Munishit të hënën pasdite pasi është publikuar njoftimi për kandidatin e suksesshëm nga MKRS-ja, por deri në mbrëmje vonë ai nuk është përgjigjur.

Përbërja paraprake e Këshillit Drejtues ishte shkarkuar në shtator të vitit të kaluar. Fahredin Spahija, Riza Bytyçi, Xhevdet Gashi, Visar Munishi dhe Taibe Selmani ishin njoftuar për shkarkim pasi kishin lënë takim për të vazhduar procesin e zgjedhjes së drejtorit të “Shotës”. Do të duhej rivlerësuar testin me shkrim të kandidatit Mehmed Xhemajli.

Por, vendimi i ministrit Çeku për shkarkim kishte bërë që të anulohet edhe procesi i zgjedhjes së drejtorit. Për këtë arsye edhe ish-kryetari i Këshillit Drejtues, Fahredin Spahija, ka thënë se ministri Çeku ka ndërhyrë direkt në proces duke e pamundësuar epilogun. Në të njëjtën ditë kur u bë shkarkimi ishte anuluar konkursi me arsyetimin se Këshilli Drejtues është jofunksional.

Historia kishte nisur më 3 qershor, kur Ministria e Kulturës hapi konkursin publik për drejtor të “Shotës”. Qenë katër kandidatë. Por, Naser Shatrolli dhe Ylber Asllanaj pas testit me shkrim nuk ishin kualifikuar për më tej.

Shefqet Gjocaj kishte kandiduar për mandat të tretë. Kurse kandidati i dytë qe Mehmed Xhemajli, i cili drejton shoqërinë kulturo-artistike “Kosova”. I pari dramaturg me përvojë tetëvjeçare në drejtim të institucionit, kurse i dyti me një master për koreografi në Shqipëri e i angazhuar në stafin akademik të një kolegji privat. Dyshja kishte hyrë në test me shkrim dhe Shefqet Gjocaj printe me 83.88 poenë, kurse Xhemajli ishte i dyti me 70.58 poenë.

Ish-përbërja e Këshilli Drejtues kishte mbajtur edhe intervistat. Bazuar në vlerësimin e testit me shkrim dhe po ashtu edhe nga pikët e fituara në intervistë, rezultati final ishte 86.85 poenë për Shefqet Gjocajn dhe 65.39 poenë për Mehmed Xhemajlin. Siç edhe ndodh rëndom, Ministria e Kulturës kishte njoftuar publikisht se kandidati i suksesshëm ishte Shefqet Gjocaj.

Por, Mehmed Xhemajli kishte vërejtur një “vjegëz” nëpërmjet së cilës mund të ankohej. Gjatë vlerësimit të testit të tij ishte ndërhyrë disa herë duke poentuar e duke fshirë shifrat për të vendosur poenë të tjerë.

Ankesa e tij ishte shqyrtuar në Ministrinë e Kulturës dhe e njëjta ishte aprovuar. Në këtë situatë të re duhej që anëtarët e Këshillit Drejtues të mblidheshin prapë në mënyrë që të bëhej rivlerësimi. Por, shkarkimi i përbërjes së Këshillit kishte përmbysur krejt situatën. Asokohe ish-kryetari i Këshillit Drejtues, Fahredin Spahija, kishte thënë se veprimi i ministrit Çeku ishte i qartë.

“Me ia pamundësu Këshillit përfundimin e procesit të përzgjedhjes së drejtorit, sepse mbledhja e paralajmëruar për të hënën në orën 12:00, në praninë e dy zyrtarëve të Departamentit për burime njerëzore, ka pasë me (ri)sjellë rezultatin final të testit të kandidatit që është anku...”, ka thënë Spahija, i pyetur se përse janë shkarkuar.

Ish-drejtori, Shefqet Gjocaj, kishte thënë se pas ankesës së kundërkandidatit kanë qenë duke e pritur epilogun e procesit. Kishte thënë se Komisioni për Ankesa ka nxjerrë vendim që procesi duhet të vazhdojë.

“Atë vendim mund ta rrëzojë vetëm gjykata. Andaj unë jam në pritje që të vazhdojë procesi, pavarësisht vendimit të MKRS-së për anulim të konkursit”, kishte thënë Gjocaj.

Mehmed Xhemajli, i cili asokohe për të katërtën herë konkurronte për këtë pozitë, kishte thënë se pas testimit ka parë që është vlerësuar me pikë më të ulëta sesa kundërkandidati për përgjigje të njëjta. Kishte thënë se shihet qartë që pasi i janë vlerësuar disa përgjigje, janë fshirë poenët dhe janë vendosur të tjerë. Për këtë arsye edhe është ankuar.

“Jam ankuar dhe më është aprovuar pjesërisht ankesa. Këshilli Drejtues ka bërë shkelje në vlerësim. Do të konkurroj prapë. Kam përgatitjen e duhur dhe shpresoj që Këshilli i ardhshëm të jetë më racional. Besoj që tashmë ka nisur që në Ministrinë e Kulturës të vijë në pah meritokracia”, ka thënë Xhemajli.