Kulturë

Komuna midis lëvdatave e kritikave për ngjarjet kulturore gjatë izolimit

Përkrahja e 56 aktiviteteve kulturore e rekreative në kohë pandemie është shndërruar në shkas për kritika të shumta për Komunën e Prishtinës. Por pavarësisht kritikave, zyrtarët komunalë kanë thënë se nuk do të ndalen së përkrahuri artistët e kategoritë e tjera.

Debati ka shpërthyer pas publikimit të listës së projekteve fituese nga Komuna. Janë përkrahur aktivitete të cilat do të transmetohen në televizione e në rrjete sociale shkaku i pandemisë. Një gjë e tillë është konsideruar si veprim jo i mirë nga anëtarë të komunitetit artistik e nga shumë qytetarë. Por për ata që jetojnë nga arti, veprimi i Komunës del të jetë tejet i arsyeshëm. Shpallja e rezultateve të Komunës në rritje sociale ka bërë që aty të zhvillohet debat për subvencionimin në kohë pandemie.

Poetja Vlora Konushevci është një prej artistëve që i ka reaguar direkt kryetarit Shpend Ahemti.

“Më ka pas mbet një troh konsideratë për ty si njeri, jo si menaxhues i mirë i Komunës, dhe tash në kohë pandemie më ishte ndez një shkëndijë e vockël që ke nisë mu këndell, por me publikimin e listës së subvencioneve edhe ajo shkëndijë mu shua. Lista, jo që ishte qesharake, por është një nonsens i pamasë, në veçanti tash kur i gjithë komuniteti artistik e në veçanti poetët po kontribuojnë pa asnjë cent”, ka shkruar ajo.

Ka thënë se nuk ka konkurruar pasi është zhgënjyer nga konkursi i rregullt i vitit të kaluar. Aktori e shkrimtar Shpëtim Selmani ka shkruar se krejt mbështetja financiare për artistët është e turpshme dhe pa pikë sensi. “Si mund të kërkojë një artist që të paguhet solidariteti. Marre me qenë artist”, ka shkruar Selmani.

E në përkrahje të Komunës ka dalë regjisori e udhëheqësi i teatrit “Oda”, Florent Mehmeti. Ai ka shkruar se niveli i emancipimit të përgjithshëm shoqëror është drejtpërdrejt rezultat i investimit publik në zhvillimin kulturor. Sipas tij, kritikat janë bërë sikurse artistët të jetonin nga ajri.

“Jam i sigurt që kritikuesit nuk janë në dijeni ose s’duan ta dinë se në Kosovën tonë të dashur qe 20 vjet ka me qindra e ndoshta edhe mijëra artistë që mbijetojnë e jetojnë falë solidaritetit të familjes e miqve dhe për periudha shumë të gjata nuk kanë të hyra, dhe kur i kanë ato, i kanë të parregullta”, ka shkruar ai. Ka shtuar se është jo e ndershme të gjykohen artistët që po paguhen, kur shumica e tyre kanë bërë e po bëjnë punë edhe pa pagesë për të luajtur rolin e tyre në shoqëri, të ndërtimit dhe mbajtjes së kohezionit social dhe jo ato të argëtuesit e të palaços, siç po e përfytyrojnë ata. Komuna ka përkrahur kryesisht aktivitetet muzikore e letrare.

Ato muzikore kanë nisur të transmetohen në Kohavision qysh nga e premtja. Producenti ekzekutiv i KTV-së, Dardan Selimaj, ka thënë se këtë e bëjnë me qëllim që të jenë afër artistëve e publikut në kohë pandemie. Sikurse të premten e javës së kaluar, ai ka theksuar se KTV-ja është angazhuar falas. “Jemi angazhuar vullnetarisht që të japim kontributin tonë e t’iu dalim në ndihmë artistëve”, ka thënë ai.

Nëpërmjet një reagimi Komuna ka përgatitur një pako emergjente për të gjitha kategoritë, e aty janë paraparë 100 mijë euro shtesë për artistët. “Pra, nuk e kemi lënë askënd keq. Kemi ndihmuar aty ku ka pasur nevojë pa kurrfarë pune kthim. Ekipi ka menduar që 30 mijë t’i ndajë për performanca. Edhe për të ndihmuar artistët, edhe për t’iu dhënë qytetarëve dëfrim e largim nga telashet ditore. Kemi mundur të bëjmë transfere pa kurrfarë pune siç po ndihmojmë plot të tjerë në kohë pandemie”, shkruhet, midis tjerash, në reagim ku kërkohet që të kritikohet Komuna e jo artistët.