Filharmonia e Kosovës e ka mbyllur sezonin duke u hapur rrugë talenteve të reja, por njëkohësisht duke dëshmuar edhe potencialin që ka Orkestra. Solli një program goxha kërkues me dy premiera dhe me koncertin për kitarë dhe orkestër të Antonio Vivaldit, që vuri në pah një kitariste me karrierë të ndritur para vetes, Tringa Sadikun. Studentëve të Degës së Muzikës në Fakultetin e Arteve në UP iu dha hapësirë që në fillim të mbrëmjes. Dirigjenti Edon Ramadani bashkë me Orkestrën Harkore të Fakultetit të Arteve interpretuan veprën e Béla Bartókut. Në pjesën qendrore, dirigjenti Svilen Simeonov me Filharmoninë krijuan një komunikim të gjallë me publikun
Ka diçka të veçantë e magjike kur sheshi pushtohet nga muzika. E të tillë e bën edhe koha e organizimit të një koncerti të tillë. Vjen si kontrast pas një periudhe kur distancimi, ndalesat e grumbullimeve e të festave të përbashkëta janë kryefjalë e çdoditshme.
“Koncert n’Shesh” ka qenë kontrapunkt i periudhës që s’ka kush që s’dëshiron ta harrojë. Këtë mundësi e kanë pasur të dielën pasdite nja njëmijë veta. E gjithë mbrëmja ishte një dëshmi e potencialit që kanë artistët e rinj dhe një konfirmim i interpretimit të lartë artistik të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës. Të tjerat janë detaje, e muzika është emërues i përbashkët që përcjell energji.
Me të perënduar dielli, 600 karriget e vendosura në amfiteatrin “Zahir Pajaziti” nisën të mbusheshin. Shumëkush zuri vend në shkallët ku ishin vendosur disa jastëkë të vegjël për t’u ulur e ndier më rehat. Kur u dha lajmi se koncerti është gati për të nisur, disa veta kishin mbetur në këmbë, por s’u zmbrapsën për ta ndjekur koncertin përmbyllës të sezonit 2020/2021 të Filharmonisë së Kosovës, që nisi fillimisht me interpretimin e Orkestrës Harkore të Fakultetit të Arteve.
Dirigjenti Edon Ramadani ishte ai që i udhëzoi instrumentistët të luanin kompozimin e pianistit e etnomuzikologut hungarez Béla Bartók. Studentët sollën “Valle Folklorike Rumune”. Qe një mundësi për koncertim para publikut, pas një viti të vështirë akademik ku gjithçka ishte online. Me të përfunduar interpretimi i saj, e gjithë energjia u ndryshua.
Dirigjimin e mori në duar Svilen Simeonov nga Bullgaria. E instrumentistët e Filharmonisë së Kosovës që në dalje në skenë reflektuan më shumë vetëbesim karshi studentëve. Sigurisht, ata ka kohë që janë mësuar me interpretim para një publiku kaq të madh në numër. Megjithatë, shumica prej tyre që tashmë bëjnë karrierë edhe jashtë vendit kanë dalë pikërisht nga Universiteti i Prishtinës.
Që në veprën e parë, koncertin në D – dur, RV. 93 për kitarë dhe orkestër të Antonio Vivaldit u vu në pah se programi do të jetë më sfidues. Por edhe aty në qendër të vëmendjes ishte një studente. Tringa Sadiku nga Mitrovica, qe solistja e kësaj vepre. Sadiku ishte lidhja e duhur.
“Më duhet të them edhe që keni një kitariste shumë të mirë, Tringën dhe besoj që do të arrijë edhe më shumë dhe do të jetë një nga kitaristet me të mëdha në Evropë”, ishte vlerësimi që ia bëri pikërisht Simeonov që erdhi për herë të parë në Kosovë. E për kitaristen Sadiku, performimi me Orkestrën e Filharmonisë ishte një nder i veçantë.
