Komuna e Prizrenit vite më parë pa pëlqimin e institucioneve të Ministrisë së Kulturës kishte filluar projektin për ndërtimin e Bibliotekës së Qytetit fare pranë monumentit të mbrojtur të “Ryzhdijes”. Por investimi kapital kishte mbetur në gjysmë. Tani, sipas zyrtarëve komunalë, projekti është plotësuar bazuar në rekomandimet e organeve të trashëgimisë kulturore dhe po synohet që të përmbyllet në bashkëpunim me TIKA-n
Projekti për ndërtimin e godinës së Bibliotekës së Qytetit në Prizren ka filluar para 7 vjetësh, por ende s'ka përfunduar. Autoritetet komunale kanë pohuar se prej disa muajsh janë angazhuar për eliminimin e pengesave ekzistuese me qëllim që një ditë kjo ndërtesë të vihet në shërbim të qytetarëve. Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Adem Morina, ka pohuar se ky projekt ka filluar nga viti 2014 dhe se është bërë një histori më vete, pasi ish-qeveria lokale nuk është marrë seriozisht me këtë çështje. Ai ka shtuar se pas marrjes së detyrës ka iniciuar diskutime me autoritetet e trashëgimisë kulturore dhe me agjencinë turke TIKA, me ç’rast edhe është reviduar projekti.
"Mirëpo pas shumë takimeve kemi ardhur në fund të kësaj që TIKA e ka marrë shumë seriozisht, janë kryer të gjitha procedurat, kemi nënshkruar marrëveshjen që e kemi pasur e kemi vazhduar, edhe në tetor pritet që të del në tender dhe pastaj të vazhdojnë punimet”, ka thënë Morina.
Historiku i fillimit të punimeve për ndërtimin e Bibliotekës së Qytetit në afërsi të “Ryzhdijes” ka qenë problematik vite më parë, pasi që institucionet e Ministrisë së Kulturës nuk patën dhënë pëlqimin përkatës, duke kërkuar plotësimin e projektit sipas rekomandimeve të autoriteteve të trashëgimisë kulturore. Pavarësisht kësaj, në dhjetor të vitit 2014 ishte vënë gur themeli për ndërtimin e Bibliotekës së Qytetit, që tutje kishte pasuar me zhvillimin e punimeve për ndërtimin e godinës së re përballë ndërtesës së vjetër të “Ryzhdijes”. Por si godina e re ashtu edhe ndërtesa e degraduar e “Ryzhdijes” kanë mbetur në atë gjendje prej vitesh.
Reagime në lidhje me projektin e Bibliotekës, vite më parë, ka pasur edhe nga komuniteti i profesionistëve, me ç’rast në mediat sociale ata patën ngritur shqetësime për arkitekturën e objektit, duke konsideruar se ai nuk mund të jetë përfaqësues i vlerave tradicionale të qytetit, veçmas në hapësirat e dikurshme të “Ryzhdijes”. Sipas tyre, nevojitet një debat më i gjerë për rishikimin e projektit, në mënyrë që ai të përfshijë vlerat e vërteta të arkitekturës vendore, të ofrojë një ndërtese reprezentative dhe të plotësojë kushtet funksionale të një biblioteke.
Në ndërkohë organet komunale kanë hyrë në bisedë me agjencinë turke TIKA, për të arritur marrëveshjen që në bashkëpunim të realizohet restaurimi i objektit të “Ryzhdijes”, ashtu që të inkuadrohet edhe kompleksi i Bibliotekës në ndërtim e sipër.
Zyrtari i lartë komunal ka shprehur qëndrimin se problemet e mëparshme janë zgjidhur me revidimin e projektit, që i ka hapur rrugë marrjes së pëlqimeve dhe lejeve përkatëse dhe se planet janë që Biblioteka përfundimisht të funksionalizohet në fund të vitit 2023 apo në fillim të vitit 2024.
“Pasi që jemi edhe te objekti i “Ryzhdijes” që është nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore, ne i kemi kryer të gjitha obligimet tona si Drejtori e Kulturës dhe Sportit, në këtë rast e kemi bërë revidimin e projektit, është finalizuar, është marrë leja dhe tash çdo gjë është e gatshme, nuk kemi asnjë problem, ngaqë është bërë revidimi i projektit. Pikat dhe vërejtjet që na janë dhënë nga QRTK-ja i kemi përmirësuar në projekt dhe tani po presim vetëm finalizimin dhe topi është te TIKA”, ka deklaruar Morina.
Ish-shkolla e “Ryzhdijes” është pronë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore, në Listën e mbrojtjes së përkohshme të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit. Në bazë të shënimeve të publikuara në Databazën e Trashëgimisë Kulturore të MKRS-së, shkolla e mesme "Ryzhdije" që gjendet pranë Kompleksit të Tabakhanës u hap në vitin 1874 dhe paraqet themelimin e arsimit të ri të mesëm në Prizren. Aty thuhej se ndërtesa e shkollës së mesme "Ryzhdie" paraqet një ndërtesë me vlerë të madhe artistike, historike, shoqërore dhe shkencore, derisa vetë ndërtesa si formë arkitektonike paraqet një shembull të veçantë të trajtimit të objekteve publike gjatë shekullit XIX.