Kulturë

Kongresi i Manastirit – përcaktues ekzistencial i shqipes së shkruar

Udhëheqës qeveritar e studiues kanë vlerësuar se alfabeti i dha një tjetër hov shkrimit të shqipes dhe krejt kulturës shqiptare. Po ashtu, është përmendur edhe fakti se për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është hapur një tjetër epokë pas miratimit të Ligjit për gjuhën shqipe dhe atij për përdorimin e gjuhëve. Në ditën e fundit të manifestimit kulturor e shkencor “Ditët e alfabetit”, të hënën në Shkup janë mbajtur disa aktivitete

Në 113-vjetorin e Kongresit të Manastirit, ku u vendos përfundimisht që shqipja të shkruhet me germa latine, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë pasur edhe arsye të tjera për të festuar. Udhëheqës qeveritarë e studiues kanë vlerësuar se alfabeti i dha një tjetër hov shkrimit të shqipes dhe krejt kulturës shqiptare. Po ashtu, është përmendur edhe fakti se për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është hapur një tjetër epokë pas miratimit të Ligjit për gjuhën shqipe dhe atij për përdorimin e gjuhëve.

Në ditën e fundit të manifestimit kulturor e shkencor “Ditët e alfabetit”, të hënën në Shkup janë mbajtur disa aktivitete.

Në ambientet e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulture të Shqiptarëve në Shkup është mbajtur solemniteti me temë “113-vjetori i Kongresit të Manastirit dhe 14-vjetori i ITSHKSH-së në Shkup”. Në prani të përfaqësuesve diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Italisë e Izraelit, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka thënë se një popull nuk rron dot pa ideal, pa një qëllim që e bën të punojë, të përpiqet e të përparojë.

“Ideali ishte i qartë dhe plotësisht i drejtë, të ruhet gjuha e të parëve, shqipja si vlerë në mesin e gjuhëve evropiane. 113 vjet u bënë sot nga konkretizimi i një ideali që përcaktoi fatin tonë ekzistencial të asaj kohe për të pasur gjuhë të shkruar”, ka thënë ai. Sipas Asanit, tash e 14 vjet po dëshmohet se mund të realizohen hulumtime shkencore, aktivitete arsimore dhe kulturore për të promovuar vlerat identitare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Skender Asani i cili drejton Institutin, ka thënë se Kongresi i Alfabetit i mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908 në Manastir, e oksidentalizoi kulturën e shkrimit shqip, si një mundësi e favorshme për ta shkëputur rrjedhën e historisë nga anarkia e shkronjave me alfabete të ndryshme në një alfabet unik. Ka thënë se në të morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, klubeve dhe organeve kombëtare të trevave shqiptare. Ka treguar se Kongresi ngriti një komision prej 11 delegatësh ku Gjergj Fishta u zgjodh kryetar komisioni. Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Buda, Bajo Topulli, Nyz’het Bej Vrioni e Grigor Cilka, ishin anëtarë.

“Të gjithë këta emra, përpos heterogjenitetit krahinor, përfaqësonin edhe diversitetin fetar, sepse në Kongresin e Manastirit morën pjesë veprimtarë të shquar katolikë, myslimanë, protestantë, ortodoks e bektashinj. Pra, Kongresi i Manastirit, përpos integrimit të alfabeteve në një të vetëm, në atë latin, promovoi edhe kulturën e bashkëjetesës fetare, një model ky gati unik te shqiptarët, i cili u kultivua edhe në kohët e mëvonshme”, ka thënë Asani.

Sipas tij, përvetësimi i alfabetit latin dhe standardizimi i tij për nevojat praktike të shkollave, librave, gazetave e revistave, i dha kulturës shqiptare një favor tepër të madh, sepse në këtë mënyrë procesi i komunikimit dhe bashkëpunimit me kulturat perëndimore ishte më efikas.

Ka kujtuar se Instituti çdo vit organizon “Ditët e alfabetit”. Këtë vit, bosht i manifestimit ishte gjuhë, letërsia, kultura dhe tradita e arbëreshëve të Italisë.

“Komuniteti arbëresh në Itali sot është dëshmia më e gjallë e një kulture të lashtë e cila u kishte mbijetuar furtunave të asimilimit në saje të ruajtjes së gjuhës së vjetër të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut nga dhëmbi i asimilimit dhe globalizmit. Njëkohësisht ky komunitet ishte edhe ura lidhëse përmes së cilës idetë kulturore evropiane ndikuan në zhvillimin e Rilindjes sonë kombëtare, dhe u formësuan në Kongresin e Alfabetit në Manastir”, ka thënë ai.

Në prill të këtij viti pas ndërhyrjeve e restaurimeve disavjeçare, në godinën e Kongresit të Alfabetit – ku sot është Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe – ishte rihapur për vizitorë monumenti. Paçka se bëhet më shumë se një dekadë qëkur fitoi statusin e muzeut, ngrehina ikonike në Manastir vazhdon t’i trashëgojë problemet e vjetra.

Prej vitesh, godina ikonike në bulevardin “1 maji”, krahas të cilit vijon rrjedhën lumi i Dragorit, u është nënshtruar ndërhyrjeve e investimeve të pjesshme. Siç ka raportuar KOHA thesit me probleme për muzeun që monumentalizon një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë shqiptare në fillim të shekullit të kaluar – përcaktimi për alfabetin me shkronja latine – ende nuk i është lidhur gryka. Kuadrit të angazhuar në Muze vazhdojnë t’i mungojnë profile të specializuara si historianë e gjuhëtarë. I trashëguar nga vitet e kaluara është edhe halli i kontestit pronësor me dyqanet e qeramikës dhe pajisjeve hidrosanitare brenda hapësirave të ndërtesës.