Kulturë

Konfirmohet anulimi joligjor, Muzeu bëhet me drejtor nga politika

Prishtinë, 7 nëntor – Ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi, e shefi i tij partiak, Kadri Veseli, krye më vete kishin vendosur që ta anulojnë procedurën nëpërmjet së cilës Këshilli Drejtues i Muzeut kishte zgjedhur drejtor të këtij institucioni Ajet Lecin. Nën presion të Gashit e Veselit, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, kishte nxjerrë një vendim joligjor.

Por MKRS-ja do ta kthejë Lecin në punë. Për këtë ka vendosur Komisioni për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave. Gazeta ka marrë vesh se të mërkurën Ajet Lecit i është bërë gati kontrata e punës dhe mbetet që ai ta nënshkruajë atë.

Në ditën e 22-të të gushtit të këtij viti, ish-anëtarët e Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës në garën për drejtor të këtij institucioni kishin vlerësuar me më së shumti pikë Ajet Lecin, duke e zgjedhur atë si udhëheqës të MKK-së për katër vjetët e ardhshëm.

Gazeta kishte raportuar se Leci është anëtar i Kryesisë së Degës së PDK-së në Drenas, parti kjo së cilës i takon edhe ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi. Leci ia kishte dalë që në zgjedhjet partiake të këtij viti të mblidhte 28 vota, duke u bërë anëtar i Kryesisë së PDK-së në Drenas. Mësimdhënësi i historisë, paraprakisht ishte zgjedhur edhe drejtor i shkollës “Mehmet Gradica” në fshatin Gradicë.

Por pas presionit publik, një ditë më vonë, pas një takimi me artistë në kuadër të parafushatës zgjedhore, ministri Kujtim Gashi e kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, kishin thënë se kanë anuluar vendimin.

“Unë e kam pranuar një raport nga anëtarët që e kanë monitoruar këtë proces dhe pas konsultimeve dhe në koordinim me kryetarin Kadri Veseli për drejtorin e Muzeut kemi vendosur që të gjitha procedurat të kthehen në pikën zero. Këshilli që ka proceduar me këtë mënyrë të përzgjedhjes së drejtorit do të shkarkohet”, kishte thënë ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi. Ai pos kësaj menjëherë kishte shkarkuar edhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Muzeut. Për këto veprime Gashi e Veseli ishin këshilluar nga persona të angazhuar për fushatën e PDK-së për zgjedhjet e 6 nëntorit.

Po atë ditë sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, Veton Firzi, kishte marrë vendimin për anulimin e procedurës së rekrutimit. Për këtë ishte bazuar në paragrafin e 3-të të nenit 25 të Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)