“Ka qenë një natë e mrekullueshme, jam shumë e lumtur që më është dhënë rasti të performoj me Filharmoninë si soliste dhe jam shumë e lumtur që pas gjithë kohës së gjatë të pandemisë po mundemi që të bisedojmë përsëri me publikun, me e pa publikun, pasi që ka qenë një kohë e vështirë ky izolimi ynë si muzikantë”, ka thënë ajo.

Koncerti vazhdoi me dy vepra nga kompozitorët gjermanë. Fillimisht u interpretua “Uvertura e festës akademike, Op. 80” e Johannes Brahms e më pas “Simfonia Nr. 1 në B – dur, Op. 38” e Robert Schumannit, një nga veprat më të vështira të periudhës romantike. E të dyja këto ishin premiera në vend.
Dirigjenti Simeonov, kësaj radhe krahas udhëzimit të instrumentistëve mori edhe rolin e edukatorit. Mes pjesëve të veprave u kujdes edhe t’i jepte shenjë publikut që të mbante duartrokitjet për në fund të veprës.
Për kompozitorin Valton Beqiri, e gjithë mbrëmja ishte një përjetim i veçantë muzikor.
“Ishte një përmbushje e boshllëkut shpirtëror, një kërkesë, nevojë për t’u dëfryer edhe në këtë mënyrë. Natyrisht, atmosfera jashtë e bëri të veten dhe pati mundësi që të ketë edhe më shumë publik. Dhe besoj që të gjithë koncertantët e kanë ndier këtë komunikim me publikun e që është e mirë dhe në favor të muzikës dhe artit pasi po kalohet një epokë mjaft e rëndë dhe e mbyllur për të gjithë artistët”, ka thënë ai. Sipas tij, Filharmonia pati një program mjaft të vështirë.
“Ndoshta jo plotësisht për formatin e koncertit ‘open-air’, megjithatë ishte një koncert i veçantë dhe një arritje e Orkestrës e po ashtu dua të përgëzoj edhe studentët që dhanë një performancë simpatike, korrekte”, ka thënë ai. Ka shtuar se bashkëpunime të tilla në mes të Filharmonisë dhe studentëve duhet stimuluar që të vazhdojnë edhe më tutje.

Simeonov ishte reflektues i energjisë së Orkestrës dhe përçues i saj te publiku, nga i cili po ashtu mori reagime pozitive. Kurorëzimi i koncertit erdhi me veprën “Rondo Alla Turca” të kompozitorit austriak Wolfgang Amadeus Mozart e në orkestrim të vetë dirigjentit.
Donjeta Latifi-Maliqi, mësimdhënëse në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, ishte në mesin e atyre që ndoqën koncertin.
“Ishte kënaqësi, sidomos në qiellin e hapur me u mbajt një koncert i tillë, por ajo që më bën me u ndje më mirë është fakti se vëllai im është pjesë e Orkestrës. Sidomos pas kësaj periudhe që kemi kaluar ishte kënaqësi, ishte freskët dhe jemi kënaqur”, ka thënë ajo.
Pas mbrëmjes së të dielës Svilen Simeonov e ka ndërmend që përsëri të vijë në Kosovë.
“Ishte një koncert emocionues dhe energjik. Të gjithë energjinë që mora nga instrumentistet e përçuam edhe të publiku dhe patë sesi ishte edhe reagimi i tyre me plot duartrokitje dhe brohoritje. Kishim zgjedhur një program mjaft të vështirë, e që e kemi bërë me pesë prova, por jam shumë i lumtur për suksesin tonë”, ka thënë ai.
Ky është koncerti i dytë i Filarmonisë së Kosovës në sheshet e Prishtinës. I pari ishte mbajtur në sheshin “Skënderbeu” më 26 qershor të vitit 2019. Ishte organizuar në kuadër të aktiviteteve 20/20 të Komunës së Prishtinës. Në skenë ishin ngjitur mbi 110 muzikantë të Filarmonisë së Kosovës, por edhe instrumentistë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. U interpretua “Simfonia Nr. 9” e kompozitorit Ludwig van Beethoven. Vepra përcjell mesazhin e paqes mes popujve dhe vlerësohet si një nga veprat më të mira të kompozitorit gjerman.